Connect with us

Aktualitet

SPECIALE | Dhjetëra viktima në Serbi/ Shkak, gjuha e urrejtes së politikës

Komente me mesazhe urrejtjeje dhe thirrje për dhunë kanë vërshuar mediat sociale në Kosovë pas sulmit vdekjeprurës në shkollën “Vlladisllav Ribnikar” në Beograd të Serbisë, më 3 maj. Një nxënës 13-vjeçar atje dyshohet se ka vrarë tetë nxënës dhe një rojë të shkollës. Komente të ngjashme ka pasur edhe pas një sulmi tjetër në rajonin e Beogradit, që ka ndodhur më 4 maj, kur sulmuesi i dyshuar 21-vjeçar ka vrarë së paku 8 persona në disa fshatra. Mesazhe të tilla kanë arritur edhe në llogarinë e Radios Evropa e Lirë në Facebook. Bardh Bakija, i diplomuar për Arte Liberale dhe Filozofi, njëherësh drejtor ekzekutiv i portalit ‘Sbunker’, thotë se “gjuha mizore” e shfaqur me rastin e tragjedive në Serbi, duhet të shihet si një “fryt i kalbur i nacionalizmit ekstrem”, që, sipas tij, “mbizotëron prej kohësh në rajon”. “Në një botëkuptim ku identiteti etnik vihet mbi çdo identitet tjetër, mosha e tjetrit është e parëndësishme: në emërtimet ‘fëmijë serb’, ose ‘fëmijë shqiptar’ mbizotëron jo ‘fëmija’, por ‘serb’ ose ‘shqiptar’”, thotë Bakija. Bakija thotë se në kurthin e këtij botëkuptimi “të ngushtë dhe shkurtpamës” kanë rënë edhe ata që i kritikojnë shqiptarët e Kosovës që kanë shfaqur solidaritet me familjet e viktimave në Serbi. “Sipas tyre, duke qenë se ata [serbët] që kanë masakruar fëmijë shqiptarë nuk kanë kërkuar falje as nuk janë penduar, pse do të duhej që ne të shfaqnim mirëkuptim e solidaritet për fëmijët serbë? Përsëri, edhe këtu, ajo që mbizotëron, është identifikimi etnik i viktimave: jo e përbashkëta e të qenët ‘fëmijë’, por e ndryshmja e të qenët ‘shqiptarë dhe serbë’”, thotë Bakija.

Advertisement