Connect with us

DOSSIER

Sekretet e “Projekt 84″: Operacioni për prodhimin “Made in Albania” të automatikut të Xhevdet Mustafës

Nga Afrim Imaj

Skëder Xhafa, njëri nga inxhinierët më të njohur të industrisë ushtarake, ka qënë ndër pro tagonistët e projekteve për prodhimin e armëve të Perëndimit në kohën e regjimit komunist.

I porsakthyer nga Italia ku shkon shpesh për të vizituar djalin që jeton aty, në përgjigje të interesimit tonë për të hedhur dritë mbi këto proçese të panjohura e të mbajtura secret në atë kohë, preferon të fokusohet kryesisht te projekti për prodhimin e automatikut të Xhevdet Musafës, kreut të bandës që zbarkoi në vjeshtën e vitin ’82, që ka qënë dhe një nga projektet më të vështira.

Arma e prodhimit amerikan e “faluar” nga banda terroristet, vlerësohej nga autoritetet e kohës një rast i mirë e mundësi reale për të nisur nga prodhimi i armëve perëndimore. Më shumë se novacion i rastit, futja në linjën “Made in Albania” e prodhimit të armëve të mbërritura nga matanë Atlantikut, shfaqej si një sfidë e rëndësishme politike.

Si e tillë vlerësohej mbi të gjitha nga krerët e kupolës së shtetit, të cilët prej kësaj mendonin për t’i hedhur në eksport këto prodhime. Pak a shumë ky ishte sfondi në të cilin nisi nga puna projekti për prodhimin e automatikut të kapobandës Xhevdet Mustafa, i cili vlerësohej nga specialistët e kohës si armë shumë e sofistikuar. Në përmbushjen e këtij projekti, njëherazi me angazhimin e uzinave dhe kombinateve ushtarake, morën pjesë rreth 1000 inxhinierë e specialistë nga më të mirët e sistemit të industrisë mekanike të vendit. U deshën dy vjet punë e përpjekje që arsenali shqiptar i armatimeve të koleksiononte të parin automatik perëndimor, kampionin e të cilit e solli një shqiptar, por jo me këtë destinacion. Në rrëfimin për gazetën “Panorama”, Skënder Xhafa sjellë një retrospektivë të plotë të përpjekjeve intensive për prodhimin e automatikut

“P-84”, i njohur si “kallashi i Xhevdet Mustafës”. Ish-drejtori i Uzinës së Artilerisë dhe një nga konstruktorëte automatikut model “Mustafa”, zbulon disa nga enigmat e kësaj historie dhe shfaq rezervat e tij për mënyrën e trafikut që nisi të bëhej në atë kohë, por edhe më vonë me armët e prodhuara në vend. Në tërë rrëfimin inxhinieri Xhafa nuk e fsheh krenarinë për mjeshtërinë e lartë të kolegëve, të cilët në kushte teje të vështira kanë mundur të realizojnë produkte të rralla, me të cilat në të tjera vende do të ishin laureuar disa herë e do të siguronin një të ardhme të mrekullueshme për jetën e tyre…

Zoti Skënder, njiheni si inxhinier në sistemin e industrisë ushtarake dhe kryesisht asaj të prodhimit tëarmëve. Në vitet e fundit të regjimit komunist, kjo industri ka implementuar në kushte të fshehta “Projekti 84” që përflitej se destinohej për prodhimin e armëve të markave Perëndimore. Çfarë mund të tregoni pas kaq vitesh për këtë histori misterioze?

Një histori e vjetër, e harruar tashmë kur jetojmë në kushte të tjera. “Projekt 84” ishte një nga nismat e rëndësishme që inicioi udhëheqja e lartë për t’u zbatuar në sistemin  industrisë ushtarake diku në mesin e viteve ’80. Nëpërmjet tij synohej prodhimi i një automatiku të ri të tipit perëndimor. Deri atëherë uzinat e kombinatet tona kishin prodhuar vetëm armë të tipave lindorë.

Sfida këtë radhë kishte të bënte me prodhimin e një arme tjetër. Ishte periudha kur krerët politikë promovonin moton “Shqipëria, as Lindje dhe as Perëndim”. Asaj do t’i përgjigjej edhe strategjia e industrisë ushtarake. “Projekt 84” ishte një nga sfidat e saj. Ishte koha kur kishim kopjuar gati tërë arsenalin e armëve të vendeve të Traktatit të Varshavës dhe synonim të provonim produktet e vendeve të NATO-s. Dhe diçka bëmë…

Çfarë kishte për objektiv “Projekt 84”?

