Connect with us

Kosova

Kurti i përgjigjet Escobarit: Kosova nuk ka shkruar Draft për…

 Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i është përgjigjur deklaratës së bërë më herët nga emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar i cili tha se kreu i qeverisë së Kosovës e ka një draft për Asosacionin e komunave me shumicë serbe por nuk po e shpalos. Kurti i është përgjigjur, se Kosova nuk ka shkruar ende një draft-statut për Asosacionin.

Ai gjithashtu ka treguar se ka përmendur shtylla për draftin e që janë letra e Federica Mogherinit, qëndrimi amerikan i shprehur në letrën e Chollet dhe Escobar dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Draft-statut të Asociacionit Qeveria e Kosovës nuk ka shkruar. Qeveria e Kosovës ka shprehur gatishmëri për një draft-statut për thellimin e mëtejshëm të draft-vizionit qysh në Ohër, kur u refuzua një gjë e tillë më 18 mars. Dhe gjithashtu kemi shprehur në vazhdimësi gatishmërinë tonë, kur të pajtohemi për parimet. Sepse s’ka kuptim një tekst gjerë e gjatë nëse parimet bazë nuk janë të dakorduara. Me sHBA-në kemi pajtueshmëri të plotë sa i përket parimeve bazë, dhe këtë e ka thënë ambasadori Hovenier. Unë kam deklaruar në Ohër se e shkruaj draft statutin me shtyllat: Qëndrimi i BE-së, letra e Federica Mogherinit, qëndrimi amerikan i shprehur në tekstin e Chollet dhe Escobar dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Kurti.

Kurti ka treguar se më 2 maj kishte propozuar një draft-vizion të bazuar në modelin kroat dhe ka shpjeguar se pse e ka zgjedhur atë si model.

“Së pari më 2 maj unë kam propozuar një draft vizion me dy faqe për ta realizuar nenin 7 të marrëveshjes themelore lidhur me nenin 10 , përkatësisht marrëveshjet e mëhershme. Kjo parashihte një kornizë shumë progresive e pozitive për vetëmenaxhimin e komunitetit serb të inspiruar në modelin kroat.  Pse e kam marrë Kroacinë, sepse edhe Kroacia ka dalë nga lufta e shpërbërjes së dhunshme të ish-Jugosllavisë sikurse Kosova, e dyta Kroacia është shembull suksesi për anëtarësim në BE dhe NATO. Dhe e treta, Serbia ka një marrëveshje për normalizim me Kroacinë, po inspirohemi prej saj që ta bëjmë edhe një marrëveshje për normalizim edhe neve, e ku për fqinjësi të mirë duhet të mbrohen edhe pakicat”, ka theksuar ai.

Një javë më parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim të dërguarin britanik për Ballkanin, Stuart Peach, me të cilin kanë diskutuar për situatën në veri. Siç ka njoftuar Ambasada Britanike në Kosovë, Peach gjatë takimit me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se veprimi i Qeverisë së Kosovës për të imponuar kryetarët e komunave në ndërtesat komunale me forcë nuk ishte i mençur, duke krijuar pasoja.

Advertisement