Connect with us

Shkrime

Berisha dhe “Foltorja”, një udhëtim për në Polin e Veriut…

Nga Fitim Zekthi

Kjo që ndodhi me zgjedhjet lokale, humbja e thellë gati e padëgjuar në një shkallë të tillë askund në botë (nga 61 njësi të fitosh 7 dhe të qeverisësh vetëm 5% të popullsisë), nga ana e lëvizjes së Foltores e cila ishte forca kryesore opozitare që u përball me Partinë Socialiste në këto zgjedhje, ishte diçka që pritej, ishte diçka që nuk kishte ndonjë diskutim fare. Gjërat e palogjikshme sidomos kur janë kundër kohës dhe historisë nuk mund të kenë kurrë sukses.

Lëvizja e z.Berisha ishte që në krye të herës një lëvizje kundër logjikës. Ai tha se do të shpëtonte Partinë Demokratike nga shitja dhe shkatërrimi që i kishte bërë Basha në momentin kur Basha e pezulloi nga grupi parlamentar. Deri në atë kohë ai kishte qenë mbështetësi më i madh i Bashës për 8 vite në krye të PD-së. Berisha sulmoi institucionet e PD-së duke i quajtur, ngriti në mënyrë paralele institucione dhe tha se ato që ai ngriti ishin të vetmet të ligjshme. Ai dhe lëvizja e tij sulmoi ambasadoren amerikane si të korruptuar, ambasadorin britanik si të korruptuar dhe si njerëz që i shërbenin kryeministrit Rama në një kohë që qeveria amerikane disa herë tha se ambasadorja përfaqësonte presidentin dhe qëndrimet e qeverisë amerikane. Berisha cilësonte të vërtetë të vetme vetëm atë që ai dhe lëvizja e tij thoshte. Ai sulmoi fizikisht godinën e PD-së duke pretenduar jo vetëm ligjshmërinë e vendimeve të asaj që ai zhvilloi në stadium por edhe duke njohur të drejtën, se vendimet mund të vendosë ai vetë t’i ekzekutojë kur dhe si të dojë.

Kushdo që pati një mendim tjetër, kushdo që mendoi apo tha se lëvizja e Foltores ishte gabim, nuk i shërbente vendit, nuk mund të përdorej ajo gjuhë kundër ambasadores, nuk mund të sulmoheshin si të korruptuara nga Rama dhe Soros vendimet e qeverisë amerikane u quajt i shitur, u quajt peng, u quajt vegël etj. Gjuha ishte e tëra totalitare, acidike.

Lëvizja e Foltores ishte pa dyshim kundër kohës. Ajo foli për një revolucion që do të rrëzonte Ramën, që po e bënte Ramën të dridhej, që do të rikthente pluralizmin, që do të zhdukte tiraninë dhe korrupsionin e qeverisë, që do të ndërtonte marrëdhëniet më të shkëlqyera me SHBA-në dhe me BE-në. Një koalicion i drejtuar nga dy njerëz që kanë qenë presidentë dhe kryeministra në këto 32 vite, një koalicion që përdor këtë gjuhë radikale dhe i izoluar plotësisht ndërkombëtarisht nuk mund të pretendojë se do të jetë zgjidhja për të rikthyer demokracinë, do të përshpejtojë integrimin në BE, apo do të luftojë korrupsionin.

Në çdo kuptim lëvizja e Foltores ishte anti-logjike, kundër kohës dhe më kryesorja anti-historike. Kësisoj kjo dihej e gjitha. Rezultati dihej. Mjaftonte vetëm të vinte koha e zgjedhjeve. Vetë z.Berisha dhe z.Meta e kanë ditur. Ata thjesht e kanë menduar këtë si mënyrën dhe mundësinë e tyre më të mirë për të mbajtur gjallë apo shpëtuar gjërat që ata i kanë të rëndësishme. Për ta nuk ka ndonjë befasi apo dëshpërim. Ata thjesht po përpiqen të menaxhojnë po në të njëjtën linjë realitetin e ri i cili do të vijë dhe do të bëhet shumë më i zymtë. Tmerrësisht më zymtë. Ata që e kanë ndjekur, zyrtarët e lartë, deputetët, drejtuesit e tjerë politikë e kanë bërë në mungesë logjike edhe më të madhe se sa veprimet e lëvizjes së Foltores. Disa e kanë parë Foltoren si forcën që mund t’ia dalë pavarësisht izolimit apo sjelljes jo demokratike, disa e kanë parë Foltoren si forcën që do t’u japë atyre një mundësi të rrinë në politikë, të bëhen deputetë apo kryetarë bashkie dhe të presin gremisjen e drejtuesve të Foltores për të qenë aty kur të ndahet gjëja e re. Nuk ka historia e njerëzimit lëvizje kundër kohës, kundër logjikës dhe kundër historisë që mund të kenë sukses. Lëvizje të tilla janë memorizuar, janë përqasur dhe dhe tipizuar me atë që i ndodhi August Andresë në përpjekje të zbulojë Polin e veriut.

