Aktualitet
Loja e brezave/ Ka ardhur epoka e gjyshërve
Raporti i gjyshërve ndaj fëmijëve është më i lartë se kurrë më parë. Kjo ka pasoja të mëdha, shkruan The Economist
Kënga më sentimentale e vitit 1980 ishte “Nuk ka si gjyshja” (There’s No One Quite Like Grandma), interpretuar nga kori i shkollës St. Winifred në Stockport, Angli. Kënga u ngjit në krye të listave britanike dhe fëmijët kudo ua këndonin gjysheve për Krishtlindje.
“Gjyshe, ne të duam”, këndonin ata. “Gjyshe, edhe pse je larg, ne mendojmë për ty”.
Sot, këta koristë kanë filluar të bëhen vetë gjyshër dhe brezi i gjyshërve ka ndryshuar në mënyrë radikale. Dy prirje të mëdha demografike po i bëjnë gjyshërit shumë më të rëndësishëm. Së pari, njerëzit jetojnë më gjatë. Jetëgjatësia globale është rritur nga 51 në 72 vjeç, që nga viti 1960.
Së dyti, familjet po tkurren. Gjatë së njëjtës periudhë, numri i foshnjave që një grua sjell në jetë, është përgjysmuar, nga 5 në 2.4. Kjo do të thotë se raporti i gjyshërve të gjallë ndaj fëmijëve, po rritet vazhdimisht.
Çuditërisht, pak kërkime janë bërë për këtë temë. The Economist nuk mundi të gjente shifra të sakta për numrin e gjyshërve të gjallë, kështu që i kërkuam Diego Alburez-Gutiérrez në Institutin Max Planck për Kërkime Demografike në Gjermani, që të na jepte disa vlerësime duke përmbledhur të dhënat e moshës dhe popullsisë me modele të strukturave farefisnore në çdo vend.
The Economist zbuloi se ka 1.5 miliardë gjyshër në botë, nga 0.5 miliardë në vitin 1960 (edhe pse sa më mbrapa në kohë të kthehemi, aq më të turbullta bëhen vlerësimet). Si pjesë e popullsisë, gjyshërit janë rritur nga 17% në 20%. Dhe raporti i gjyshërve me fëmijët nën 15 vjeç, është rritur nga 0,46 në vitin 1960, në 0,8 sot.
Deri në vitin 2050, The Economist parashikon se do të ketë 2.1 miliardë gjyshër (që përbëjnë 22% të popullsisë së botës) dhe pak më shumë gjyshër se persona nën moshën 15 vjeç. Kjo do të ketë pasoja të thella.
Provat tregojnë se fëmijët sillen më mirë me ndihmën e gjyshërve – që në praktikë, zakonisht nënkupton gjyshet. Dhe prirja do të ndihmojë në nxitjen e një revolucioni tjetër shoqëror të papërfunduar: hyrjen e grave në forcën e punës.
Duke qenë se normat e lindshmërisë dhe jetëgjatësisë ndryshojnë shumë midis vendeve, edhe përqindja e gjyshërve ndryshon (shih grafikun 1). Ata përbëjnë 29% të bullgarëve, por vetëm 10% të burundianëve.
Mosha mesatare e gjyshërve gjithashtu ndryshon shumë, nga 53 vjeç në Ugandë, në 72 vjeç në Japoni (shih grafikun 2). Për të kuptuar se çfarë ndryshimi sjell një numër më i madh gjyshërish, duhet filluar nga vendet ku ata janë ende të pakët.
Marrim si shembull Senegalin. Shumica e senegalezëve ruralë janë fermerë të varfër. Edhe pse lindshmëria ka rënë nga 7.3 foshnja për grua në vitin 1980, në 4.5 sot, familjet e mëdha mbeten një normë. Fëmijët nën moshën 15 vjeç e tejkalojnë numrin e gjyshërve të gjallë në raportin 3.5 me 1.
Amy Diallo, një matriarke 84-vjeçare e mbuluar me një hixhab ngjyrë blu dhe të bardhë, duhet të mendohet me kujdes kur e pyesin sa nipër ka. “Tridhjetë”, thotë më në fund ajo, duke qëndruar këmbëkryq në dyshemenë e shtëpisë në Tally Boubess, në periferi të kryeqytetit senegalez Dakar, në një rrugë ku kuajt dhe karrocat përplasen me dele dhe makina.
