Politike
Kryemadhi ironizon deklaratën e Berishës: Me barrë nuk ngel…
Ish-deputetja Monika Kryemadhi është paraqitur këtë të hënë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitjeje”.
Pas daljes nga ambientet e SPAK, Kryemadhi është ndalur përpara gazetarëve, ku ka komentuar edhe deklaratat e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili më herët kishte hedhur akuza se disa zyrtare apo ish-zyrtare të qeverisë mund të përdorin shtatzëninë për t’iu shmangur masave të drejtësisë.
Kryemadhi iu përgjigj me ironi kësaj deklarate, duke thënë se ajo vetë nuk mund të jetë pjesë e një situate të tillë.
“Me barrë nuk ngel!”, u shpreh ajo, duke shtuar se raste të tilla mund të jenë thjesht thashetheme, por edhe mund të rezultojnë të vërteta.
“Unë ju garantoj se me barrë nuk ngel. Sigurisht që njerëzit, për të gjetur mënyra dhe rrugë të ndryshme procedurale, mund të jenë thashetheme, por edhe të vërteta. Sa herë vjen në jetë një foshnjë, është një gjë e mirë”, deklaroi Kryemadhi.
Duke vijuar me të njëjtën linjë ironie, ajo shtoi se ndoshta po krijohet një “mini-maternitet”, duke e lidhur me debatin politik të ditëve të fundit.
“Duke ditur që po shpopullojnë Shqipërinë, po ngrenë një mini-maternitet”, tha ish-deputetja.
Deklarata e saj vjen pas përplasjes publike mes opozitës dhe mazhorancës lidhur me çështjet e drejtësisë dhe pretendimet për shmangie të masave të sigurisë nga zyrtarë apo ish-zyrtarë nën hetim.