Atentati ndaj ish deputetit socialist/ Komisioneri demokrat: Arben Prenga më rrahu me grushte
Zbardhen detaje të reja nga sherri mes komisionerëve në Kurbin që solli atentatin ndaj ish-deputetit të Partisë Socialiste Armando Prenga ditën e sotme. Gazetarja Klodiana Lala shkruan se për dhunimin e komisionerëve të Partisë Demokratike, mes tyre dhe Islam Ismajlit, babait të të riut që qëlloi me armë në drejtim të mjetit të Prengës, ka pasur dhe një kallëzim në polici. Ka qenë vetë Ismaili që u është drejtuar bluve në Kurbin dhe ka treguar se dy persona me kapele e kanë kërcënuar dhe i kanë kërkuar të mos merret me fushatë.
“Rreth orës 16:00 të datë 05.05.2023 dy persona te panjohur me pak mjekër dhe me kapele në kokë me përshëndetën para bar-kafe “Dublini” në Laç dhe mu drejtuan me fjalët” A ka mundësi një minutë?“ Unë i pyeta “çfarë problema ka?” dhe ata u përgjigjën me fjalët “Mos u merr me fushatë se mund të kesh pasoje“ dhe në këtë moment u larguan pa më thënë gjë tjetër,”- ka deklaruar Ismajli.
Në kallëzimin e plotë tregon dhe në mënyrë kronologjike ngjarja. Islam Ismajli, i cili është edhe avokat është përplasur me Arben Prengën, vëllain e ish-deputetit Armando Prenga. Incidenti ka ndodhur gjatë numërimit të votave. Ai thotë se në dy orët e fundit të numërimit të votave, KZAZ-ja është mbushur me zyrtarë të Kurbinit dhe se janë dhunuar edhe persona të tjerë. Ai përmend Lekë Mollën, Gjergj Gegën, të dy komisionerë të PD-së, të cilët sipas tij janë goditur dhe skenën e ka parë edhe vetë kryebashkiakja Majlinda Cara.
Islam Ismajli thotë gjithashtu se ka konstatuase se në çdo kuti kishte nga 1 deri 3 fletë më shumë se numri i votuesve që kanë marrë pjesë në votim në referencë me numrin e zgjedhësve në listën zgjedhore. Por në momentin që e ka denoncuar publikisht këtë gjë përballë komisionit, i është afruar Armando Prenga e një tjetër persona dhe kanë nisur ta godasin me grushte. Ai shton se Prenga është edhe i afërm i kryebashkiakes Cara.
Denoncimi i Islam Ismajlit:
Gjithashtu un konstatova se në oborrin e qendrave të votimit dhe në afërsi të rrugëve të qendrave të votimit kishte zyrtare të Bashkisë Kurbin dhe Njësive Administrative. Në raport me këtë pashë unë njoftova KZAZ-në Nr.15 në Lac Kurbin dhe u reduktua numri i të pranishmëve në këto qendra menjëherë. Rreth dy orë para mbylljes së votimit pati përsëri dyndje të zyrtarëve të Bashkisë Kurbin. Rreth pak nga mesdita u njoftova se ka ndodhur një incident i rëndë te Kopshti nr.1 lagja nr.2 në qytetin e Laçit. Me sa më kanë thënë personat të cilët ishin prezent aty ka shkuar vetë kandidatja, kryetarja në detyrë e Bashkisë Kurbin shtetasja Majlinda Cara e shoqëruar nga 7-8 zyrtarë dhe një mbështetës i saj në ambientet jashtme të kopshtit, në rrugën përballë ka goditur me grushte shtetasin Lekë Molla.