Objektivi i tij ishte prodhimi i automatiku P-84. Një armë perëndimore me precizon të lartë dhe e manovrueshme për luftime të afërta. Për të mbërritur deri te ky produkt, u deshën gati dy vjet punë. Ishin me qindra inxhinierë, specialistë, konstruktorë e mjeshtër prodhimi, që vunë emrin e tyre në patentën e këtij produkti. Madje, jo vetëm nga sistemi i industrisë ushtarake, por nga tërë korpusi i ekspertëve të industrisë mekanike…

Si u realizua në atë kohë ky produkt nga konstruktorët e mjeshtrit e sistemit të uzinave ushtarake?

Besoj se është pa interes procedura teknike që u ndoq deri te realizimi i automatikut “P 84”. Procesi teknologjik ishte shumë kompleks dhe u materializua në dhjetëra ndërmarrje. Vetëm numri i inxhinierëve që u morën me konstruktimin e armës dhe linjave të prodhimit të sa arrinte aty te 250 vetë. Shumë të tjerë, mjeshtër prodhimi e konstruktorë, punuan për muaj me radhë për të mbërritur deri te produkti që i kishim premtuar partisë dhe udhëheqjes politike.

Në atë kohë, nga njerëz afër uzinave ushtarake qarkullonin zëra se automatiku “P-84” ishte një kopjim i armës së Xhevdet Mustafës?

Duhet theksuar se asokohe çdo gjë bëhej në kushtet e një sekreti të jashtëzakonshëm. Gjithsesi, nga gjithë ajo mori njerëzish e specialistësh që punuan për muaj me radhë, dikush e nxori sekretin. E vërteta është se “P-84” është një riprodhim i automatikut që iu kap Xhevdet Mustafës gjatë asgjësimit të bandës në vjeshtën e ’82 Udhëheqja e lartë e vlerësoi këtë një rast të mirë për t’i shtuar koleksionit të armëve “Made in Albania” edhe këtë armë të prodhimit perëndimor. Pikërisht këtu nisi edhe zanafilla e “Projektit 84”. Sfida u shfaq e vështirë qysh në fillim…

Diçka më konkrete për procesin e modifikimit të automatikut të Xhevdet Mustafës…

Duhet sqaruar se nuk bëhej fjalë për modifikim por për prodhim. Ishte një urdhër politik mbi bazën e të cilit u ndërtua tërë projekti. Pas asgjësimit të bandës së Xhevdet Mustafës në fillimin e viteve ’80, vetë kreu i shtetit rekomandoi prodhimin e armës së tij. Mjaftoi kaq për t’u ndezur tërë motorët e sistemit të industrisë ush- tarake. Specialistët më të mirë të saj, fillimisht morën kopjen që ishte në muzeun e Ministrisë së Brendshme. Prej aty filluan grupet e punës. Gjithçka drejtohej nga Instituti nr. 6, i destinuar për teknologjinë ushtarake. Mandej modeli u përthye në dhjetëra projekte…

Nga projektet te puna për prodhimin e automatikut “P-84″…

Automatiku i Xhevdet Mustafës ishte një prodhim artizanal. Ky ishte konkluzioni i parë që bënë special istët pas analizave shkencore të modelit. Prodhimi në linjë teknologjike, në këtë rast, bëhej shumë i vështirë, madje duhet thënë gati i pamundur. Të paktën për kapacitetet që ne posedonim në atë kohë. Debatet e mëtejshme na çuan në nevojën e thirrjes së specialistëve të huaj. Prania e tyre ishte e domosdoshme. Me informacionet që kishim përzgjodhëm tre specialistë italianë, nga më të mirët e fushës së prodhimit të armëve në rrugë artizanale. Dhe nuk u zhgënjyem…

Ju po thoni se kopjen e parë të automatikut “P-84” e bënë specialistët italianë, po mjeshtrit shqiptarë çfarë procesi realizuan në këtë projekt?

