Connect with us

Politike

‘Standard i dyfishtë’/ Zbardhet debati i Bardhit me kryetaren e Kushtetueses

Deputeti demokrat, Gazmend Bardhi është përplasur sot me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj lidhur me një kërkesë të gjykatës për të paraqitur një autorizim nga 28 deputetët për avokatin që do ti përfaqësojë në shqyrtimin e kësaj çështjeje.

Sipas Bardhit ky është një standard i dyfishtë i Gjykatës, pasi në 32 vite nuk ka ndodhur asnjëherë që të kërkohet një autorizim i tillë.

DEBATI

Bardhi: Ka tetë muaj që kjo çështje po zvarritet, ka interes të lartë publik. Ka abuzim me pronat lidhur me këtë vkm dhe nuk çmojmë që ka ende nevojë për ta zvarritur akoma më shumë këtë çështje.

 

 

Holta Zaçaj (kryetarja e Gjykatës Kushtetuese): Ju përfaqësoni vetëm një pjesë të deputetëve. Përfaqësimi duhet të jetë me 28. Personi që autorizohet duhet të jetë me 28. Nëse keni kërkesa të tjera me autorizimin e subjektit të interesuar mund ti kishit paraqitur përpara. Nëse ju nuk do të kërkoni kohë për ta plotësuar këtë, gjykata do të mblidhet dhe do të caktojë një seancë tjetër derisa ju të rregulloni aktin e përfaqësimit. Arsyeja pse u pyeta është që të kërkoni kohën e duhur që u nevojitet.

Bardhi: Ne autorizojmë avokatin të vazhdojë gjykimin. U kontestua vendimi. Jemi deputetë nënshkrues prezentë.

Zaçaj: Nuk ta kam dhënë fjalën. Do flisni kur tua jap unë fjalën. Sot ne nuk kemi një akt përfaqësimi të 28 deputetëve dhe nuk kemi 28 deputetë në sallë që të deklarojnë përfaqësimin. Tërhiqemi për të komunikuar seancën e radhës.

Bardhi: A mundet? Se kam një pretendim.

Zaçaj: Nuk ua kam dhënë fjalën.

Bardhi: Në qoftë se doni ta zvarrisni, vazhdojeni. ne dy deputetë jemi prezentë në seancë, kemi të drejtën e përfaqësimit. Ju nuk po na jepni as të drejtën për të folur. Kërkuam fjalën, kemi të drejtën për të folur. Ju nuk mund të tërhiqeni pa na dëgjuar. Keni marrë një vendim pa na dëgjuar. Unë dhe kolegia ime jemi prezentë në seancë. Nëse Kushtetuesja na e ka hequr të drejtën e fjalës, na e thoni dhe të mos vijmë më. E njëjta trupë ka pranuar kërkesat e grupit të PD-së, 3 cështjen në muajin e fundit. Nëse keni ndryshuar standardin na e thoni. Keni dhënë një vendim para një jave dhe para një muaji, me të njëjtin autorizim. Nuk ka ndodhur ndonjëherë në 32 vite që të firmoset autorizim, kemi firmosur për kryetarin e grupit. Duhet ta themi këtë për t’u përfshirë në procesverbal.

Advertisement