Si anëtarja më e vjetër e familjes, ajo ndjell respekt. Diallo u jep udhëzime morale të rinjve: jini të ndershëm dhe të devotshëm, ruani traditën dhe mos e godisni vëllain më të vogël. Çdo vit, ajo udhëheq një pelegrinazh familjar për në Tivaouane, një qytet i shenjtë mysliman, e shoqëruar nga fëmijë, nipër, stërnipër dhe kunetër, ndoshta njëqind persona gjithsej.
Gjyshërit përcjellin besime tradicionale, histori, këngë dhe një sens historie. Në një këndvështrim më praktik, ata sjellin një palë duar shtesë. Kjo ndihmon prindërit dhe fëmijët. Për shembull, një studim në Gambian rurale, zbuloi se prania e një gjysheje nga nëna, rriste ndjeshëm mundësinë që një fëmijë të jetonte deri në moshën dyvjeçare.
Në Afrikën Nënsahariane, gjasat për të shkuar në shkollë janë rreth 15% më të larta për fëmijët që jetojnë me një gjysh dhe 38% më të larta për fëmijët që jetojnë me një gjyshe.
Zonja Diallo nuk ka punuar kurrë jashtë shtëpisë. Por ajo ka ndihmuar disa nga pasardhësit e saj për ta bërë këtë. Ndeye, një nga vajzat e saj, nisi punë në një zyrë, pavarësisht se kishte tetë fëmijë, sepse zonja Diallo e ndihmoi me fëmijët.
Megjithatë, me gjithë ndjenjën e dashurisë dhe detyrës, zonja Diallo nuk mund të kujdeset për të 30 nipërit dhe mbesat.
Shteti ofron pak ndihmë. Ndryshe nga Ndeye, shumë nga vajzat dhe mbesat e zonjës Diallo, nuk kanë punuar kurrë jashtë shtëpisë. Kjo është e zakonshme: vetëm një e treta e grave në moshë pune në Senegal, janë në punë ose po kërkojnë punë. Gjyshërit në vendet më të varfra bëjnë më të mirën, por kjo nuk mjafton.
Ndihma në kohë nevoje
Në vendet më të pasura, lindshmëria ka rënë shumë më tepër se në Afrikë. Një grua tipike meksikane, tani ka mesatarisht vetëm dy fëmijë, nga gati shtatë në vitin 1960. Raporti i gjyshërve të gjallë me fëmijët në Meksikë, është tre herë më i lartë se ai në Senegal. Kështu, ‘abuela’–t meksikane kanë më shumë kohë për t’i kushtuar çdo nipi.
Irma Aguilar Verduzco jeton me vajzën, e quajtur gjithashtu Irma, dhe dy nipërit, Rodrigo dhe Fernanda. Ajo gatuan dhe lexon me nipërit e saj. Që kur ishte tre vjeç, Rodrigos, tani 16 vjeç, i pëlqente të pinte një filxhan kafe dhe të ulej për të biseduar me gjyshen.
Fernandës, tani 12 vjeçe, i pëlqen ende të bjerë në shtrat me gjyshen. Ndërkohë, vajza Irma ka punuar prej kohësh nga 12 orë në ditë, dhe aktualisht punon si menaxhere në Maya Train, një projekt i madh hekurudhor. Ajo është e divorcuar dhe thotë se ish-bashkëshorti “nuk e ndihmon”. Ajo “nuk mund të kishte bërë asgjë” pa ndihmën e nënës Irma.
Gjyshet janë burimi kryesor i kujdesit joprindëror të fëmijëve në Meksikë, veçanërisht pasi Covid-19 i detyroi shumë çerdhe të mbylleshin. Ata kujdesen për gati 40% të fëmijëve nën gjashtë vjeç. Përpara se gjyshja të vinte të jetonte me ta, Irma ishte në vështirësi.
“Nuk ka fare mirëkuptim apo elasticitet për nënat që punojnë në Meksikë”, ankohet ajo. Fëmijët e saj shpesh qëndronin vetëm në shtëpi. “Ndonjëherë kam paguar njerëz për t’u kujdesur për ta, por ishte e vështirë financiarisht dhe e vështirë për t’u besuar njerëzve”.