Gjithashtu në ambientet e brendshme të kopshtit është shtyrë dhe përplasur në tokë komisioneri Gjergj Gega. Është pezulluar funksionimi i qendrës së votimit te Kopshti Nr.1 përreth 40 minuta dhe Policia e Shtetit nuk ka marrë asnjë masë për këtë ngjarje. Pasi personi i cili ka goditur komisionerin në ambientet e brendshme te kopshtit gjendet akoma i lirë. Rreth orës 23:30 të datës 14.05.2023 jam paraqitur në ambjentet e KZAZ-së Nr.15 në qytetin e Laçit në palestrën e gjimnazit Gjin Pjetri dhe kam marrë pjesë si vëzhgues në tavolinën e grupit të numërimit, me numrin 4 dhe kam vazhduar pranë këtij grupi numërimin e katër kutive të votimit të zonës së Bashkisë Laç dhe gjatë numërimit konstatova se në çdo kuti kishte nga 1 deri 3 fletë më shumë se numri i votuesve që kanë marrë pjesë në votim në referencë me numrin e zgjedhësve në listën zgjedhore.
Këtë problem unë kam bërë prezent dhe kërkova nga komisionerët e numërimit që të bëhej shënimi sipas ligjit në procesverbalet përkatëse dhe në tabelën përfundimtare te këtyre kutive. Vetëm në një rast në kutin e dytë që un kam qenë vëzhgues u shënua ky fakt për një votë ndërsa për te tjerat është bërë një rakordim midis komisionerëve. Jam larguar nga KZAZ-ja në orën 03:00 të mëngjesit të datës 15.05.2023 pasi isha i lodhur dhe jam zëvendësuar nga një vëzhgues tjetër dhe jam paraqitur përsëri rreth orës 10:30 të datës 15.05.2023 në KZAZ-në Nr.15 në qytetin e Laçit ku ka numërimi i një kutie të re dhe nga numërimi rezultoi se nuk rakordoi numri i pjesëmarrësve në zgjedhje me numrin e fletëve të numëruara pasi rezultonin dy fletë më tepër.
Në këtë moment un ngrita gishtin dhe kërkova që komisioni zonal ta verifikonte këtë pretendim që un kisha dhe komisioni ishte i ngarkuar me punë të tjera pasi nuk po më kushtonte vëmendje. Në këtë moment komisioni i numërimit filloi të fuste letrat nëpër zarfe dhe un u kam thashë që mos ti fusin këto letra pasi duhet verifikohej nga Komisioni Zonal dhe në këtë moment me thotë vëzhguesi i partisë socialiste se dy fletët tepër ia kemi kaluar kandidatit shtetasit Behar Haxhia për të cilin un vëzhgoja. Në fakt komisionerët nuk i mbyllën zarfet dhe un po qëndroja në këmbë duke pritur reagimin e komisionit dhe në këtë moment më afruar një person i cili me sa kam u dijeni i është vëllai i shtetasit Armando Prenga i cili quhet Arben Prenga dhe më ka gjuajtur me grushte në pjesën e veshit në anën e djathtë dhe në këtë kohë më ka goditur në pjesën e brinjëve në anën e djathë të trupit tim si dhe më ka tërhequr nga xhaketa edhe vëzhguesi i partisë socialiste të cilit nuk ja di emrin që ishte i ulur në krahun tim të djathtë. Un u përpoqa që ti zmbraps sulmet e tyre dhe në këtë moment ndërhyn shumë persona ku pjesa me madhe ndërhyn për të ndarë konfliktin. Me sa mbaj mend më ka goditur edhe një person tjetër të cilin nuk e kam mundur ta fiksoj.
Me sa kam dijeni shtetasi Arben Prenga dhe personi të cilin nuk e fiksova janë pjesëtarë me lidhje gjaku të fisit të kandidates, shtetases Majlinda Cara. E gjithë kjo situatë është e filmuar nga kamerat e ambienteve të brendshme të KAZAZ-së Nr. 15 në qytetin e Laçit. Pas kësaj situate njerëzit na kërkuan që të dilnim jashtë KZAZ-së dhe në këtë moment në largimin e personave që më sulmuan ka ndërhyrë policia e Shtetit në mënyre shembullore për këtë çast dhe ndërkohë komisioni dha urdhër që të largoheshin të gjithë personat, vëzhgues dhe gazetarë jashtë ambienteve të KZAZ-së. Në fillim dolën personat që më sulmuan ndërsa punonjësit policisë më kanë thënë që të qëndroja në një cep që ata të zbatonin urdhrin për të nxjerrë personat e tjerë nga KZAZ-ja.
