Connect with us

Kosova

Osmani në Mal të Zi: Me Milatoviç do të diskutojmë për të drejtat e shqiptarëve

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të autoriteteve shtetërore të Malit të Zi, krahas presidentëve të rajonit, sot mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri, Jakov Milatoviç.

Presidentja Osmani ka uruar homologun Milatoviç për detyrën dhe ka potencuar se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve janë të ndërtuara mbi vlerat e përbashkëta demokratike, besimin e ndërsjellë dhe historinë e lidhjeve të fuqishme të popujve dhe shteteve.

Ajo i tha mediave se Milatoviç në fjalimin e tij të betimit ka potencuar se është i interesuar të vazhdoj raportet e mira me të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor dhe integrimin në Bashkimin Evropian dhe kjo është ajo që na bashkon.

“Presidenti ka potencuar se është i interesuar të vazhdoj raportet e mira me të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor dhe integrimin në Bashkimin Evropian dhe kjo është ajo që na bashkon. Është shumë me rëndësi që në takimet tona të ardhshme të diskutojmë edhe si Mali i Zi do të respektojë të drejtat e shqiptarëve, do të avancoj të drejtat e shqiptarëve”, tha ajo.

Presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Millatoviç bëri sot betimin në Kuvend, duke marrë zyrtarisht detyrën e presidentit. Ai tha se procesi i Berlinit për vendin e tij mbetet ura kryesore ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Brukselit, por gjithashtu mund të edhe nismat ekonomike rajonale. Millatoviç shtoi se anëtarësimi i vendit të tij në Bashkimin Evropian është prioritet i të gjitha prioriteteve dhe se afrimi i rajonit tonë drejt BE-së, është ilaçi më i mirë kundër rishpikjes së politikave destruktive të së shkuarës.

Millatoviq e bëri betimin në inaugurim para deputetëve dhe mysafirëve të shumtë. Në mesin e të ftuarve janë liderët e vendeve të rajonit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, si dhe anëtarët e presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviç dhe Zheljko Komshiç. Në inaugurim po ashtu kanë marrë pjesë përfaqësues të autoriteteve ekzekutive dhe gjyqësore dhe të trupit diplomatik në Mal të Zi, si dhe ish-presidentë të shtetit, Qeverisë dhe Kuvendit. Aty u panë edhe të dërguarit special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Stuart Peach.

Advertisement