Aktualitet
“Larg duart nga Patosi”, banorët në protestë kundër shkrirjes së Bashkisë
Dhjetëra banorë të Bashkisë Patos kanë dalë këtë të hënë në protestë kundër propozimit për shkrirjen e bashkisë së tyre dhe bashkimin me Bashkinë Fier, në kuadër të reformës së re territoriale.
Me sloganin “Larg duart nga Patosi”, qytetarët kanë kundërshtuar çdo ndryshim që, sipas tyre, rrezikon identitetin, shërbimet dhe zhvillimin e qytetit. Ata kërkojnë që vendimmarrja për të ardhmen administrative të Patosit të merret vetëm pas konsultimit me komunitetin.
Gjatë protestës, banorët kanë ngritur shqetësimin se bashkimi me Fierin mund të sjellë largimin e shërbimeve nga qytetarët dhe të ndikojë në shpopullimin e zonës.
“Jemi të zhgënjyer. I bëjmë thirrje Edi Ramës të vijë këtu të bisedojë me ne. Të mos bashkohemi, sepse na largohet shërbimi”, u shpreh një prej protestuesve.
Në mbështetje të protestës ishte edhe deputetja e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu, e cila e kundërshtoi propozimin për shkrirjen e Bashkisë Patos, duke e cilësuar atë si një plan që dëmton komunitetin.
“Patosi duhet të mbetet bashki. Fieri ka 16 deputetë. Sikur të gjithë të ngrenë zërin për Patosin, a hiqet Patosi si bashki? Këta na kanë ndarë në të majtë e të djathtë. Ky është plan shpopullimi dhe ne duhet ta ndalojmë të gjithë së bashku”, deklaroi Haxhiu.
Banorët kanë paralajmëruar se do të vijojnë protestat, duke kërkuar që zëri i komunitetit të merret në konsideratë përpara çdo vendimi për ndarjen e re administrative.