Bota
Trump anulon sulmin ndaj Teheranit, nafta bie pas sinjaleve për dialog
Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara dhe Irani do të rikthehen në tryezën e negociatave, pasi ai vendosi të mos autorizojë sulmet ushtarake që, sipas tij, ishin planifikuar ndaj Teheranit.
Trump deklaroi se bisedimet do të nisin të hënën pasdite dhe se qëllimi është arritja e një marrëveshjeje mes dy vendeve. “Po flasim me ta në formën e një negociate. Fillon nesër pasdite”, u shpreh presidenti amerikan gjatë një deklarate për gazetarët në bordin e avionit presidencial “Air Force One”.
Sipas Trump, disa vende të rëndësishme të Lindjes së Mesme, mes tyre Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari, i kanë kërkuar të shmangë një sulm ushtarak, duke vlerësuar se ekziston një mundësi për një zgjidhje diplomatike.
Megjithatë, nga Teherani nuk ka ende një konfirmim zyrtar për nisjen e negociatave. Autoritetet iraniane kanë kundërshtuar disa prej deklaratave të presidentit amerikan, ndërsa agjencia iraniane “Mehr” ka deklaruar se pretendimi se Irani i kishte kërkuar SHBA-së të ndalte veprimet ushtarake nuk është i vërtetë.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi bëri të ditur se bisedimet me Omanin për një marrëveshje lidhur me Ngushticën e Hormuzit po shkojnë përpara.
Sinjalet për rikthimin e dialogut ndikuan menjëherë në tregjet ndërkombëtare, ku çmimet e naftës pësuan rënie për shkak të pritshmërive se tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit mund të ulen.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një pikë kyçe për ekonominë globale, pasi përmes saj kalon një pjesë e konsiderueshme e furnizimeve botërore me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm.
Trump nuk përcaktoi një afat për arritjen e një marrëveshjeje, por paralajmëroi se SHBA mbetet e gatshme të përdorë opsionin ushtarak nëse negociatat dështojnë. “Jemi gati të veprojmë kurdo që të duam. Nuk po kërkoj të vras njerëz”, tha ai.
Më herët, presidenti amerikan kishte paralajmëruar se një sulm ndaj Iranit do të ishte një nga operacionet më të mëdha ushtarake të ndërmarra nga SHBA në dekadat e fundit. Megjithatë, ai tha se vendimi për të shtyrë veprimin ushtarak u mor për t’i dhënë një mundësi diplomacisë dhe për të shmangur një përshkallëzim të konfliktit.
Ende nuk është bërë publike se ku do të zhvillohen takimet dhe cilët do të jenë përfaqësuesit e palëve, ndërsa tensionet mes SHBA-së dhe Iranit mbeten të larta.