Një ditë, vite më parë, Rodrigo u kthye në shtëpi nga çerdhja me një kockë të thyer; Irma dyshon se e kanë keqtrajtuar. Me nënën e saj pranë, ajo ndihet e qetë.
Miguel Talamas dhe kolegët e tij nga Banka Amerikane për Zhvillim, janë përpjekur të vlerësojnë se sa i ndihmojnë gjyshet meksikane vajzat e tyre që të marrin punë me pagesë.
Ata vërejtën se çfarë ndodh me familjet pas vdekjes së gjysheve. Vdekja e një gjysheje në Meksikë, e ulte me 27%, ose 12 pikë përqindje, mundësinë që e bija të hynte në fuqinë punëtore dhe i ulte të ardhurat e saj me 53%. (I njëjti studim nuk gjeti asnjë efekt në shkallën e punësimit të baballarëve).
Të jetosh me gjyshërit nuk është gjithmonë e lehtë. Ata mund të kenë ide të vjetruara, ose kërkojnë shumë respekt ndaj të rriturve. Në Indi, ku çiftet tradicionalisht jetojnë me prindërit e burrit, shumë drama televizive trajtojnë marrëdhëniet e ashpra midis grave dhe vjehrrave.
Një studim i grave indiane rurale në vitin 2018, zbuloi se ato që jetonin me mummyjin (vjehrrën), kishin pak liri. Vetëm 12% lejoheshin të vizitonin të vetme miqtë ose të afërmit.
Një gjyshe që ndjek normat e modës së vjetër të nënshtrimit të gruas, mund ta bëjë më të vështirë që nusja të punojë jashtë shtëpisë. Por një studim intrigues zbulon se mesatarisht, ky efekt tejkalohet nga ndihma që jep vjehrra për punët e shtëpisë.
Një ndihmë e tillë është bërë më e përqendruar, pasi shkalla e lindshmërisë në Indi ka rënë, nga gjashtë në vitin 1960, në pak më shumë se dy sot. Madhulika Khanna nga Amazon dhe Divya Pandey nga firma 3IE, vërejtën se çfarë ndodhte me gratë indiane kur vdiste vjehrra.
Ata zbuluan se nuset kishin 10% më pak gjasa të bënin, ose të kërkonin punë me pagesë, ndoshta sepse u duhej të kalonin më shumë kohë për të mbledhur dru për zjarr dhe për t’u kujdesur për fëmijët. Edhe gjyshet patriarkale mund të kontribuojnë pa dashur në emancipimin e femrës.
Shtetet e pasura përgjithësisht ofrojnë shërbime që i ndihmojnë gratë të manovrojnë kujdesin për fëmijët dhe punën. Megjithatë, shumë prindër kërkojnë ndihmë shtesë nga gjyshërit. Pensionet i lejojnë gjyshërit të heqin dorë nga puna.
Sipas një sondazhi, 50% e fëmijëve shumë të vegjël, 35% e fëmijëve të moshës së shkollës fillore dhe 20% e adoleshentëve në Amerikë, kalojnë kohë me gjyshërit në një javë të zakonshme.
Kjo mund të përbëjë një ndryshim të madh. Janice Compton nga Manitoba dhe Robert Pollak nga Universiteti i Uashingtonit, zbuluan se të jetuarit brenda 25 miljeve larg nga gjyshja, e rrit shkallën e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore për gratë e martuara me fëmijë të vegjël, me 4-10 pikë përqindje.
“Gjyshja dado”, siç e quajnë disa, mund të ketë edhe anë negative. Një studim britanik zbuloi se gjyshërit kanë më shumë gjasa të lënë objekte të rrezikshme pranë pajisjeve që marrin flakë, se sa çerdhet ose dadot.
Studimet nga Amerika, Britania, Kina dhe Japonia, tregojnë se një fëmijë që jeton me gjyshërit, ka më shumë gjasa të jetë obez, por është e paqartë nëse kjo ndodh për shkak të llastimit apo faktorëve të tjerë.