Unë në këtë kohë iu drejtova komisionit zonal zgjedhor që të bënte njoftim dhe kallëzim penal në Komisariatin e Policisë Kurbin dhe u drejtova punonjësve të Policisë se cili person do të më shoqëronte mua pasi personat që më sulmuar ndodheshin në oborrin e KZAZ-së dhe pse ata i lanë që të largoheshin këta perona e nuk i kanë shoqëruan në Komisariat. Dua të sqaroj se nga ana e Policisë nuk është bërë ndalimi i këtyre personave ku veprimet e tyre janë të regjistruar në kamerat e KZAZ-së Nr.15.Un prita disa orë që Policia të kryente veprimet hetimore dhe më pas u paraqita vet në Komisariatin e Policisë Kurbin për të bërë kallëzim
Hyri fshehurazi për të vjedhur shtëpinë, kapet në flagrancë 22-vjeçari
Arrestohet për vjedhje një 22-vjeçar në Lushnjë. Mësohet se 22-vjeçari E.D është kapur në flagrancë teksa ndodhej në katin e dytë të një banese për të vjedhur.
I riu ka qenë i dënuar më parë për të njejtën vepër penale.
Njoftimi i Policisë:
Lushnjë
U kap në flagrancë, në banesën ku kishte hyrë për të vjedhur, vihet në pranga 22-vjeçari.
Si rezultat i ndërhyrjes së shërbimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë, menjëherë pas njoftimit nga një shtetas, se po tentohej të vidhej në banesën e tij, në lagjen “Skënder Libohova”, u bë i mundur arrestimi i autorit të këtij rasti:
E. D., 22 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje.
Shërbimet e Policisë e kapën 22-vjeçarin në flagrancë, në mbrëmje, në katin e dytë të banesës ku kishte hyrë për të vjedhur.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”, mbetur në tentativë.
U përjashtua 15 vite nga sistemi i drejtësisë, shtyhet mbledhja e KLP për “fatin” e Alfred Ballës
Shtyhet mbledhja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë ku do të përcaktohet nëse Alfred Balla mund të qëndrojë ose jo në funksionin e kryetarit të KLP-së, pas vendimit të dhënë nga KPA që vendosi nxjerrjen e tij nga sistemi për 15 vite, bazuar në procesin e vetting.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se Komisioni me 3 anëtarë do të bëjë relacion dhe do të informojë këshillin se kur do rimblidhen.
Balla nuk ishte i pranishëm në mbledhje.
Mbledhja e KLP është thirrur nga nënkryetari Tartar Bazaj, ndërsa ajo do të mbahet në orën 11:00, ku të pranishëm përveç anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pritet të jenë edhe përfaqësues të organizmave ndërkombëtare që monitorojnë funksionimin e institucioneve të drejtësisë.
Alfred Balla drejton KLP nga momenti që mandati i Gent Ibrahimit përfundoi, ndërsa më parë mbante funksionin e nënkryetarit të Këshillit. Ballës i ka përfunduar mandati i anëtarit të KLP-së prej disa muajsh, por vijon të qëndrojë në detyrë deri në momentin që do të zgjidhen anëtarët e rinj, nga radhët e shoqërisë civile
“Kjo mbledhje do të organizohet në sallën e mbledhjeve të Këshillit, në prezencë të Anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe të ftuar përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm dhe Programet EU4JUSTICE dhe OPDAT. Media si gjithmonë është e ftuar të jetë e pranishme. Diskutimi i ndikimit ose jo të vendimit Nr.23, datë 21.05.2024 të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit mbi statusin e anëtarit të KLP-së, të zgjedhur nga Parlamenti si pjesë e Shoqërisë Civile Shqiptare, zotit Alfred Balla”, thuhet në njoftimin e KLP.
