Connect with us

Aktualitet

Qëndresa Qytetare: QV-të janë pushtuar nga persona të paautorizuar

Qëndresa Qytetare, një OJQ monitoruese dhe avokature, ka denoncuar problematikat gjatë procesit zgjedhor. Qëndresa Qytetare ka vënë në pah një sërë problematikash deri në orën 13:00 në 14 bashki. Bëhet fjalë për pezullimin e procesit në 532 qendrat e votimit, ku pajisjet e identifikimit elektronik nuk punuan. Kjo ndikoi në dekurajimin e qytetarëve për të ushtruar të drejtën e votës. Po ashtu është ushtruar presion dhe intimidim nga drejtues të administratës dhe kandidatë për zgjedhjet lokale ndaj qytetarëve në bashkitë Elbasan, Tiranë, Kukës dhe Durrës, brenda dhe në oborret e qendrave të votimit. Ka patur raste të votimit familjar dhe tentative për të fotografuar votën.

VËZHGIMI I PROCESIT ZGJEDHOR DERI NË ORËN 13:00 NË 14 BASHKI

Gjatë monitorimit të procesit të votimit deri në orën 13:00 nga vëzhguesit e Qëndresës Qytetare janë vëne re problematikat e mëposhtme:

• Pezullimi i procesit në 532 qendrat e votimit, ku pajisjet e identifikimit elektronik nuk punuan, ndikoi në dekurajimin e qytetarëve për të ushtruar të drejtën e votës.

• Presion dhe intimidim nga drejtues të administratës dhe kandidatë për zgjedhjet lokale ndaj qytetarëve në bashkitë Elbasan, Tiranë, Kukës dhe Durrës, brenda dhe në oborret e qendrave të votimit.

• Janë evidentuar raste të votimit familjar në bashkitë Shkodër, QV. 266, 2122/00, 313/1 dhe në Bashkinë Tiranë QV 1996/1. Problematika gjithashtu në këto qendra janë vënë re edhe në pozicionimin e dhomës së votimit, e cila ekspozon votuesin kah vëzhguesve dhe komisionerëve në lëvizjet e dorës gjatë procesit të votimit.

• Vëzhguesit e partive shënojnë ID-të e votuesve, pas përsëritjes me zë të lartë të kodit të votimit nga e komisioneri pas verifikimit në pajisjen PEI, duke intimiduar zgjedhësit.
• Në Bashkinë Kukës Drejtori i Burgut të Kukësit ka shoqëruar në qendrën e votimit të burgosurit duke qëndruar pranë tyre gjatë procesit të votimit në QV – 0647.

• Vihet re prezenca e numrit të lartë të personave të paautorizuar ose me bage, jo nga KQZ të cilët shoqërojnë, orientojnë dhe komunikojnë me votues. Ky fenomen është evidentuar në QV 266, 276/ Shkolla Prenk Jakova, QV 2464, 2454/1, 2361/00 Elbasan, Shkolla Edith Durham, Shkolla Dëshmorët e Prishtinës, tek QV 309/1 dhe 310.

• Janë evidentuar raste të përdorimit të aparateve celularë brenda qendrave të votimit dhe tentativave për të fotografuar votën, konkretisht në QV 732, 734, 741, 734/1, 741/1 në Lezhë.

• Në QV 1357 në zonën e Yzberishtit në Tiranë janë penguar vëzhguesit dhe përfaqësuesit e medias për të vëzhguar procesin e votimit me justifikimin e hapësirave të ngushta.

Advertisement