Bota
Presidencialet në SHBA, ish-presidenti Trump fiton thellë në zgjedhjet paraprake në Ajova
Ish-presidenti Donald Trump, fitoi thellë në zgjedhjet paraprake në shtetin e Ajovas, shteti i parë që çel garën brenda partive, për emërimin e kandidatit presidencial. Zoti Trump siguroi më shumë se gjysmën e votave, rreth 51 për qind, ndërsa guvernatori i Floridës Ron DeSantis u rendit i dyti me 21 për qind dhe ish-ambasadorja në OKB, Nikki Haley, menjëherë pas tij me 19 për qind. Pas fitores, zoti Trump, bëri thirrje për bashkim të kombit.
Siç njofton nga qyteti Des Moines, në Ajova, korrespodenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh, moti i ftohtë që goditi këtë shtet, ndikoi në uljen e pjesëmarrjes në këtë proces.
I ftohti ekstrem nuk e pengoi Sarka Moore që të merrte pjesë në një nga takimet e fundit të fushatës së ish presidentit Donald Trump në kuadër të zgjedhjeve paraprake.
Nuk e pengoi as që të vinte dhe të bëhej pjesë e procesit të votimit.
“Jam shumë e emocionuar. Kjo është hera e parë që marr pjesë në këtë proces”, tha Sarka Moore, votuese në qytetin Indianola, Ajova.
Duke qenë se kjo ishte hera e pare që votonte në zgjedhjet paraprake, zonja Moore, emigrante nga Republika Çeke, kaloi kohë duke hulumtuar se si funksiononte procesi, e motivuar për të mbështetur ish presidentin Trump.
“Më pëlqejnë politikat e tij. Gjatë administratës së tij, çdo gjë ishte shumë mirë. Nuk kishte luftë. Ekonomia funksiononte shumë mirë. Dhe kufijtë nuk ishin të hapur, diçka që më shqetëson shumë”, tha ajo.
“Dua të falënderoj njerëzit e mrekullueshëm të Ajovas. Faleminderit. Ju dua të gjithëve. Mendoj se tani është koha të bëhemi bashkë, që ky komb të bashkohet. Dua që të bëhemi të gjithë bashkë, pavarësisht nëse jeni republikanë, demokratë, liberalë apo konservatorë. Do të ishte mire të bëhemi bashkë për të përmirësuar botën, për të zgjidhur problemet dhe për të gjetur rrugëdalje për vdekjet dhe shkatërrimin me të cilin po përballemi,” tha Donald Trump, Ish president i Shteteve të Bashkuara
Mbështetësit e zotit Trump, u përballën me të ftohtin dhe akullin që ka përfshirë vendin, për t’i siguruar atij fitoren, një fitore me një epërsi të thellë ndaj rivalëve të tjerë.
“Do të thosha se pjesëmarrja është e mire”, tha Jan Goode votuese në qytetin Ankeny, Ajova.
Jan Goode hodhi votën e saj në një nga qendrat e grumbullimit të republikanëve, në shkollën e mesme të një lagjeje në qytetit Ankeny.
“Ata që ishin plotësisht të vendosur, do të dilnin për të votuar. Njoh disa mbështetës, në moshë, të cilët vendosën të mos vinë, për shkak të motit të keq,” tha ajo.
Zonja Goode votoi për guvernatorin e Floridës, Ron DeSantis, i cili siguroi fitoren në këtë qendër.
“Ne po përkrahim bindjet tona. Zoti DeSantis pasqyron atë që unë besoj. Unë vazhdoj ta vlerësoj zotin Trump, atë që ka bërë, dhe mënyrën se si. E vlerësoj për atë që ka qenë asokohe. Fatkeqësisht, atë e përndjek kaosi,” shtoi ajo.
Ish guvernatori i Floridës Ron DeSantis u rendit i dyti.
“Ne përfaqësojmë një mundësi për të ndryshuar çmendurinë që kemi parë në këtë vend, për të ri ngritur atë dhe për t’i dhënë një sens të ri lirie dhe sigurie. Këtë do të bëjmë”, tha zoti DeSantis.
Ai la pas ish ambasadoren në OKB, Nikki Haley, e cila u rendit e treta.
“Në një pikë të kësaj gare, kishte 14 kandidatë. Anketimet tregonin se kisha një mbështetje prej 2 për qind, por sot, Ajova, bërë atë që di të bëjë më mirë. Sigurisht që do ketë analizë të rezultatit. Por, kur shihni se sa mirë po ia dalim në Nju Hemshër, në Karolinën e Jugut dhe më gjerë, mund të them me siguri që sonte Ajova i bëri zgjedhjet paraprake republikane një garë mes dy personash”, tha zonja Haley.
Sipëmarrësi Vivek Ramaswamy, i cili përfundoi i katërti, u tërhoq nga gara dhe njoftoi mbështetjen për ish presidentin Trump. Mes atyre që u renditën në fund, ishte edhe ish-guvernatori i Arkansasit, Asa Hutchinson, i cili, gjatë fushatët, nuk hezitoi të kritikonte zotin Trump.
“Njerëzit nuk e pëlqejnë të vërtetën e hidhur dhe nëse ju shprehni një mendim për diçka apo dikë që bie ndesh me mendimet e tyre, atëherë nuk merrni pëlqimin e tyre. Por unë kam besim se kam folur në mënyrën e duhur, kam thënë atë që besoj dhe tek e fundit, kjo ka më shumë rëndësi,” u shpreh ai.
Kryesisht, si demokratët dhe republikanët, marrin pjesë personalisht në zgjedhjet paraprake në Ajova, por këtë vit, demokratët po shprehin preferencën e tyre për kandidatin presidencial duke votuar me postë, ndërsa pritet që fitues të jetë Presidenti Joe Biden.
Demokratët po përqëndrohen tek votimet paraprake në shtetin e Karolinës së Jugut, në ngjarjen e madhe zgjedhore të kësaj partie, mes kritikave se Ajova dhe Nju Hemshër nuk ndryshojnë shumë dhe nuk janë shtete aq të mëdha sa të luajnë një rol të rëndësishëm në fillim të procesit për emërimin e kandidatit presidencial, argument me të cilin ish-guvernatori republikan i Ajovas, Terry Branstad nuk pajtohet.
“Sistemi që kemi, zgjedhjet paraprake në Ajova, që pasohen nga ato në Nju Hemshër, nënkupton se njerëzit në këto dy shtete, kanë një rol të rëndësishëm lidhur me atë, se kush do ta drejtojë vendin,” shprehet ai.
Fushata për emërimin e kandidatit republikanët tani zhvendoset në Nju Hemshër, në 23 janar, ku moti pritet të jetë më i mirë, ndoshta edhe pjesëmarrje më e lartë se sa në Ajova./VOA/