Connect with us

Aktualitet

Hetimi i SPAK: Si i përlau fondet e BE-së restoranti i lidhur me Ilir Beqja-n

Gzona është një restorant i vendosur në rrugicën pedonale brenda sarajeve të familjes Toptani në qendër të Tiranës – e rijetëzuar si një hapësirë tregtare për zejet e artizanatit dhe kulinarisë. I drejtuar nga një shef kuzhine që mori famë prej shfaqjes së tij në emisionin ‘Masterchef’, restoranti premton një evolucion të traditës, me pjata të tilla si byreku me qepë-domate, tru viçi me lulelakër në qymyr si dhe njoki panxhari me djathë mishavinë.

Restoranti frekuentohet nga njerëzit më të pushtetshëm në kryeqytet, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, si dhe nga zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian – përfshirë ish-ambasadorin Luigi Soreca dhe shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.

Megjithatë, prokurorët shqiptarë dyshojnë se pas listës së shquar të klientëve dhe artit të kuzhinës, restoranti fsheh një skemë korruptive me fatura fiktive për të keqpërdorur fondet e programeve të ndihmës së Bashkimit Evropian.

Në qendër të kësaj skeme dyshohet se qëndron Ilir Beqaj, ish-ministri i Shëndetësisë që drejtonte deri në dhjetor Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, SASPAC, dhe Ermal Kurtulaj, koordinator i programit ‘USAIR Facility Point’ të financuar nga Bashkimi Evropian.

Si pjesë të hetimit, Byroja Kombëtare e Hetimit, BKH, ndërmorri më 27 dhjetor një seri bastisjesh të banesave, bizneseve, automjeteve, si dhe kontrollin personal për tetë të dyshuar, përfshirë ish-ministrin Ilir Beqaj dhe shoferin e tij, Arben Dani.

Kontrollin në banesë e konfirmoi për gazetarët vetë Beqaj, i cili u paraqit në SPAK në të njëjtën ditë për shkak të masës së sigurimit “detyrim paraqitje” të vendosur ndaj tij sa i përket hetimeve për aferën e sterilizimit të pajisjeve mjekësore – një çështje paralele ku ish-ministri dyshohet për shpërdorim detyre.

“Unë prej vitesh përballem me këto çështje. U bë një kontroll në banesën time, nuk ishte nevoja të thërrisja avokatin sepse ato çfarë ka një familje normale si sende gjenden aty,” tha Beqaj për gazetarët jashtë dyerve të SPAK.

Avokati i Beqajt, Ermal Yzeiraj po ashtu konfirmoi kontrollin për mediat dhe shtoi se ishin sekuestruar dokumente, kompjuterë dhe telefonat celularë dhe konfirmoi se veprimet hetimore lidheshin me rolin e ish-ministrit si drejtues i SASPAC.

Beqaj ka qenë deputet i Partisë Socialiste për disa legjislatura dhe ishte ministër i Shëndetësisë nga viti 2013 deri në vitin 2017. Në vitin 2021, ai u emërua në krye të SASPAC nga kryeministri Edi Rama, edhe pse ndaj tij po zhvilloheshin hetime për kontratat koncesionare në shëndetësi. Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për t’i caktuar atij masën e sigurimit “detyrim paraqitje” në lidhje me akuzat mbi aferën e sterilizimit, Beqaj dha dorëheqjen nga SASPAC dhe pozicioni i tij si negociator mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

Kurtulaj nuk ishte i arritshëm për koment.

Interesa pasurore të fshehura

Restoranti Gzona është në pronësi të kompanisë “Albanian Food and Hospitality Lab”, e themeluar në janar të vitit 2019 nga bashkëshortja e ish-ministrit të Shëndetësisë, Adriana Beqaj dhe Arti Malaj.

Në mars 2019, Adriana Beqaj i fali 35% të aksioneve ortakut të saj Malaj dhe në janar 2020 i shiti atij edhe 15% të aksioneve të mbetura.  Në vitin 2022, kompania u shit tek Eduard Curraj, administrator i një distributori të madh farmaceutik, Delta Pharma.

