Rajon
Raporte të reja Serbi-SHBA/ Por Amerika po mashtron veten
SHBA-ja ka zvogëluar kritikat për shtetin më antiamerikan të rajonit, Serbinë, në lidhje me Kosovën dhe përgjithësisht qëndrimeve të saj. Diplomati serb Marko Gjuriç flet për muaj mjalti nëpër të cilin po kalojnë amerikanët dhe serbët.
Nga ana tjetër, profesori amerikan, Daniel Serwer, i sheh raportet e tanishme të tyre si zgjuarsi të Serbisë në diplomaci dhe lobim dhe se SHBA-ja po e mashtron veten me orientimin e aleates historike të Rusisë.
Administrata e Presidentit Biden ishte shpresë për Lëvizjen Vetëvendosje, që doli nga një luftë e hapur me Administratën Trump dhe rifitoi pushtetin. Në krye të diplomacisë amerikane u vendos Antony Blinken, që po ashtu, hynte në listën e miqve të Prishtinës, ndërsa në Serbi u dërgua ambasador një prej veteranëve të diplomacisë, Christopher Hill, që kishte përkrahur bombardimin e Serbisë. Me gjithë këtë formacion, llogaritej se “yjet” do të ishin anën e Kosovës.
Por, përgjatë këtyre dy vjetëve, zyrtarët amerikanë, jo rrallë, i kanë dhënë kritika Kosovës dhe merita Serbisë. Të gjitha këto kanë patur lidhje me dialogun mes dy shteteve dhe me zhvillimet në Kosovë.
Daniel Serwer, i cili ndjek zhvillimet në rajon, thotë se Serbia ka vepruar me mençuri në diplomaci dhe në lobim, për të përmirësuar raportet me SHBA-në. Gjithsesi ai nuk gjen dot arsye që mund ta bëjë SHBA-në të lavdërojë qasjen e Serbisë karshi Rusisë dhe Ukrainës.
“Amerikanët janë duke mashtruar veten” – thotë Serwer dhe sipas tij, në Amerikë, ndonëse nuk pajtohen me Serbinë në lidhje me statusin e Kosovës, tani diplomacia e SHBA thotë se mund të diskutohet për këtë çështje, madje, siç thotë Serwer, Serbia “dëgjohet dhe kuptohet”.
Në këtë kuptim, për të zbutur raportet mes dy vendeve që në zemër të mospajtimeve kanë edhe bombardimet e NATO-s me në krye SHBA-në, tani po përkujdeset ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill.
Madje, ai, në emër personal, ka shprehur keqardhje që kishte ndodhur një episod i tillë I hidhur mes dy vendeve.
Diku në dhjetor të vitit të kaluar Hill, i pyetur për bombardimet e Aleancës Veri Atlantike, kishte deklararur se personalisht “i vjen keq” dhe shtoi se Serbia duhet të marrë mësime nga e kaluara dhe s’duhet të mbetet peng i saj