KPA vendosi pak ditë më parë të nxjerrë nga sistemi i drejtësisë Alfred Ballën, ndonëse më parë përmes procedurave ai tentoi të mos kalonte vetting, duke pretenduar se nuk gëzonte statusin e magjistratit në momentin që kishte nisur procesi ndaj gjyqtarëve, prokurorëve dhe ndihmësve ligjorë, funksion që Balla e ka kryer në Gjykatën e Lartë. Kreu në detyrë i KLP-së ka reaguar ashpër ndaj vendimit të KPA, ndërsa paralajmëroi se do e çojë në Strasburg, pasi pretendon se largimi i tij nga sistemi i drejtësisë bie ndesh me Kushtetutën.
Pretendimet:
Të nderuar kolegë,
Kjo mbledhje po zhvillohet mbi kërkesen e tre anëtarëve, për diskutimin e deklarimit ose jo të mbarimit të mandatit tim, për shkak të vendimit të dhënë nga 3 prej 5 anëtarëve të KPA-së, përpara disa ditësh.
Duke qenë një rast i veçantë i paparashikuar nga Kushtetuta dhe ligji organik dhe një vendim që cënon drejtpërdrejt interesat e mia, duhet të dëgjohem paraprakisht nga ky Këshill.
Nuk do të ishte serioz dhe profesional përdorimi i një vendimi jopërfundimtar të organeve të rivlerësimit, me plotësimin e tij për zbatimin e nenit “G” të Aneksit të Kushtetutës, pa u analizuar i gjithë vendimi i arsyetuar (ende nuk është zbardhur për fat të keq/është vënë në dispozicion arsyetimi i përmbledhur) e në uniformitet me të gjitha dispozitat kushtetuese dhe ligjet e tjera organike dhe rrethanat faktike të rëndësishme.
Përveç momenteve juridike që ju kam nisur me email, ku analizoj se nuk ndodhem në kushte të papajtueshmërisë dhe pazgjedhshmërisë sipas parashikimeve të Kushtetutës dhe ligjit, dua t’ju tërheq vëmendjen edhe për faktin se janë disa momente shumë të rëndësishme ligjore që duhet të ketë parasysh Këshilli, si në respekt të lartësisë së institucionit, ashtu edhe të të drejtave të mia kushtetuese.
Këshilli duhet të ketë parasysh se, unë jam anëtar i KLP-së i zgjedhur nga Kuvendi prej përfaqësuesve të shoqërisë civile shqiptare që më ka mbaruar mandati ligjor 5 vjeçar prej datës 18.12.2023 dhe që aktualisht po qëndroj në detyrë.
Mandati im si anëtar i KLP-së si dhe ai i dy anëtarëve të tjerë jo magjistratë (Z.Bazaj dhe Znj.Seiti) të zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë, ka mbaruar me plotësimin e afatit 5 vjeçar të parashikuar nga Kushtetuta. Për këtë mandat kemi dhe vendimarrje të Këshillit ku kemi përcaktuar se kur mbaron mandati i seicilit (vendimi i KLP-së Nr.213, datë 13.10.2020 “Për përllogaritjen e mandatit të anëtarit të Këshillit” i cili u mor me kërkesën e Kuvendit dhe shprehet për mandatin tonë).
Për këtë, qëllim me vendimin Nr.2 datë 19.07.2023 të Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit ka filluar edhe procedura për zgjedhjen e anëtarëve të rinj. Pikërisht referuar edhe akteve të Kuvendit në vijim dhe Kushtetutës e ligjit, ne konsiderohemi si anëtarë që na ka mbaruar mandati dhe jemi anëtarë në detyrë deri në emërimin e pasardhësit.