Ndihma e gjysheve
Dhe megjithëse gjyshet i ndihmojnë vajzat të kthehen në fuqinë punëtore, kjo shpesh nënkupton që të tërhiqen vetë prej saj. “Ka një shkëmbim të qartë”, thotë zoti Talamas. Në Meksikë, Hermelinda Coapango Vázquez punon si manikyriste, por pranon takime vetëm në momentet që i përshtaten kujdesit për nipin.
“Nipi është jeta ime”, thotë ajo. “Unë nuk kam një partner dhe nuk kam shumë miq”. Një studim nga Brazili zbuloi se kur fëmijët e moshës 0-3 vjeç dërgoheshin në qendra të kujdesit për fëmijët, familja fitonte kolektivisht më shumë, sepse gjyshërit dhe vëllezërit e motrat më të mëdhenj, ishin të lirë të punonin.
Një tjetër problem është se familjet që varen shumë nga gjyshja për kujdesin e fëmijëve, kanë më pak gjasa të lëvizin dhe të gjejnë një punë më të mirë. Një studim nga Eva Garcia-Moran në Universitetin Wurzburg dhe Zoe Kuehn në Universitetin e Madridit, zbuloi se gratë në Gjermaninë Perëndimore, që jetojnë me vjehrrit, fitojnë rreth 5% më pak dhe udhëtojnë më gjatë për në punë se bashkëmoshataret e tyre.
Fëmijët, të cilët janë vetëm nën kujdesin e gjyshërve, zakonisht sillen më keq se bashkëmoshatarët e tyre. Në Amerikë, ku afërsisht 2% e fëmijëve rriten kryesisht nga një gjysh apo gjyshe, Laura Pittman nga Universiteti i Ilinoisit të Veriut, zbuloi më shumë probleme emocionale dhe të sjelljes në adoleshentë të tillë, se sa në bashkëmoshatarët e tyre. Kjo ndoshta nuk është për t’u habitur.
Nëse fëmijët nuk jetojnë me prindërit, kjo shpesh ndodh sepse diçka ka shkuar keq: i ati është në burg, nëna ka vdekur, ose është e paaftë fizikisht apo mendërisht. Në këto rrethana, të jetosh me një gjysh, është zakonisht një alternativë shumë më e mirë.
Katie Clark, një 68-vjeçare nga Baton Rouge, në Luiziana, ka pasur kujdestarinë e vetme të një nipi dhe është kujdesur përkohësisht për pesë të tjerë, për shkak se e bija është e varur nga opiumi. Ajo mori përgjegjësinë për fëmijën e parë të vajzës, menjëherë pasi ai lindi.
Rreth 12 vite më vonë, vajza e pastrehë u kthye në shtëpi, me pesë fëmijë të tjerë. Ajo i braktisi fëmijët në shtëpinë e Katie-t, dhe më pas u kthye me gjithë policinë për t’i kërkuar. Vajza aktualisht ka kujdestarinë e pesë fëmijëve dhe Katie ka frikë se po i lë sërish pas dore. Fëmija i rritur tërësisht nga Katie, tani është në universitet.
Në Kinën rurale, gjyshërit ndihmojnë në uljen e dëmit të shkaktuar nga qeveria. Sipas sistemit hukou (regjistrimi i familjeve), kinezët ruralë që shpërngulen në qytete, trajtohen si qytetarë të klasit të dytë. Fëmijët e tyre e kanë të ndaluar të shkojnë në shkollat publike lokale, kështu që ata shpesh lihen në fshat me gjyshërit.
Por shkollat rurale shpesh kanë kushte të tmerrshme. Gjyshërit, edhe pse me qëllime të mira, shpesh janë analfabetë. Scott Rozelle nga Universiteti Stanford, zbuloi se më shumë se gjysma e të vegjëlve në Kinën rurale, kanë mbetur mbrapa në lexim dhe shkrim, pjesërisht sepse gjyshërit e tyre nuk e kuptojnë sa e rëndësishme është të flasin me fëmijët.
Në qytetet kineze, gjendja është ndryshe. Politika “vetëm një fëmijë” (e cila u shndërrua në një politikë “vetëm tre fëmijë” në vitin 2021), zbatohej gjithmonë në mënyrë më të rreptë në qytete sesa në fshatra.
