Bota
Deklarata e fortë nga kreu i shërbimit sekret: Rusia do vrasë Prigozhin
Shërbimi Federal rus i Sigurisë është ngarkuar për likuidimin fizik të liderit të “Wagner”-it, Yevgeni Prigozhin, pas rebelimit të dështuar të fundjavës së kaluar.
Deklarata erdhi nga kreu i shërbimit sekret ushtarak ukrainas, Kirilo Budanov për mediat ukrainase:
“Ne e dimë se Shërbimi Federal rus i Sigurisë është ngarkuar me vrasjen e Prigozhinit”, tha ai duke u shprehur se këtij shërbimi do t’i duhet kohë deri sa të arrijë tek finalizimi i planit. Zyrtari i lartë ukrainas thotë se urdhri për eliminimin e njëriut që u rebelua kundër Moskës është dhënë tani dhe nuk mund të tërhiqet.
Jevgeni Prigozhin së bashku me 8 mijë luftëtarët e grupit të tij mercenar Wagner janë strehuar tashmë në Bjellorusi, ndërsa nuk dihet ende cili do të jetë aksioni i tyre i radhës, nëse do t’i bashkohen apo jo luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Ndërkohë zbulohet se përpara rebelimit të dështuar të udhëheqësit mercenar rus Yevgeniy Prigozhin, Kievin e ka vizituar Drejtori i Agjencisë Qendrore të Zbulimit, CIA, William Burns. Ai u takua me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe zyrtarët e zbulimit për të diskutuar mbi kundërofensivën që ka ndërmarrë Ukraina.
Zyrtarët ukrainas janë shprehur të shqetësuar ditët e fundit, duke i bërë thirrje Uashingtonit dhe Perëndimit që t’i sigurojnë Kievit armë më të avancuara për të ndihmuar në shkatërrimin e pozicioneve mbrojtëse ruse dhe për të mundësuar që trupat ukrainase të çlirojnë më shumë territore.