Pikërisht, në lidhje me kërkesën e paraqitur dhe vendimin e KPA-së, duhet të analizohet prej jush dhe të diskutohet prej Jush
Momenti i mbarimit të mandatit tim dhe shkaku i mbarimit të këtij mandati, pra data 18.12.2023, për shkak të mbarimit të afatit 5 vjeçar apo data e sotme për shkak të vendimit të KPA-së, shkak të cilin do e përcaktoni Ju, se ku parashikohet, në cilin rast të nenit 149/b të Kushtetutës?
Më tej, nga interpretimi i nenit 149/b të Kushtetutës (dy paragrafeve të fundit të saj) nuk del e qartë se, në lidhje me vazhdimin e qëndrimit në detyrë, tashmë duhet të shprehet ky Këshill, apo organi i emërtesës sime që është Kuvendi i Shqipërisë, apo Gjykata Kushtetuese?
Problemi tjeter ligjor është nëse me ka mbaruar mandati dhe ekzistojnë shkaqe pazgjedhshmërie, cili organ është kompetent për t’u shprehur në lidhje me vazhdimësinë në detyrë apo jo?
Në rastin e magjistratëve, ligji për statusin e përcakton në nenin 66, se kur janë shkaqet e pazgjedhshmërisë dhe papajtueshmërisë dhe cili organ i konstaton dhe cili organ vendos për fatin e magjistratit. Në rastin e anëtarëve të KLP-së kjo gjë nuk është e sqaruar por për analogji organi emërtesës duhet ta kryej dhe jo Këshilli.
Problem tjetër ligjor është nëse vendimi i KPA-së, është nga ata vendime që duhet zbatuar menjëherë, sipas parashikimeve kushtetuese?
Vendimi i 3 nga 5 prej anëtarëve KPA-së edhe pse është shprehur se është përfundimtar dhe i menjëhershëm, nuk është një vendim përfundimtar dhe për më tepër i menjëhershëm si ai i parashikuar në nenin “F” pika 5 të aneksit të Kushtetutës, ku thuhet e zeza mbi të bardhë se (Vendimi përfundimtar që urdhëron shkarkimin nga detyra, hyn në fuqi menjëherë. )
Ju kujtoj se, vendimet e mëparshme të KPA-së që kanë sjellë mbarimin e mandatit të anëtarëve magjistratë, kanë qenë vendime për shkarkimin e tyre nga detyra, me efekt të menjëhershëm të parashikuar shprehimisht në Kushtetutë dhe në ligjin Nr.84/2016. Qenia e tyre prokuror ka pasur lidhje të drejtperdrejtë me qenien anëtar Këshilli, pra është shkak zgjedhshmërie.
Po kështu, referuar përmbajtjes së vendimit me shumicë votash të KPA-së, arsyet e ndalimit për emërim, janë shkaqe të tjera nga ato që lidhen me zgjedhjen si anëtar jo magjistrat i KLP-së.
Anëtari i KLP-së, të cilit i ka mbaruar mandati nuk mund të qëndrojë në detyrë pas mbarimit të afatit, nëse vërtetohen kushtet e pazgjedhshmërisë dhe papajtu-eshmërisë në ushtrimin e funksionit. Pra, kur provohet se, ka pasur kushte penguese për t’u zgjedhur anëtar i KLP-së dhe ato janë vërtetuar më pas.
Pikërisht, ky parashikim i ri i bërë në Kushtetutë në vitin 2016, ka pasur për qëllim t’u jepte zgjidhje atyre situatave hipotetike që mund të ndodhin në praktikë kur një person zgjidhet si anëtar i Këshillit, por më vonë (pas disa muajsh ose vitesh, në çdo rast përpara përfundimit të mandatit) rezulton se, nuk duhej të ishte zgjedhur, pasi në të vërtetë nuk i plotësonte kushtet për t’u zgjedhur.