Pra, shumë familje urbane përbëhen nga katër gjyshër, dy prindër dhe vetëm një fëmijë. Kështu që nuk mungojnë duart shtesë për ndihmë. Fëmijët në zonat urbane shpesh jetojnë me gjyshërit gjatë javës dhe i shohin prindërit punëtorë gjatë fundjavave.
Çerdhet janë të shtrenjta në Kinë dhe nuk u zihet besë. Gjyshet shpesh dalin në pension në të 50-at për t’u kujdesur për nipin e vetëm të çmuar. Kjo funksionon mjaft mirë. Shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore për gratë kineze është 62%, paksa më e lartë se në Amerikë.
“Nëse doni t’i jepni fëmijës arsim të mirë, duhet të punoni shumë për të fituar para”, thotë Zhou Bao, arkitekte dhe nënë në një familje të stilit “4-2-1” që ka përdorur të dy grupet e gjyshërve për kujdesin e fëmijëve.
Por “në procesin e fitimit të parave, ju mund të humbisni kohën e kaluar me fëmijën”. Dhe ajo shpreh frikën se gjyshërit kanë zakonin t’i llastojnë nipërit e vetëm. “Gjyshërit mund të jenë shumë të vëmendshëm, – thotë ajo, – duke i bërë fëmijët më pak të pavarur”.
Partia Komuniste promovon vlerat tradicionale, të tilla si, anëtarët e familjes duhet të kujdesen për njëri-tjetrin në mënyrë që të mos ketë nevojë ta bëjë shteti. Në Pekin, qeveria ngriti një shkollë në vitin 2005, për t’i mësuar gjyshërit se si të kujdeseshin më mirë për fëmijët.
Por brezi i ardhshëm mund të mos dëshirojë të mbajë të njëjtat përgjegjësi. Pak prindër të shtresës së mesme sot, presin të rrisin fëmijët e fëmijëve të tyre pas disa dekadash, mendon Dan Wang nga Hang Seng Bank. Nëse ata zgjedhin të mos jenë gjyshër tradicionalë, kjo mund ta bëjë më të vështirë që vajzat e tyre në të ardhmen, të kombinojnë mëmësinë me punën, shqetësohet zonja Dan.
Normat e ndryshme shoqërore
Në përgjithësi, kujdesi për fëmijët duket se është i mirë për gjyshërit. Ata që kalojnë kohë me nipërit dhe mbesat, raportojnë nivele më të ulëta të depresionit dhe vetmisë. Por çdo e mirë, ka të këqijat e veta. Të vegjlit mund të jenë rraskapitës, trazovaçë dhe të padurueshëm.
Një studim në Singapor, me familje kryesisht etnike kineze, zbuloi se shumë gjyshër kujdeseshin për nipërit dhe mbesat për shkak të sensit të detyrës, dhe jo sepse u pëlqente. Shumë e kanë më të vështirë ta bëjnë këtë punë ndërsa plaken.
Disa janë të detyruar të kujdesen njëkohësisht edhe për nipërit, edhe për prindërit e tyre të sëmurë. Prandaj, disa thjesht kanë dëshirë të kalojnë një pension më të qetë. Gjyshja Irma në Meksikë, pranon se do të donte të udhëtonte më shumë, pasi nipërit të rriteshin dhe të bëheshin më të pavarur.
Një vend ku gjyshërit kanë mjaftueshëm kohë për t’u çlodhur është Suedia, ku falë ndihmave të forta të shtetit, prindërit rrallëherë kanë nevojë të varen nga gjyshërit. Për çdo fëmijë, një çift suedez mund të marrë 16 muaj leje prindërore, dhe për shumicën e kësaj periudhe, shteti merr përsipër pjesën më të madhe të pagës.
(Që leja të ofrohet, burri duhet të marrë patjetër minimumi tre muaj leje dhe shumë prindër e ndajnë kohën e lejes nga puna në mënyrë të barabartë). Për më tepër, ka edhe çerdhe të subvencionuara dhe është krijuar norma që të dy prindërit të rikthehen në punë.
Duke qenë se kujdesi për fëmijët është kudo, suedezët e kanë të lehtë të zhvendosen nëpër qytete për të gjetur një punë më të mirë.
