Politike
Konflikti Izrael-Hamas/ Rama: I gatshëm të takohem me Ambasadoren e Palestinës
Kryeministri Edi Rama ka komentuar dhe luftën që po ndodh tani mes Izraelit dhe Palestinës. I ftuar në podkastin “Inside Albania” Rama shpjegoi se përse Shqipëria në këtë luftë mban anën e Izraelit.
“Në thelb, terrorizmi nuk mund të normalizohet kurrë. Ata që e shohin situatën nga këndvështrime të ndryshme duhet të mos harrojnë se ata njerëz [izraelitët] luftuan për mijëra vite për të pasur një shtëpi dhe për t’u kthyer aty,” tha Rama
Sipas Ramës, në konfliktin për territor mes palëve, edhe palestinezët meritojnë të kenë një vend që mund ta quajnë shtëpi.
“Absolutisht nuk ka kuptim të kthehesh në shtëpi pa gjetur një zgjidhje që edhe të tjerët të kenë pjesën e tyre në atë hapësirë, të ndërtojnë shtëpitë e tyre. Jemi në një botë të lirë, ku ekziston shansi. Por padyshim nuk ka shanse për ta relativizuar dhe normalizuar situatën, si dhe për të shkuar në ekstremin tjetër. E vetmja mënyrë për të zgjidhur konfliktet është duke punuar shumë për të arritur paqen,” theksoi Rama.
I pyetur, nëse është takuar me ambasadoren e Palestinës në Tiranë pas nisjes së sulmeve të Hamasit, Rama u përgjigj se ajo nuk ia ka kërkuar një gjë të tillë.
“Ajo është një grua shumë e këndshme dhe kam shumë respekt për të. Nuk ka kërkuar të më takojë. Nëse më kërkon, do ta takoj me kënaqësi,” tha Rama.