Nevoja për zbatimin e kësaj dispozite mund të lindë p.sh. në ato raste kur vendimi i Kuvendit për emërimin e një anëtari është marrë bazuar mbi fakte të pavërteta, që nuk kanë mundur të verifikohen në kohën e emërimit (p.sh. kandidati ka gënjyer për sasinë e viteve të punës ose për mungesën e angazhimit në politikë, etj., dhe organi i emërtesës nuk ka arritur ta kuptojë të vërtetën) ose kur p.sh. kanë ndodhur shkelje të rënda procedurale në veprimtarinë e institucioneve të emërtesës etj…
Është problem ligjor edhe analiza dhe vleresimi nëse janë provuar kushtet e pazgjedhshmërisë, që kërkon Kushtetuta me këtë vendim apo jo?
Vendimi me shumicë votash i KPA-së që po trajtohet, është marrë duke pasur parasysh që nuk mund të hetonte në lidhje me veprimtarinë e anëtarit jomagjistrat të KLP-së, për shkak të mungesës së juridiksionit, por çfarë është e rëndësishme, nuk ka vërtetuar asnjë fakt që të ishte shkak pazgjedhshmërie nga ato të nenit 149 të Kushtetutes dhe nenit 52 të ligjit Nr.115/2016.
Zgjedhshmëria e funksionarëve të organeve kushtetuese është lëndë kushtetuese, që vetë Kushtetuta e ka orientuar në procedura të përcaktuara rigorozisht. Këto procedura janë të përcaktuara jo vetëm në drejtim të organit që i shqyrton në instancë të parë çështjet e zgjedhshmërisë…
… Gjykata Kushtetuese kontrollon zgjedhshmërinë e funksionarëve kushtetues sipas nenit 131, pika 1, shkronja “e”, të Kushtetutës, por ky kontroll kryhet sipas procedurave të përcaktuara nga Kushtetuta dhe ligji, duke u vënë në lëvizje nga subjektet e parashikuara për paraqitjen e kërkesës pranë Gjykatës Kushtetuese për këtë lloj procedure…,
Nga ana tjetër Kushtetuta ka parashikuar se kur është i papajtueshëm funksioni i anëtarit të KLP-së: Neni 149/ç (Shtuar me ligjin nr.76/2016, datë 22.7.2016) i cili thotë:
“Qenia Prokuror i Përgjithshëm, prokuror ose anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër shtetërore ose politike, si dhe me veprimtari profesionale që ushtrohet kundrejt pagesës, me përjashtim të aktivitetit mësimdhënës, akademik ose shkencor.”
Vendimi më ndalon mes të tjerave të rizgjidhem anëtar i KLP-së, por aktualisht këtë e ndalon vetë Kushtetuta, për rizgjedhje (kur thotë pa të drejtë rizgjedhjeje të njëpasnjëshme).
Ky vendim, për zbatimin e nenit “G” të Kushtetutes, si parashikim plotësues i një vendimi jopërfundimtar të organeve të rivlerësimit, ka efekt për procedurat e ardhshme, gjithmonë nëse konsiderohet si i marrë gjatë një procesi të rregullt e një gjykimi të drejtë edhe nga vendimi përfundimtar që do japi në Strasburg, GJEDNJ-ja.
Të nderuar, edhe pse në pamje të parë duket si një qëndrim i thjeshtë që duhet të mbajë Këshilli, sërish është një proces administrativ, ku duhet të respektohet e drejta ime kushtetuese për t’u dëgjuar e mbrojtur, e drejtë kjo që detyron Këshillin si organ kushtetues të analizojë dhe vlerësojë të gjitha pretendimet e mia ligjore, qoftë duke marrë edhe mendimin e Kuvendit, apo ekspertëve të të drejtës kushtetuese.
Të nderuar Zonja e Zotërinj Kolegë:
Në gjithë karrierën time 34 vjeçare kam menduar gjithmonë që të mos bëj kompromis me dinjitetin profesional e me lirinë personale.