Megjithëse Adriana Beqaj i dhuroi dhe i shiti aksionet e saj në kompaninë “Albanian Food and Hospitality Lab” në janar 2020, bazuar në përgjimet telefonike të realizuara nga Prokuroria në dhjetor 2023, ngrihen dyshime se ish-ministri Beqaj vazhdon të ketë interesa pasurore në restorantin Gzona. Në këto përgjigjime, Beqaj përdor telefonin e shoferit të tij, Arben Dani për te komunikuar me vartësin e tij, Ermal Kurtulaj në mënyrë që të lidhet me administratorin e restorantit, Gazmend Prenga.

Ermal Kurtulaj ka njohje të hershme me Ilir Beqajn që datojnë në kohën kur ish-ministri ka qenë ortak i shoqërisë Intech+, duke vazhduar më pas në vitin 2015 në FSDKSH, ku drejtues i Këshillit Mbikeqyrës ka qenë vetë shtetasi Ilir Beqaj dhe më pas me krijimin e agjencisë SASPAC, si i punësuar në projektin Eusair Facility Point.

Po ashtu, rezulton se shtetasi Ilir Beqaj përdor në mënyrë të vazhdueshme një automjet luksoz të modelit Audi A8, si brenda ashtu dhe jashtë vendit, i cili rezulton të jetë në pronësi të shtetasit Ermal Kurtulaj, duke u ngritur dyshime se mjeti mund të jetë pasuri e fshehur e ish-ministrit të Shëndetësisë.

Nga këqyrja në sistemin E-Gjoba, prokuroria vëren se ky mjet ka marrë 3 gjoba ku i pranishëm ka qenë Arben Dani, nga të cilat e fundit rezulton të jetë marrë me 12 dhjetor në momentin kur mjetin e ka patur në përdorim Ilir Beqaj dhe është parkuar përpara SPAK. Ish-ministri paraqitet çdo javë në Prokurori për shak të masës detyrim paraqitje si pjesë e hetimit të sterilizimit.

I pyetur për Ermal Kurtualajn, ish- ministri deklaroi të premten se e njeh prej shumë vitesh dhe prej punës në SASPAC.

“Ermal Kurtulajn e njoh prej 15 vitesh,” tha ai.  “Që nga maji i 2022 ka punuar në një projekt që ndiqej edhe nga SASPAC-u,” shtoi Beqaj.

Nga përgjimi i komunikimeve të kryera nga Prokuroria ka rezultuar se Ermal Kurtulaj rezulton i përfshirë në punët e restorantit Gzona. Ai interesohet vazhdimisht për mbarëvajtjen e këtij restoranti, duke vepruar si epror ndaj administratorit të restorantit, Gazmend Prenga dhe në ditët e fundit të dhjetorit, ka disa komunikime ndërmjet tyre në lidhje me rakordimet ndërmjet investimeve të kryera mbi këtë restorant përgjatë vitit dhe me faturat e lëshuara për atë.

“Nga komunikimet e kryera dyshohet se personi nën hetim, Ermal Kurtulaj vepron në këtë restorant për llogari të shtetasit Ilir Beqaj, dyshime të cilat ngrihen nga mënyra se si komunikohet dhe veprohet nga ana e këtyre subjekteve, duke shmangur çdo përfshirje të këtij shtetasi (Ilir Beqaj) si me administratorin ashtu me ortakët dhe duke i mbajtur komunikimet dhe rakordimet e takimeve nëpërmjet shtetasit Ermal Kurtalaj,” shprehet prokurorja Elida Kaçkini në kërkesën “Për lejimin e kontrollit personal dhe të vendeve” drejtuar Gjykatës së Posaçme.

Në dalje nga SPAK të premten, Ilir Beqaj mohoi të kishte akoma interesa financiare mbi restorantin.

“Lokali Gzona nga shkurti i vitit 2020 nuk ka asnjë lidhje financiare me familjen time,” tha ai. “Bashkëshortja ime është larguar para 4 vitesh dhe nga e gjithë puna, ka marrë 1.5 milionë lekë të vjetra,” shtoi Beqaj.

