Politike
‘Shqipëria e varfër’/ Berisha: Rama refuzoi ta merrte Begajn në avionin e tij
Ish kryeministri, Sali Berisha ka denoncuar ditën e sotme çmimet e shtrenjta të produkteve të shportës në vendin tonë.
Në një konferencë për mediat nga selia blu, Berisha tha se çmimet e ushqimeve në Shqipëri, janë më të shtrenjta se në Itali, Greqi, janë përafërsisht sa në Gjermani dhe janë 7%, sipas tij, më të shtrenjta se në mesataren e vendeve të BE. Lideri demokrat u shpreh se zgjidhja emergjente është vendosja e minimumit jetik prej 200 eurosh për person.
Berisha shtoi më tej se KLSH ka gjetur se në një vit, qeveria ka vjedhur dhe shpërdoruar 130 miliardë lekë, dhe sipas tij, nëse vetëm 40 % e këtij fondi do të mund të kursehej, minimumi jetik vendosej duke filluar nga muaji i ardhshëm.
Lideri demokrat u shpreh se udhëtimi i kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Bajram Begaj për në New York, për mbledhjen e OKB-së është ndër më të kushtueshmit. Berisha shtoi se janë 35 veta në delegacionin e tyre dhe se kryeministri e ka refuzuar ta marrë në avionin e tij kreun e shtetit.
Berisha: Sirenat e dhimbjeve të skamjes, urisë dhe varfërisë po bien në çdo qoshe në të katërt anët e vendit. Shqiptarët, çdo muaj, përballen me rritje çmimesh, ushqimet sot në Shqipëri janë më të shtrenjta se në Itali, Greqi, janë përafërsisht sa në Gjermani dhe janë 7 përqind më të shtrenjta se në mesataren e vendeve të BE. Rritja e çmimit të ushqimeve, sipas statistikave zyrtare, është 11.5 përqind, sipas statistikave reale është 13.5 përqind dhe kjo godet në mënyrën më të egër pensionistët, të papunët dhe familjet me ndihmë ekonomike. Këto çmime, e bëjnë Shqipërinë një vend të pajetueshëm, e bëjnë jetën në Shqipëri të papërballueshme. Unë mund t’u them se 48 përqind e totalit të pensionistëve shqiptarë, janë me pagesa të pjesshme. Kështu, në vitin 2022, nga 481.420 përfitues të pensionit të pleqërisë, 231.722 prej tyre janë me pagesë të pjesshme. Vendimi i qeverisë për të sjellë ligjin në parlament për indeksimin e pensioneve në masën 8 përqind është absolutisht një hipokrizi në sensin që nuk indekson as inflacionin. Kjo përqindje është 3 përqind më e ulët sesa vlera zyrtare e inflacionit dhe 5.5 përqind e ulët sesa vlera reale e inflacionit.
Në të gjitha aspektet, ka vetëm një zgjidhje emergjente dhe kjo zgjidhje është vendosja e minimumit jetik për të gjithë shqiptarët. Vendosja e minimumit jetik, e llogaritur kjo nga Avokati i Popullit dhe i përllogaritur me ndihmën e ekspertëve më të mirë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, pra, vendosja e tij sipas kësaj shifre është përgjigjia e vetme e domosdoshme ndaj situatës alarmante të krijuar me rritjen e çmimeve të produkteve bazë të jetës së qytetarëve. Në këtë kontekst, PD ka dorëzuar në parlament prej disa muajsh, ligjin për minimumin jetik. Ajo do bëjë të gjitha përpjekjet për votimin e kësaj ligji, i cili është plotësisht i përballueshëm. KLSH ka gjetur se në një vit, qeveria ka vjedhur dhe shpërdoruar 130 miliardë lekë. Nëse vetëm 40 përqind e këtij fondi do të mund të kursehej, minimumi jetik vendosej duke filluar nga muaji i ardhshëm. Qëndrimi ndaj këtij ligji dhe ndaj minimumit jetik është një gur prove për të gjithë deputetët e parlamentit, është një akt me të cilin ata dëshmojnë ndjeshmërinë ndaj zgjedhësve shqiptarë. Por është edhe një ndjesë publike që ata u kërkojnë shqiptarëve për dyfishimin, për rritjen stratosferike të rrogave të deputetëve, akt i cili nuk mund të paqtohet nëse nuk bëhen disa votime të rëndësishme në favor të qytetarëve. Vendosja e minimumit jetik prej rreth 200 euro për person është një akt që financiarisht përballohet pa asnjë vështirësi. Përballohet vetëm duke reduktuar abuzimet dhe vjedhjet në buxhetin e shtetit.
Mos harroni se udhëtimi për në OKB i Edi Ramës dhe presidentit të vendit, do të jetë njëri nga udhëtimet më të kushtueshme të përfaqësuesve të një shteti.
35 vetë ndodhen në delegacionet e tyre në Nju Jork. Një numër i tillë i madh është më i pazakonti dhe do të thotë, po të keni parasysh se Edi Rama refuzoi të pranojë në Ismailin e tij, delegacionin e kryetarit të shtetit, do të thotë një shpenzim gjer në gjysmë milionë euro nga buxheti i qytetarëve. Po ky është vetëm njëri aspekt. Vjedhjet e tyre janë të përditshme dhe të pafundme. U bëj thirrje qytetarëve të ushtrojnë presionin më të madh ndaj deputetëve, në mënyrë që të votojnë në emër të interesave më jetike të shqiptarëve në nevojë, ligjin për minimumin jetik.