Nuk ma merrte mendja që 1 vendim administrativ lirimi nga detyra i një drejtuesi të një organi të drejtësisë që lamë pas, të më penalizonte dy herë, një herë për shkarkim dhe herën e dytë si preteks shkarkimi.
Për 5.5 vite që nga dita e parë e krijimit të këtij institucioni të ri, besimin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë që më ka zgjedhur, besoj e kam vlerësuar maksimalisht me punën time dhe po ashtu dinjitetin e Shoqërisë Civile e kam përfaqësuar më së miri.
Tribun lirie ka qenë niveli i KLP-së përgjatë viteve që kam drejtuar, me qëllim rritjen e besimit të publikut tek drejtësia. Si përfaqësues i shoqërisë civile dhe për pasojë edhe i medias së lirë, kam luftuar që Këshilli të jetë sa më transparent kjo si pjesë institucionale e garancisë kushtetuese të tij. Dhe jam betuar të garantoj deri orën e fundit këtë standard transparence.
Jam ndier mirë që përgjatë këtyre viteve kam votuar si anëtar e kam iniciuar si kryetar, çdo deklaratë në mbrojtje të prokurorëve të Republikës nga çdo presion joligjor e kriminal në përmbushje të detyrës së shenjtë të tyre.
Detyra jonë e parë dhe më e rëndësishme që kemi përmbushur të gjithë ka qenë krijimi i Prokurorisë së Posaçme me impenjim maksimal që të zgjidhnim më të mirët në vend dhe ja koha tregoj se ata po luftojnë fuqimisht krimin duke qenë më të mirët.
Si kryetar i Komisionit të Vlerësimit, si zv Kryetar Këshilli por edhe si Kryetar i KLP-së kam qenë personalisht dhe në mëyrë institucionale mjaftueshëm bashkëpunues me organet e rivlerësimit kalimtar në vend por edhe me partnerët ndërkombëtarë.
Sa herë jam larguar nga një vend pune ose ushtrim detyre, mendoja që ditën e largimit vetëm të kem guximin moral të shoh në sy kolegët dhe gjithë kolektivin dhe kësaj ja kam arritur. Edhe me punën time në Këshill besoj dhe i shoh drejt në sy ju dhe gjithë prokurorët e Republikës me mendimin e vetëm nëse kam arritur ti ndihmoj sadopak në këto vite të vështira për ta.
Nuk e përjashtoj mundësinë që një pjesë e qejfmbetjes ndaj meje vjen edhe si reagim i mbrojtjes publike në media e kudo, që unë i kam bërë prokurorëve e sidomos 5 ish anëtarëve të KLP-së të shkarkuar nga KPA-ja, ku për dy prej tyre deri tani ka vendime pozitive prej Gjykatës së Strasburgut.
I përkas brezit të studentëve të idealeve të Dhjetorit që ka kaluar gjithë fazat e Shqipërisë në këto 50 vite, duke u munduar të jap kontributin tim në këtë vend pa u larguar prej tij.
Do të kërkoja prej Jush të më respektohen të drejtat e mia kushtetuese për tu dëgjuar jo vetëm formalisht, por edhe të analizoni e vlerësoni të gjitha problemet ligjore, që kanë lindur per shkak të konfuzionit të vendimit të 3 prej 5 anëtarëve të KPA-së, pasi nuk jeni para një vendimi të shkarkimit të një magjistrati dhe për pasojë deklarimin e mandatit të tij për shkak të ligjit, si në rastet e trajtuara më parë nga ky Këshill (Sevdari, Cani, Dollapaj etj.)
Sikundër kam mbrojtur kolegët e mi prokurorë (ish anëtarë të KLP-së) me besimin se e drejta e tyre do rivendosej nga Strasburgu, ashtu vazhdoj të besoj tek kauza ime e drejtë dhe kam bindjen se do triumfoj!
