Connect with us

Bota

Putin: Rusia dhe Kina nuk po krijojnë aleancë ushtarake

Rusia dhe Kina nuk po krijojnë një aleancë ushtarake dhe nuk po fshehin asgjë, në kuptim të bashkëpunimit ushtarak, tha presidenti rus, Vladimir Putin, në një intervistë të transmetuar të dielën nga televizioni shtetëror rus.

Putin dhe presidenti i Kinës, Xi Jinping, thanë se shtetet e tyre kanë miqësi dhe u zotuan për lidhje më të ngushta, gjatë takimit të tyre në Moskë në fillim të kësaj jave, në kohën kur Rusia po përpiqet të shënojë fitore në atë që e quan “operacion të posaçëm ushtarak” në Ukrainë.

“Ne nuk po krijojmë ndonjë aleancë ushtrake me Kinën”, citohet të ketë thënë Putin, sipas Interfax.

“Po, ne kemi bashkëpunim në sferën e ndërveprimit ushtarako-teknik. Ne nuk e fshehim këtë. Gjithçka është transparente, nuk ka asnjë sekret”, shtoi lideri rus.

Putin po ashtu tha se fuqitë perëndimore po tentojnë të krijojnë më shumë aleanca globale, duke akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n se kanë nisur të ndërtojnë një “bosht” të ri, që sipas tij, ka disa ngjashmëri me aleancën e Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë në Luftën e Dytë Botërore.

“Prandaj analistët perëndimorë…. po flasin lidhur me atë se Perëndimi po nis të ndërtojë një bosht të ri të ngjashëm me atë që u krijua në vitet ’30 nga regjimet fashiste të Gjermanisë, Italisë dhe regjimi ushtarak i Japonisë”, tha Putin.

Me urdhër të Putinit, forcat ruse nisën pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt 2022. SHBA-ja së fundmi ka paralajmëruar se Kina mund t’i ofrojë armë Rusisë, gjë që është mohuar nga Pekini.

Kina nuk e ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës, por së fundmi ka nxjerr një plan me 12 pika për luftën në Ukrainë, duke argumentuar se dëshiron që konflikti të zgjidhet përmes dialogut. /REL

Advertisement