Gzona me fondet e BE-së

Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, SASPAC, u themelua nga Këshilli i Ministrave në tetor të vitit 2021, ndërsa kryeministri Edi Rama emëroi në krye të Agjencisë ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Roli i kësaj agjencie është që të koordinojë veprimtarinë dhe programet kombëtare dhe rajonale të asistencës financiare të Bashkimit Evropian, si dhe të monitorojë zbatimin e tyre. Një ndër programet që SASPAC menaxhon dhe monitoron është programi ‘USAIR Facility Point’, i cili është një projekt strategjik i 9 (nëntë) partnerëve në tetë vende, me qëllim mbështetjen e proceseve të zbatuara në kuadër të bashkëpunimit makro -rajonal të rajonit Adriatiko-Jonian.

Koordinator i këtij projekti është emëruar shtetasi Ermal Kurtulaj, i cili konsiderohet si lehtësues që mbështet Koordinatorin Shtetëror të SASPAC, Ilir Beqaj në përmbushjen e detyrave të tij.

Sipas SPAK, rreth orës 4 pasdreke më 16 gusht 2023, shoqëria tregtare ‘Landways International’ ka lëshuar një faturë me përshkrimin ; kontratë shërbimi’ dhe vlerë 149,809.21 euro kundrejt programit EUSAIR të drejtuar nga Kurtulaj. Disa minuta përpara, restoranti Gzona i ka lëshuar kësaj kompani një faturë me vlerë 4,18 milionë lekë dhe përshkrim shërbime kateringu.

Fakti që faturat janë lëshuar pak minuta pas njëra-tjetrës, krijon dyshimin e arsyeshëm “që paraprakisht palët kanë biseduar me njëri-tjetrin dhe që shuma përbën përfitim material, korrupsion që shoqëria tregtare Landëays ka paguar ndaj Gzonës, për shërbimin që ajo ka përfituar për të kryer nga Eussair-i.”

Prokuroria ngre pikëpyetje se një rast i ngjashëm i restorantit është regjistruar me shoqatën ‘Foreign Investors Association of Albania’ (FIAA). Sipas faturave rezulton projekti Eusair ka lëshuar faturë shitje ndaj FIAA me 17 gusht 2023, ora 15:40:55, në vlerën 22,000 Euro dhe kjo shoqatë ka lëshuar 25 minuta më vonë, faturën me vlerë 350,000 lekë kundrejt restorantit “Gzona”.

Për të transferuar fondet e projektit USAIR drejt restorantit ‘Gzona’ duke humbur gjurmët janë përdorur dhe fatura të lëshura nga biznese të tjera kulinare. Nisur nga komunikimi i përgjuar me 11 nëntor midis Ermal Kurtulajt dhe administratorit të restorantit Me’NAM diskutohet transferimin i një vlere prej 325 mijë lekësh nëpërmjet faturave fiktive.

“Këto fatura… i përkasin restorantit “Gzona” dhe këto veprime janë kryer për qëllime që të fshihet lidhja me Gzonës dhe shtetasit Ilir Beqaj, që është dhe vetë drejtori i SASPAC-ut që monitoron këto projekte,” thekson prokuroria.

Fatura fiktive dhe konflikt interesi

Sipas Prokurorisë së Posaçme, koordinatori i ‘USAIR Facility Point’, Ermal Kurtulaj dyshohet si personi kyç në skemën korruptive për keqpërdorimin e fondeve të BE-së nëpërmjet faturave fiktive. Sipas SPAK, ai është përfshirë në veprime korruptive nëpërmjet kërkimit dhe pranimit të lëshimit të faturave fiktive nga subjekte të ndryshme tregtare dhe OJF, duke vendosur vlera fiktive në faturime me qëllim përftimin personal.

Nga përgjimet telefonike, Prokuroria shprehet se Kurtalaj ka kërkuar dhe siguruar dy fatura fiktive me vlerë 51,800 euro edhe nga shoqëria “Nine Services Int”, që ka si objekt të aktivitetit të saj “Shërbime dhe konsulencë në aktivitete sportive” – në veçanti në sportin e futbollit.

Kurtulaj është përgjuar duke kërkuar dhe siguruar fatura fiktive nga disa shoqëri tregtare në fushën e kulinarisë dhe hotelerisë si dhe fatura konsulence nga persona fizikë me vlerë dhjetra mijëra euro. Në një rast, Kurtulaj është vëzhguar nga prokuroria duke marrë atë që në dukje kuptohet si ryshfet nga administratorja e një prej bizneseve që lëshonte fatura fiktive.

