Aktualitet
Në lokal duke pirë birra me uniformë, nis hetimi disiplinor për dy policët
Dy inspektorët e Policisë Rrugore janë vënë nën hetim pasi janë kapur duke konsumuar birra në një lokal, teksa ishin të veshur me uniformën e punës. Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se inspektorët G. S., dhe K. A., të dy efektivë të Policisë Rrugore Tiranë janë kapur në shkelje. Fotoja është publikuar më herët nga JOQAlbania.
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë:
Në lidhje me një foto të publikuar në portale ditën e sotme, në të cilën shfaqen dy punonjës Policie me uniformë, në një lokal, ju sqarojmë se:
Me publikimin e pamjeve, menjëherë ka nisur hetimi disiplinor, për dy punonjësit e Policisë, inspektor G. S., dhe K. A., të dy efektivë të Policisë Rrugore, Tiranë.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.