Kronike
Tragjedia që tronditi Italianë/ Shqiptarja që u vra nga djali i saj 21 vjeçar
Komuniteti shqiptar dhe ai italian në qytetin e Chiarit vijon të jetë i tronditur nga vrasja e 39-vjeçares shqiptare M.L, për të cilën dyshohet si autor djali i saj 21-vjeçar, E.Xh. Ngjarja ndodhi në banesën ku nënë e bir jetonin së bashku, ku 39-vjeçarja dyshohet se u vra me thikë.
Mediat italiane raportojnë se për tragjedinë ka reaguar edhe kryebashkiaku i Chiarit, Gabriele Zotti, i cili ka shprehur dhimbjen për humbjen e gruas dhe tronditjen e komunitetit. Ai e ka përshkruar M.L si një nënë të përkushtuar dhe punëtore, e cila pas ndarjes nga bashkëshorti kishte marrë përsipër e vetme rritjen e djalit.
Viktima punonte në Spitalin Civil të Breshias dhe, sipas kryebashkiakut, kishte mbështetjen e katër vëllezërve të saj, të punësuar në sektorin e ndërtimit. Edhe 21-vjeçari ishte rritur dhe shkolluar në Chiari, ndërsa nuk kishte pasur më parë probleme apo sjellje shqetësuese të raportuara në komunitet.
Pas ngjarjes, i riu ishte larguar nga banesa në rrugën Tagliata, por më vonë ishte paraqitur vetë pranë Karabinierëve në Kremona.
Ndërkohë, autoritetet italiane vijojnë hetimet për të zbardhur motivet e krimit dhe për të përcaktuar plotësisht rrethanat në të cilat ndodhi vrasja.