Sipas Prokurorisë, nga të dhënat e administruara deri në këtë fazë të procedimit, shtetasi Ermal Kurtulaj rezulton se përfshihet edhe veprime të tjera më punonjës të Agjencisë, konkretisht me shtetasen Mira Topçiu, nëpunëse financiare pranë SASPAC, të cilët në bashkëpunim me njëri tjetrin kryejnë po ashtu veprime me të njëjtën natyrë, ku në të paktën një rast rezulton dukshëm marrja e përfitimit për një shërbim të prokuruar si qira salle dhe shërbim kateringu.

Përveç këtij fakti, rezulton se të dy këta persona kanë të regjistruar në emër të tyre OJF dhe person fizik, të cilat kryejnë veprime me njëri-tjetrin po në funksion të veprimtarisë së tyre shtetërore, duke qenë kështu edhe në konflikt interesi.

Mira Topçiu nuk ishte e arritshme për koment.

Marrë nga BIRN.

Aktualitet

U mbyt në Bunë bashkë me tre fëmijët/ Zbardhen momentet e fundit të Alma Arrazit, çfarë filmuan kamerat e sigurisë

Emisioni “Në Shënjestër” ka trajtuar mbrëmjen e sotme ngjarjen tragjike në Shkodër, ku një nënë u mbyt në ujërat e lumit bashkë me tre fëmijët e saj. Ndërkohë që Prokuroria konfirmoi edhe lëvizjet e fundit të nënës dhe tre fëmijëve të saj, mbrëmjen para se t’i jepte fund jetës, ku ajo u pa t’u takonte në një kafe me kunatën e saj. Dhe pas qëndrimit për afro 2 orë dhe ndarjes me të, ajo me fëmijën e vogël në krah dhe dy vajzat që e shoqëronin, të merrte rrugën në trotuarin që të çon te ura e vjetër e lumit Buna.

 “Nga të dhënat e hetimit deri në këtë fazë, ka rezultuar se më datë 3 Maj 2024, rreth orës 17:30, në Komisariatin e Policisë Shkodër është paraqitur shtetasi Ergdys Arrazi, i cili ka kallëzuar largimin nga banesa të bashkëshortes së tij shtetases Alma Arrazi, bashkë me tre fëmijët e tyre të mitur.  Nga deklarimet e personave që kanë dijeni për ngjarjen, del se më datë 2 Maj 2024, pasdite, shtetasja Alma Arrazi. bashkë me fëmijët e mitur, ka shkuar për të pirë kafe me kunatën, shtetasen V.P., në lagjen ‘Iliria’ Shkodër.  Aty ku kanë qëndruar për rreth dy orë dhe nga ku më pas mësohet se Alma Arrazi, i ka thënë kunatës se do ta merrte vëllai i saj me taksi, pasi do shkonte një javë tek shtëpia e tij që të qetësohej”, thuhet në dosje. Por nga këqyrja e pamjeve filmike rezultoi se Alma Arrazi në fakt nuk i kishte treguar të vërtetën kunatës së saj. Pasi ndryshe nga sa i tha, se do shkonte te i vëllai, ajo vihet re më tej teksa ecën në trotuarin që të çon për në urën e lumit Buna. Aty ku në muzgun e ditës, në fillim të urës humbasin edhe gjurmët e saj dhe të fëmijëve. Nga ky moment kamerat në zonë nuk kanë mundur të fiksojnë më tej lëvizjen e tyre.

“Nga administrimi i pamjeve filmike, pasi është  ndarë nga kunata, Alma Arrazi, bashkë me tre fëmijët, ka ecur në trotuarin e rrugës që të çon te ‘Ura e Bunës’ së vjetër, në drejtim të ‘Kishës së Zojës’, Shkodër. Ndërkohë që dalja nga lokali është në orën 20:10 të datës 2 maj 2024”, sqaron prokuroriaPor si mundi Alma e vetme ta bëjë një akt të tillë? A e kishte paramenduar ajo në kokën e saj të gjithë këtë skenar? Çfarë ndodhi me të dhe fëmijët pasi u futën në urë atë mbrëmje, kur drita sapo kishte rënë mbi qytet? Është e vështirë për të menduar se si ajo është sjellë në ato momente dhe si ka mundur ta kryejë e vetme një akt të tillë, nëse ishte e kthjellët në veprimet e saj, apo e rënduar psikologjikisht, duke pasur parasysh edhe dy vajzat në moshë të rritur, si edhe faktin që parmakët e urës së vjetër në lumin Buna, janë në një lartësi që e kalojnë shtatin e tyre. Si edhe faktin që në atë orë, ura ka pasur ende vizitorët e saj dhe dikush duhet të kishte parë diçka të pazakontë. Por për grupin hetues nuk ka dyshime se këto parmakë të urës, ku edhe peshkatarët duhet të ngjiten deri lart për të hedhur grepat, janë vendi nga ku Alma hodhi fillimisht vajzat e saj dhe më pas veten dhe djalin, për tu vetëflijuar në një akt të pashembullt.