“Rrallëherë ndodh që një gjysh apo gjyshe të marrë një fëmijë nga kopshti ose çerdhja, por jo zakonisht”, thotë Andreas Bergh nga Universiteti Lund. Gjyshërit mund të marrin përsipër një detyrë me fëmijën, jo për t’i lejuar vajzës të kthehet në punë, por thjesht për t’i mundësuar asaj të shkojë për darkë me të shoqin.
Ndihma e gjyshërve është thjesht “një bonus” në Suedi, thotë Andreas Heino nga instituti kërkimor Timbro, në Stokholm.
Subvencionet për lejen prindërore janë aq bujare, sa që edhe sipërmarrësit përfitojnë nga një pjesë e saj. Sandra Kastås drejton dy kompani në Stokholm. Kur lindi një djalë në vitin 2021, ajo mori dy muaj pushim, më pas kaloi një vit duke punuar me kohë të pjesshme, njëlloj si i shoqi, specialist në informatikë. Pavarësisht orarit të ngjeshur, zonja Kastås nuk pret asnjë ndihmë të rregullt nga prindërit.
Ata jetojnë në Gotland, një ishull i largët dhe nuk e vizitojnë shpesh. Nëna e saj “e tregon dashurinë duke dërguar dhurata”, si libra dhe triko që ka thurur. Ajo flet me nipin në FaceTime. “Ai përqafon celularin kur ajo telefonon. Është e lezetshme”, thotë zonja Kastås.
Shumica e suedezëve janë të kënaqur me sistemin e tyre. Por ka disa të moshuar që ankohen për vetminë. Gati gjysma e familjeve suedeze përbëhen nga një person, niveli më i lartë në Europë pas Finlandës.
Në një popullsi prej 10.4 milionë banorësh, rreth 900,000 njerëz janë mbi 60 vjeç dhe jetojnë vetëm. Prej tyre, një e pesta konsiderohen të izoluar nga shoqëria, që do të thotë se nuk takohen me miqtë ose familjen më shumë se dy herë në muaj.
Gjatë pandemisë, suedezët bënin shaka të errëta se do të ishte e lehtë të izoloheshin të moshuarit sepse “gjithsesi ne nuk i vizitojmë shumë gjyshërit”. Emigrantët nga vende si Afrika apo Lindja e Mesme, shpesh janë të shokuar nga ndarja e familjeve suedeze.
Historiani Lars Tragardh, lavdëron “individualizmin e rreptë” të Suedisë. Shteti kujdeset për njerëzit si individë, kështu që ata mund të bëjnë zgjedhjet që dëshirojnë dhe të mos kenë nevojë të varen nga të tjerët.
Prindërit gjetiu e kanë zili ndihmën që marrin bashkëmoshatarët e tyre nordikë, pavarësisht nga taksat më të larta që paguajnë. Megjithatë, edhe shteti më bujar i mirëqenies sociale, nuk mund të ofrojë dot dashuri.
Helena Paues, e cila punon për një shoqatë të autoriteteve lokale në Suedi, përshkruan se si babai i saj kënaqet kur e dërgon në muze djalin e vet disleksik, Wille. “Atij i pëlqejnë faktet dhe shkenca.
Mendoj se gjyshi tashmë e ka çuar në të gjithë muzetë e Stokholmit: muzeun e shkencës, muzeun e Vikingëve, e kështu me radhë. Ata kanë një lidhje shumë të ngushtë. Babai im gjithashtu kishte vështirësi në të mësuar, të lexuar dhe të shkruar, kur ishte i ri”.
Në verë, nipërit qëndrojnë në shtëpinë verore të gjyshërve, notojnë në liqen dhe pinë limonadë në kopsht. Ata duan të bëjnë të njëjtën gjë çdo vit. Zonja Paues thotë se babai i saj u ka mësuar nipërve vlera si respekti për të tjerët.
“Ai nuk ka nevojë të flasë për këtë, ai e bën thjesht duke qenë vetvetja. U mëson fëmijëve se mendimet e tyre kanë rëndësi, sepse ai i dëgjon ata”. Ajo përfundon: “Fëmijët kanë nevojë për më shumë të rritur sesa thjesht prindërit e tyre”.