August Andre, një inxhinier suedez, kishte kohë që ishte fiksuar të ishte personi i parë që do të shkonte në Polin e Veriut. Ai e kishte bindur publikun që do ta kryente këtë udhëtim kollaj dhe të gjithë do të bindeshin kur të kthehej triumfator. Në vitin 1897, Andre, u nis së bashku me dy të tjerë me balonën me hidrogjen, ‘Eagle’, për në Polin e Veriut. Pas dy ditësh balona e tyre e tundur dhe shkundur nga erërat ra në akull. Andre dhe dy pjesëtarët e tjerë të ekuipazhit morën ç’të mundin, ushqime dhe gjëra të tjera të nevojshme. Ata ecën dhe u përpoqën mbi masën gjigante të akullit të mbërrinin në tokë. Pas gjashtë javësh tmerr u mbaroi gjithçka. U ushqyen me midhje apo me kallamarë, por edhe me një ari të bardhë që arritën ta vrasin me armë. Pas një tmerri gati tre mujor, vdiqën.

Kjo është një ngjarje që është përdorur nga psikologët dhe sociologët për të treguar se ka raste kur njerëzit janë aq të bindur se mund të bëjnë diçka, sa ata e humbin krejtësisht arsyen dhe shkojnë të sigurt drejt shkatërrimit. Kjo ndodh sidomos kur ata kanë vlerësim shumë të lartë për veten, por kjo mund të ndodhë edhe kur ata duan me çdo kusht të shpëtojnë fytyrën. Ndodh që njeriu hyn në një rrugë ose gjendet në një situatë e cila e shtyn atë me forcë drejt veprimeve krejtësisht të paarsyeshme. Vetë njeriu e di fundin e keq dhe të turpshëm të rrugës në të cilën hyn, por ai nuk ka mundësi të veprojë ndryshe.

Ditarët, e zbuluara më vonë, të August Andre tregonin se ai e kuptoi që nuk ishte i aftë dhe nuk kishte mjetet e duhura për ta kryer atë udhëtim në Polin e Veriut, por ai e kishte bindur opinionin publik se kishte aftësi ta bënte shumë kollaj këtë udhëtim. Ai nuk kishte zgjidhjeje tjetër veç vijimit të rrugës së vet.

Regjisori i famshëm Ruben Ostlund e ka marrë këtë ngjarje dhe e ka trajtuar në mënyra të tjera për të treguar këtë anë vetëshkatërrimtare të njeriut kur ai hyn në një rrugë i shtyrë nga rrethana të tilla si ruajtja e profilit të “të fortit” e “triumfatorit”, e atij që ka “të drejtë”, e atij që nuk ka pengesë që e ndal. Gjithashtu është trajtuar, në mjaft raste, edhe lidhja e fortë që kanë rrethana të tilla si të mësipërmet me një gjendje fajësie apo krimi duke të shtyrë të bësh krime të tjera dhe duke vijuar më pas në këtë rrugë deri sa “të nisesh për në Polin e Veriut”.

Kjo është saktësisht ajo që ka bërë ish kryeministri Berisha me lëvizjen e tij politike të Foltores që prej shtatorit të vitit të 2021. Ai që në atë kohë është nisur me balonën e tij të Foltores, me Metën dhe bashkëpunëtorë të tjerë për në Polin e Veriut.

Ai kishte bindur një pjesë të opinionit se do t’ia dalë thuajse kollaj. Rezultati i zgjedhjeve tregoi vetëm se ish kryeministri Berisha dhe lëvizja e Foltores ishte thjesht në një udhëtim për në Polin e Veriut. Thjesht ata nuk duan ta kuptojnë ose janë në një gjendje që refuzojnë ta kuptojnë. Fundi politik është i sigurt dhe fatkeqësisht i dhimbshëm. Ajo që nuk dimë saktësisht për lëvizjen e ish kryeministrit dhe Foltoren është pika ku ndodhet balona në Polin e Veriut, a ka ende rrugë dhe vuajtje pa dyshim apo ka rënë plotësisht në akull.

Advertisement