“Më datë 4 maj 2024 rreth orës 22:00, shërbimet e policisë u njoftuan se në anë të lumit Buna në fshatin Darragjat, Njësia Administrative Dajç, është gjetur trupi i pajetë i një fëmije të mitur, që më pas u identifikua si shtetasja E.A, e datëlindjes 20 Tetor 2015. Ku pas këqyrjes së kufomës, nga ana e mjekut ligjor, nuk u konstatuan shenja dhune. Si edhe u vendos kryerja e ekspertimit mjeko-ligjor me qëllim përcaktimin e dëmtimeve që konstatohen në trupin e viktimës dhe të shkakut të vdekjes”, thotë Prokuroria./Marrë nga BW

Continue Reading

Aktualitet

Media italiane: Shqipëria, mes 15 destinacioneve me plazhet më të bukura në Evropë

Cilat janë plazhet më të bukura në Evropë? Ne ju sugjerojmë 15 destinacionet më të bukura për të zbuluar këtë verë, sipas një artikulli të botuar në të përditshmen italiane “Wom Travel”.

Nga plazhet e arta të Algarve deri te xhevahiret sekrete të Shqipërisë, ja disa nga destinacionet frymëzuese për pushimet tuaja të ardhshme sipas renditjes “European Best Destinations” (Destinacionet më të mira evropiane).

Ksamil, Shqipëri

Një nga perlat sekrete të Evropës që ia vlen të zbulohet është bregdeti i Shqipërisë. Zbuloni plazhet më të bukura duke bërë një ndalesë në Ksamil, ndër destinacionet bregdetare më të bukura në Evropë.

Plazhi i Ksamilit është një nga plazhet më të bukur në të gjithë vendin dhe ndodhet në Rivierën Shqiptare, jo shumë larg Sarandës. Ksamili karakterizohet nga katër ishuj të vegjël të mbuluar nga bimësia mesdhetare të cilat janë shtëpia e disa prej plazheve më të bukura dhe më sekrete në të gjithë Shqipërinë.

Ishujt mund të arrihen duke notuar ose në këmbë nëse batica është e ulët.

“Wom Travel” e ka renditur Shqipërinë mes 15 destinacioneve me plazhet më të bukura në Evropë për pushime në 2024:

1-Ksamil, Shqipëri

2-Gjiri Ghajn Tuffieha, Maltë

3-Plazhi Monte Clerigo, Portugali

4-Plazhi Oludeniz, Turqi

5-Canal d’amour, Korfuz

6-Porto Timoni, Korfuz

7-San Andrés, Tenerife, Spanjë

8-Plazhi Odeceixe, Portugali

9-Gjiri i Shën Palit, Rodos

10-As Catedrais, Spanjë

11-Calpe, Spanjë

12-Porto Katsiki, Lefkada

13-Plazhi Scialara, Vieste

14-Plazhi Grado, Grado

15-Plazhi Vai, Kretë

Continue Reading

Aktualitet

Breshëri godet Qarkun e Korçës, dëmtohen të mbjellat në dy fshatra

Moti i keq me reshje shiu e breshëri ka përfshirë Qarkun e Korçës pasditen e sotme. Si pasojë e reshjeve janë dëmtuar kulturat bujqësore, në dy fshatra të njësisë administrative Leskovik, Gërmenj dhe Shelegur.

Raportohet se dëmtime të shumta ka pasur edhe në pemët frutore si qershi dhe kumbull. Ndërkohë gjatë kësaj jave sinoptikanët kanë parashikuar se vendi ynë do të dominohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme dhe temperaturat do të arrijnë deri në 5 gradë celcius.

