Kosova
Tensionet në Veri/ Borrell: Masa për mbështetje financiare për Kosovën
Kreu i diplomacisë në BE, Josep Borrell është shprehur se po monitorojnë nga afër nëse Serbia do të përmbush kërkesat e BE-së për qetësimin e tensioneve në veri të Kosovës
Borrell në një intervistë për N1 tha se janë marrë masa në lidhje me situatën në veri që kanë ndikim edhe në mbështetje financiare për Kosovën.
“Janë marrë masa në lidhje me Kosovën. Këto janë masa politike dhe financiare, ndër të cilat është pezullimi i vizitave dhe ngjarjeve të nivelit të lartë, me përjashtim të Dialogut të udhëhequr nga BE-ja. Ato masa kanë ndikim edhe në mbështetjen financiare për Kosovën. Pezullimi është i përkohshëm dhe i kthyeshëm dhe do të hiqet sapo të ketë de-përshkallëzim në terren. Në të njëjtën kohë, ne jemi duke monitoruar nga afër nëse Serbia i përmbush kërkesat e BE-së dhe në rast të mospërputhjes, BE-ja është e gatshme të marrë parasysh masat”, tha Borrell.
Në përgjigje të një pyetjeje parlamentare të parashtruar në qershor, pas konfliktit para ndërtesave komunale në veri të Kosovës, ai përsëriti se “de-përshkallëzimi duhet të ndodhë tani, nga të dyja palët” dhe se aktet e dhunshme si ajo e 29 majit janë plotësisht të papranueshme dhe nuk mund të përsëriten në të ardhmen.