Nuk kërkoj mbrojtje dhe as mbështetje tej ligjit prej kolegëve, sepse në jetën time mbështetja e vetme që kam patur ështa e vërteta dhe mos humbja e dinjitetit.
EMRAT/ Lumi Osum u merr fuoristradën para, shpëtohen mrekullisht dy persona në Poliçan
Një ngjarje e rëndë është regjistruar gjatë orëve të para të mëngjesit në fshatin Malinat në bashkinë e Poliçanit.
Një automjet, tip Ford Fuoristradë, me targa AA 357 LN, në përpjekje për të kaluar lumin midis fshatit Mbrakull dhe Malinat,ka ngecur në ujë.
Rrymat dhe rrjedha lumit e kanë marrë fuoristradën përpara,duke e fundosur atë. Mësohet se shoferi i mjetit ka mundur të dalë nga mjeti dhe me not ka dalë në breg për të kërkuar ndihmë, ndërkohë që dy shtatasit e tjerë që udhëtonin me të në mjet: Ilir Ballolli,Taulant Bakushi, kanë mbetur të kapur mbi baxhanë e makinës.
Pas sinjalizimit të marrë për ngjarjen në orën 02:30 të mëngjesit, në zonë kanë shkuar efektivë të shumtë të Repartit Zjarrëfikës të Beratit dhe efektivë të policisë,që kanë bërë të mundur shpëtimin e jetës së banorëve të bllokuar në mes të rrjedhës së lumit Osum.
Dy shtetasit e bllokuar janë lokalizuar fillimisht nga zjarrfikësit, që kanë hyrë në lumë me not, i kanë lidhur ata me litar dhe më pas kanë filluar tërheqjen e tyre nga uji.
Gjatë aksionit për shpëtimin e dy shtetasve, një efektiv i zjarrfikësve të Beratit ka rrezikuat Seriozisht jetën, pasi rrymat e forta të lumit e kanë tërhequr drejt rrjedhës.
Policia Kufitare ka bërë kontrolle të imtësishme në vijën bregdetare.
Si rezultat i kontrolleve, janë bllokuar dy Jet Ski, që nuk kishin dokumente. Gjithashtu, janë ndëshkuar edhe drejtuesit e mjeteve lundruese, me një gjobë prej 10 mijë lekë të rinj secili.
Njoftimi:
Policia Kufitare
Plan masash për ushtrimin e kontrolleve intensive në të gjithë vijën bregdetare, ndaj mjeteve lundruese, kryesisht ndaj atyre të argëtimit, për verifikimin e zbatimit të ligjit dhe të rregullave të lundrimit.
Në zbatim të planit të masave, Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare kanë nisur kontrollet intensive përgjatë gjithë vijës bregdetare, liqenore dhe lumore, për verifikimin e dokumentacionit të mjeteve lundruese.
Si rezultat i kontrolleve në Durrës, nga Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare, janë konstatuar 2 mjete lundruese argëtimi Jet Ski. Gjatë verifikimit të dokumentacionit ka rezultuar se asnjëri prej mjeteve lundruese nuk kishte dokumentacion dhe për këtë arsye Policia Kufitare ka bërë bllokimin e të 2 mjeteve lundruese, si dhe ka ndëshkuar me masën administrative 10 000 lekë, secilin nga drejtuesit e tyre.
Policia Kufitare apelon për pronarët dhe për përdoruesit e mjeteve lundruese, që të zbatojnë me korrektesë, kërkesat ligjore për daljen në det, për pajisjen me dokumentacionin përkatës dhe respektimin e zonave të sigurisë së pushuesve në plazhe.
Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare janë të angazhuara maksimalisht për të garantuar sigurinë në plazhe dhe në këtë kuadër, do të intensifikojnë kontrollet dhe monitorimin nga toka dhe në det, të të gjithë vijës bregdetare.
Ftojmë qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast paligjshmërie, duke iu garantuar anonimat, reagim të shpejtë dhe profesional.