Kosova
Daçiç dënon qëndrimin e “Miqve të Ballkanit Perëndimor”
Grupi “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, i cili përfshinë Austrisë, Italinë, Kroacinë, Çekinë, Greqinë, Sllovakinë dhe Slloveninë, kohë më parë iu drejtua anëtarëve të Bashkimit Evropian me një “non-paper”, duke shprehur mbështetjen për rajonin në rrugën e integrimit drejt BE-së, duke folur për punën dhe synimet e këtij grupi. Ata e kanë trajtuar Kosovën si shtet të pavarur, edhe pse në këtë grup janë të përfshirë edhe dy shtete të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet – Greqia dhe Sllovakia.
Me këtë rast nuk vonoi reagimi i shefit të diplomacisë serbe, Ivica Daçic, i cili ka deklaruar për portalin serb “kosovoonline” se Serbia “në parim mirëpret çdo angazhim që synon të hapë derën e BE-së për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, por se nuk duhet të ketë këmbëngulje për çështjet e statusit, duke marrë parasysh se Serbia nuk e konsideron Kosovën shtet”
“Nëse dikush dëshiron që kjo të funksionojë në mënyrë normale, nuk duhet të insistojë në çështjet e statusit, por të flasë konkretisht për nevojën që Ballkani Perëndimor të integrohet në Bashkimin Evropian. Ne nuk e konsiderojmë Kosovën shtet dhe në këtë pikë pikëpamjet tona ndryshojnë nga mendimet e këtij grupi” – Theksoi Dacic
Në “non-paper”-in e grupit, që iu dorëzua ministrave të vendeve anëtare të BE-së javën e kaluar, thuhet se “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” ndajnë përgjegjësi të veçantë që rajoni I Ballkanit të mbahet lart në agjendën politike të BE-së.
“Meqenëse rajoni përballet me faktorë destabilizues si ndikimi keqdashës i palëve të treta, kërcënimet hibride, dezinformimi dhe emigrimi i paligjshëm, kjo agjendë duhet të japë gjithashtu një shtysë të re për thellimin e bashkëpunimit në fushën e politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, si dhe shkëmbime më të rregullta dhe të strukturuara me partnerët tanë në përputhje me procedurat dhe politikat e përcaktuara të BE-së”- thuhet ndër të tjera në non-paper.