Connect with us

Kosova

Vetëmenaxhimi në këmbim të njohjes de facto, kjo është të shtunën në tavolinë

‘Vetëmenaxhimi në këmbim të njohjes de facto’ – Kjo do të jetë formula e vetme që pesëshja e emisarëve perëndimorë do të servir të shtunën në tavolinë, si pjesë e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë, një menu e rëndësishme kjo, e cila tregon se marrëveshja synon të lejojë komunitetin serb në Kosovë të ketë një shkallë më të lartë të autonomisë dhe vetëqeverisjes, ndërsa në këmbim, Kosova merr njohjen de facto nga Serbia.

Por, çështja shqetësuese për Bashkimin Europian dhe SHBA ka të bëjë me dyshimin në proces. Ose, çfarë ndodh nëse Kryeministri Albin Kurti përsëri refuzon…Sipas një burimi të besueshëm diplomatik, të gjithë në Kosovë duhet të jenë të vetëdijshëm, për faktin që me 24 shtator Kosova nuk ishte vetëm, duke patur parasysh se kryeministri i Kosovës kërkon masa ndëshkuese ndaj Serbisë për aktin në Banjskë.

“Ne insistojmë në dënimin e atyre që janë përgjegjës dhe për këtë duhen hetime të thella dhe të detajuara. Ngjarjet e shtatorit tregojnë që dialogu dhe de-eskalimi janë të një rëndësie primare. Po ashtu duhet të jenë të vetëdijshëm që një javë më vonë, me datë 29 dhe 30 shtator, teksa qytetarët e Kosovës vazhdonin jetën e tyre në mënyrë të qetë e të patrazuar, shumë gjëra do të mund të shkonin shumë keq sikur të mos ishte ndërhyrja e fuqishme e partnerëve ndërkombëtarë. Ne e kemi dëshmuar për të disatën here radhazi se jemi vërtetë në anën e Kosovës.  Tani, në kohën kur po përballemi me kriza shumë të rrezikshme në shumë fronte, në kohën kur kundërshtarët tanë po mobilizohen dhe bashkërendohen, ka ardhur koha që edhe Kosova ta dëshmojë veten si aleate dhe partnere dhe se kryeministri i Kosovës nuk mund të mos ketë ndjeshmëri për të gjitha ato që sot po ndodhin në botë, pasi kjo do të ishte vërtet fatkeqësi”.

I pyetur se cilat janë pritshmëritë e bashkësisë ndërkombëtare për Asociacionin, burimi politik tha se “Asociacioni duhet të jetë një mekanizëm i vetë-menaxhimit për komunat me shumicë serbë në Kosovë dhe duhet të ofrojë shërbime më të mira për këtë komunitet, ndërsa gjithashtu do të mund të shërbejë si një ombrellë për menaxhimin e sistemeve arsimore dhe shëndetësore për serbët e Kosovës, që aktualisht veprojnë jashtë kornizës institucionale të Kosovës. Në thelb, ky Asociacion duhet të akomodohet brenda kushtetutës së Kosovës”.

I pyetur nëse përbën Asociacioni një Republika Srpska, burimi theksoi se ky pretendim nuk është i vërtetë dhe që asnjëherë nuk është kërkuar krijimi i një Republika Srpska në Kosovë. Asociacioni, sipas tij, nuk do të jetë nivel i ri i qeverisjes.

I pyetur nëse Kryeministri Kurti do ta pranojë formulën e pesëshes së madhe, ai theksoi se zbatimi i marrëveshjes bazike është një detyrim ligjor për të dyja palët dhe se pesëshja do të sjellë një shtysë të fuqishme drejt zbatimit të saj, si dhe qartësoi edhe një herë se cilat janë skenarët më të këqij për Kosovën.

Duke cituar fragment nga një dokument konfidencial që paraqet një vëzhgim interesant për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe ndikimin e tyre në mënyrën se si Kosova dhe Serbia ndjekin strategjitë e tyre, shihet se insistimi i komunitetit perëndimor për themelimin e Asociacionit Komunitar nuk është vetëm për të larguar Serbinë nga marrëdhëniet me Rusinë, por ka qëllimin e tregimit se ky komunitet ka aftësi të menaxhojë marrëdhëniet në “shtëpinë e tyre”.

Në këtë kontekst, dokumenti  thekson se Kosova është në një pozitë të kufizuar dhe duhet të zgjedhë nga disa opsione. Ja katër opsionet e përmendura:

Të tërhiqet nga Marrëveshja e Parë,

Të ndryshojë Kushtetutën,

Të mos bëjë asgjë,

Të propozojë një zgjidhje kreative të shtunën.

Me një lexim të vëmendshëm tre nga këto opsione kanë potencial shumë të dëmshëm për Kosovën.

Nëse Kosova tërhiqet nga Marrëveshja e Parë, kjo mund të sjellë rënie në nivelin ndërkombëtar të saj dhe eskalime të reja. Nëse ndryshohet Kushtetuta, kjo mund të sjellë dobësim të strukturave të vendit. Ndërkohë që, nëse Kosova nuk bën asgjë, rezultati mund të jetë i ngjashëm me opsionin e parë, duke lejuar Serbinë të përfitojë nga status quo-ja.

Një shembull i njohur për shembullin e propozimit kreativ mund të jetë ndërmarrja e një rrugë alternative që do të sjellë një zgjidhje të mirëpritur dhe do të ndihmojë në shmangien e konfliktit dhe tensioneve në rajon.

Propozim Statuti, që është në agjendë pas të shtunës, synon të sigurojë një rrugë kreative për të dalë nga ngërçi aktual, duke ruajtur rendin kushtetues të gjërave.

Sipas asaj që është rënë dakord në marrëveshjen e vitit 2013, nëse Kosova nuk amandamenton Kushtetutën, nuk ka as më të voglën mundësi që të krijohet diçka që i ngjan Republika Srpska-s.

Është në dorën e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit te bisedojnë me bashkësinë ndërkombëtare apo të nisin rrugën e konfliktit me Serbinë. Kujtojmë se ka shume pak kohë nga e shtuna deri ne fillim të nëntorit.

Advertisement