Connect with us

Kosova

Kemi shumë punë në Ballkanin Perëndimor/ Flet Antony Blinken

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka konfirmuar se në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel të Belgjikës, një vëmendje e veçantë pritet t’i kushtohet edhe rrjedhës së ngjarjeve të fundit në Ballkanin Perëndimor, i ngjeshur nga tensionet, sidomos mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, kryediplomati amerikan ka thënë se NATO-ja është më e rëndësishme se kurrë më parë, posaçërisht mes krizave globale, ndërsa ka shtuar se do të kenë shumë punë gjatë këtyre ditëve, posaçërisht përsa i përket sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Shefi i NATO-s nga ana tjetër ka theksuar se është parë dhunë serioze në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, duke iu referuar sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ndërsa ka shtuar se do të ekzaminohet edhe rritja e qëndrueshme e trupave paqeruajtëse në kuadër të KFOR-it, përkundër rritjes së numrit të kontigjentit të misionit prej 1 mijë trupash.

Situata e rënduar e sigurisë në Ballkanin Perëndimor nën dritën e kërcënimeve ruse dhe rrjedha e tensionuar në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të jenë ndër temat kryesore të takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s në kryeqendren politike të bashkësisë së organizuar perëndimore.

Krerët e diplomacive të 31 shteteve anëtare të NATO-s do të shqyrtojnë mënyrën se si të zgjidhin krizën gjithnjë e më të mprehtë në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë dhe t’i hapet rrugë procesit të normalizimit të marrëdhënieve, pa përjashtuar diskutimet mbi agresionin rus kundër Ukrainës dhe konfliktin midis Izraelit dhe Palestinës në Lindjen e Mesme.

Advertisement