Kronike
Sulm me thikë në Malësi të Madhe, gjermani plagos dy policë
Dy efektivë të Policisë kanë mbetur të plagosur gjatë një ndërhyrjeje në Malësinë e Madhe, pasi janë sulmuar me thikë nga një 47-vjeçar me shtetësi gjermane.
Sipas njoftimit paraprak të Policisë, ngjarja nisi pas një denoncimi të bërë rreth orës 17:30 nga një 27-vjeçar. Ky i fundit raportoi se, teksa udhëtonte me automjet nga Hani i Hotit drejt Shkodrës, një drejtues tjetër mjeti dyshohet se i kishte hedhur benzinë makinës. Episodi raportohet të ketë ndodhur pranë një karburanti, në afërsi të pikës kufitare.
Pas denoncimit, efektivët lokalizuan automjetin e dyshuar në fshatin Pjetroshan. Drejtuesi, shtetasi gjerman J. K., 47 vjeç, refuzoi të identifikohej dhe kundërshtoi ndërhyrjen e Policisë, duke sulmuar me thikë dy efektivët e Patrullës së Përgjithshme, S. B. dhe I. S.
Të dy punonjësit e Policisë u dërguan në spital për ndihmë mjekësore. Ndërkohë, 47-vjeçari u neutralizua dhe u shoqërua në Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.