Connect with us

Bota

Hamasi vendos sërish kushte, shtyn lirimin e pengjeve

Grupi radikal i Hamasit deklaroi se do të vonojë lirimin e pengjeve derisa Izraeli të lejojë që të hyjnë në Rripin e Gazës, kamionat me ndihmat humanitare në ditën e dytë të armëpushimit.

“Lirimi i dytë i ndërmjetësuar nuk do të ndodhë derisa Izraeli të lejojë kamionët e ndihmave të hyjnë në veri të Gazës”, thotë grupi militant, raportojnë mediat e huaja.

Njoftimi vjen një ditë pas lirimit të dhjetëra pengjeve të mbajtura nga militantët, si dhe palestinezëve të burgosur nga Izraeli, si pjesë e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Katari me mbështetjen e SHBA-së, e cila ka sjellë një pauzë të përkohshme të armiqësive.

Brigadat Izz ad-Din al-Qassam të Hamasit shtuan se lirimi i pengjeve do të vonohej nëse Izraeli nuk u përmbahet kushteve të dakorduara për lirimin e të burgosurve palestinezë, sipas Reuters. Nuk pati asnjë përgjigje të menjëhershme izraelite ndaj deklaratës, shkruajnë mediat e huaja.

Si pjesë e marrëveshjes, 50 gra dhe fëmijë të mbajtur peng nga Hamasi dhe grupet e tjera në Gaza do të lirohen gjatë armëpushimit katërditor dhe Izraeli do të lirojë 150 të burgosur palestinezë, të gjithë gra dhe fëmijë nga burgjet izraelite dhe do të lejojë qindra kamiona me ndihma në ditë për të kaluar kufirin Rafah me Egjiptin. Ditën e djeshme, përmes pikëkalimit të Rafah hynë 137 kamiona me ndihma humanitare duke e lejuar edhe popullsinë që të marrë frymë lirisht pa presionin e bombardimeve.

Advertisement