Continue Reading

Aktualitet

Si i mbyti nëna 3 fëmijët e vetme? Fuga ngre dyshime për ngjarjen tragjike në Shkodër

Profesori Artan Fuga ka kërkuar nga organet përkatëse të hetojnë sesi ka ndodhur ngjarja e rëndë në Shkodër pak ditë më parë, ku nëna mbyti tre fëmijët e saj dhe veten në lumin Buna.

Fuga u shpreh skeptik nëse ishte nëna ajo që mbyti vetë fëmijët, pasi sipas duhet shpjeguar forca fizike, pra si mundet një nënë e vetme të menaxhojë mbytjen e tre fëmijëve.

Njeriu është i aftë të bëjë heroizmat, gabimet dhe krimet më të mëdha. Ne si media, si studiues prokuroria policia duhet ta lëmë mënjanë këtë pikëllimin e madh, por duhet të shqyrtojmë ngjarjen. Nuk di të ketë dalë përfundimi i organeve të rendit që ishte kjo nënë që mbyti fëmijët e saj.

Si mundet një grua të menaxhojë tre fëmijë për ti marrë dhe për ti mbytur, në ç’mënyrë mund të ndodhë kjo fizikisht. Unë pres që të dëgjohet kjo. Detyra është më thellë, për të parë si ndodhi ky akt, mund edhe të mos zbulohet. Nuk e di sesi ka ndodhur ngjarja, mund të jetë një mundësi që i ka mbytur nëna por kam dilemën.

Dëgjova zv.kryetaren e bashkisë së Shkodrës që thoshte duhet të flasim për dhunën, por duhet të kuptojmë që shoqëria ka disa faza ku të tilla drama ndodhin. Ne jetojmë në një kohë ku familja ka fituar një privatësi dhe këto mund të sjellin ngjarje të rënda në shoqërinë shqiptare.

 Është akt i një njeriu që ka një vuajtje të madhe, që mund të vijë nga shumë rrethana dhe nga kontradita brenda familjes, por pritet që bashkëshorti të vërtetohet që ka qenë ai që e ka shtyrë”-u shpreh profesor Artan Fuga.

Continue Reading

Aktualitet

Banka e Shqipërisë nuk ndryshon normën bazë të interesit, Sejko: Inflacioni ka vijuar të bjerë

Këshilli mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë la të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun në nivelin 3.25%. Guvernatori Gent Sejko tha se inflacioni ka vijuar të bjerë, ndërsa aktiviteti ekonomik, punësimi dhe pagat kanë vijuar të rriten gjatë dy tremujorëve të fundit.

Sipas Bankës së Shqipërisë aktiviteti ekonomik i vendit , punësimi dhe pagat kanë vijuar të rriten gjatë dy tremujorëve të fundit, ndërsa inflacioni ka vijuar të bjerë.

Nga analiza e bankës qendrore rezulton se tregjet financiare kanë qenë relativisht të qeta dhe kreditimi ka ardhur në rritje progresive. Situata pritet të jetë e njëjtë edhe në muajt në vazhdim, dhe në këto kushte Këshilli Mbikëqyrës i Bankës Qindore la të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun.

“Në skenarin bazë, aktiviteti ekonomik projektohet të vijojë të rritet, si në horizontin afatshkurtër dhe në atë afatmesëm, i mbështetur nga përmirësimi gradual i ambientit të huaj, bilancet solide të sektorit privat dhe kushtet akomoduese monetare. Paralelisht me të, inflacioni parashikohet të luhatet pranë niveleve aktuale në horizontin afatshkurtër dhe të kthehet gradualisht në objektiv brenda harkut kohor të një viti. Balanca e rreziqeve ndaj parashikimit të inflacionit është në kahun e poshtëm për horizontin afatshkurtër dhe neutrale për atë afatmesëm. Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi: të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.25%”, tha ai.

 

 

Këshilli Mbikëqyrës thotë se presionet inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten ende relativisht të larta. Në këtë kontest, vendimet e ardhshme të politikës monetare do të vijojnë të kushtëzohen nga informacioni i ri. Këto vendime do të jenë gjithnjë në përputhje me objektivin bankës qëndrore për stabilitetin e çmimeve.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING