Rajon
‘Rusia shfrytëzon grupet e djathta ekstreme në Serbi për të rritur ndikimin në Ballkan’
Një raport i Institutit për Studime të Luftës Hibride, Octopus, me seli në Prishtinë, vlerëson se Rusia po shfrytëzon grupet e djathta ekstreme në Serbi për të shtuar ndikimin e saj në rajonin e Ballkanit.
Taulant Elshani, hulumtues i lartë në këtë institut tha se Serbia u ofron grupeve të tilla mbështetje financiare, infrastrukturore e mediatike për të shpërndarë përmbajtje propagandistike
“Lidhjet politike, historike dhe kulturore si dhe interesat aktuale gjeopolitike e gjeostrategjike ndërmjet Serbisë dhe Rusisë shërbejnë si boshti kurrizor rreth të cilit këto organizata djathtiste ekstremiste gravitojnë. Ky bosht pra shërben si ombrellë për këta eksponentë duke i financuar, mirëmbajtur veprimtaritë e tyre për të minuar dhe dëmtuar besueshmërinë e shteteve demokratike”, tha ai.
Veprimtaritë kryesore të këtyre grupeve sipas hulumtimit janë përhapja e gënjeshtrave, konfuzionit në rrjete sociale, përshkrimet e rrejshme për zona të ndryshme me peshë historike e religjioze, diskreditimi i udhëheqësve politikë, nxitja e urrejtjes por edhe e dhunës.
“Është gjithashtu e rëndësishme të thuhet se eksponentët e së djathtës ekstreme evropiane që veprojnë në Ballkan, kryesisht në Serbi, shpesh herë maskohen nën petkun e aktivistëve humanitarë apo organizatave humanitare, organizatave që kinse lehtësojnë komunikimin ndëretnik, duke u shtirur kryesisht pra që po bëjnë punë të tjera”, tha zoti Elshani.
Çedomir Stojkoviç avokat dhe politikan serb, tha se Beogradi zyrtar përdor këto grupe për të nxitur urrejtje e përçarje ndërmjet popujve në Ballkan, në mënyrë që të parandalojë integrimin e tyre në strukturat euro atlantike.
“Kjo është e përbashkëta ndërmjet Beogradit dhe Moskës për rreth dy dekada, sepse kur krijohet urrejtja ndaj kombit tjetër, dhe në Ballkan kjo është lehtësisht e arritshme dhe të gjithë e dimë përse, atëherë ndalohet edhe pajtimi e kur ndalohet pajtimi ndalohet edhe integrimi i rajonit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Pajtimi është ndër elementet thelbësore për integrimin e këtij rajoni dhe Rusia nuk dëshiron kjo të ndodhë, siç nuk dëshiron që kjo të ndodhë as me Ukrainën”, tha ai duke vënë theksin te marrëdhëniet ndërmjet Kosovës e Serbisë.
“Në këtë periudhë kohore është shumë e rëndësishme të dihet se kur ka rritje tensionesh ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, këto tensione nuk krijohen nga populli sepse qyetarët në Beograd dhe qytete të tjera të Serbisë nuk ndiejnë asnjë tension kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me Kosovën, tensionet krijohen nga grupet e djathta ekstreme dhe pastaj përdoren nga qeveria serbe”, tha ai.
Studimi i Institutit Oktopus thotë se pavarësisht që përfaqësuesit e së djathtës ekstreme mbajnë shpesh profil të ultë publik, rreziku prej tyre nuk është i tillë meqë mund të jenë shumë të dëmshëm për interesat kombëtare të shteteve të Ballkanit. Për të ulur këto rreziqe studimi rekomandon që shtetet e Ballkanit Perëndimor të përforcojnë institucionet demokratike, sundimin e ligjit dhe pavarësinë e mediave.
Marrë nga VOA