Aktualitet
SPECIALE | Kambana që bie për të gjithë Ballkanin/ Përse i vrau bashkëmoshatarët 13-vjeçari serb?
Tetë nxënës dhe një rojë sigurie u vranë nga të shtënat me armë zjarri në Shkollën Fillore “Vlladisllav Ribnikar” në Beograd, bëri të ditur Policia e Serbisë. Sipas njoftimit, gjashtë nxënës të tjerë dhe një mësues u plagosën. Në oborrin e shkollës u gjet dhe u arrestua nxënësi i kësaj shkolle, K. K. (13), i cili dyshohet se ka kryer këtë vepër, tha po ashtu policia. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se i dyshuari do të vendoset në një institucion psikiatrik, ndërsa shtoi se një ndër masat që Serbia do të ndërmarrë është rritja e numrit të policëve nëpër shkolla. “Nuk mund t’i kthejmë fëmijët te prindërit e tyre, por duhet të kërkojmë të gjejmë shkaqet, të shohim përgjegjësinë e secilit prej nesh, të kërkojmë zgjidhje ashtu që diçka e tillë, sado e paparashikueshme dhe e papritur, të mos ndodhë më kurrë”, tha Vuçiq. Shefi i Departamentit të Policisë së Beogradit, Vesellin Milliq, bëri të ditur se i dyshuari kishte një muaj që planifikonte sulmin dhe se ai vetë kishte raportuar se e kishte kryer krimin. Milliq, në konferencën për media, shtoi se i dyshuari kishte një listë të nxënësve që planifikonte t’i likuidonte, porse motivi i sulmit ende nuk dihet. Ai tha se në sulm janë përdorur dy pistoleta – njëra me kalibër nëntë milimetra me tre fishekë dhe një pistoletë e kalibrit të vogël dhe se i dyshuari i kishte sjellë edhe katër kokteje molotov në shkollë. Më pas, thotë Milliq, ai vazhdoi për në kabinetin e historisë, e ndërroi kornizën me municion dhe, pasi hyri në klasë, hapi zjarr ndaj mësuesit dhe nxënësve. ministri i Arsimit, Branko Ruzhiq, tha se ka informacione që i dyshuari i kishte pësuar lëndime në një shkollë private të aktrimit, që është jashtë sistemit arsimor të Serbisë.