Demostrimi i “Kallashit të Xhevdet Mustahës” në paradën e vitit ’94 “Zhulali ua prezantoi për herë të parë amerikanëve”. Specialistët italianë u thirrën në ndihmë. Për ta u krijua një repart special në zonën e Bradasheshit. Ishte kjo një strukturë sekrete e uzinës së Çekinit në rrethin e Gramshit. Ata për muaj me radhë bënë me dhjetëra eksperimentime, të gjitha në rrugë artizanale për të prodhuar pjesët e këtij lloj automatiku. Çfarë u kërkua prej tyre, më në fund u realizua.

Madje nuk u prodhua një, por pesë automatikë tip P-84. Gjithsesi, kjo ishte vetëm një pjesë e punës. E para, se automatiku që mundën të riprodhojnë ata, kishte jo pak defekte e pasaktësi. Tjera kishte të bënte me faktin se nuk kërkohej të prodhonim thjesht një automatik që të ngjasojë me atë të Xhevdet Mustafës, por synonim krijimin e teknologjisë për ta prodhuar në seri “P-84”. Në fund të fundit, ky ishte edhe objektivi i “Projektit 84″…

Çfarë treguan eksperimetimet e para?

Në qoftë se në Bradashesh u bë eksperimentimi me pesë automatikët e parë, implementimi i linjës teknologjike u shtri në dhjetëra ndërmarrje të ushtrisë dhe të tjera të sistemit të industrisë mekanike të ekono misë. Gjithçka në këtë sipërmarrje drejtohej nga grupi i inxhinierëve të caktuar për këtë projekt në instituti numër 6, që kryesohej nga inxhinieri i talentuar Ilir Andoni.

Grupet që operonin në ndërmarrjet e ndryshme, kishin detyrime specifike. Çdonjëra prej tyre kishte për detyrë prodhimin e pjesëve të veçanta të kësaj arme. Finalen e këtij projekti duhej ta përmbyllte Uzina e Artilerisë, e cila kishte për detyrim të bënte montimin dhe kolaudimin e armës. Ju thoni se për prodhimin e automatikut të Xhevdet Mustafës kanë punuar dhjetëra ndërmarrje në të njëjtën kohë…

E vërteta është se ka qenë një sipërmarrje e jashtëzakonshme, në të cilën janë angazhuar shumë nga kombinatet dhe uzinat mekanike të vendit, sipas profilit dhe kushteve teknologjike që ofronin. Ndërkaq, ndërmarrjet e sistemit të industrisë ushtarake ishin të gjitha të integruara në këtë projekt të rëndësishëm…

A u kujtohen proceset që kryen ndërmarrjet në zbatim të këtij projekti?

Patjetër që më kujtohen, madje mbaj mend me hollësi të gjitha operacionet, të cilat prodhuan detalet e kësaj arme. Mjafton të kem përpara një automatik “P-84”, për të përshkruar prodhuesin e elementëve përbërës të tij. Të vijmë te konkretja. Trupi i “P-84” u prodhua në uzinën e autotraktorëve në Tiranë dhe në Kombinatin e Poliçanit. Shuli u realizua në uzinën e Çekinit në Gramsh dhe në atë të instrumenteve “Petro Papi” në Korçë. Karikatori në Uzinën e Artilerisë.

Fisheku 9 m/m në kombinatin e Poliçanit. Baruti në uzinën e Mjekësit. Ndërkaq, ndërmarrje të tjera të sistemit të industrisë mekanike, prodhuan detajet e tjera të konstruksionit të armës së Xhevdetit. Në këtë sipërmarrje u angazhua uzina “Partizani” e Tiranës, UEM-i i Durrësit, UMB e Korçës, Uzina Mekanike e Beratit, ajo e Patosit, uzina “Tirana” etj. Shkurt, një korpus i tërë njerëzish e ndër marrjesh prodhuese. Dhe jo në pak ditë, por për dy vjet me radhë deri sa nisi prodhimi në seri…

Cilat ishin vështirësitë më të mëdha që u përballuan gjatë këtij projekti?

I tërë procesi për prodhimin e automatikut P-84 ishte një sfidë e vështirë. Të riprodhoje në linjë teknologjike një armë të realizuar në rrugë artizanale, duhej kapërcyer një barrierë e jashtëzakonshme. Prandaj u desh kohë për të mbërritur pas shumë peripecive te produkti i parë. Në ecurinë e projektit hera-herës dilnin defekte të papritura. Një herë dilte me defekt karikatori, herën tjetër fisheku. Dorë pas dore u zgjidhën defektet që shfaqeshin në konstruktin e shulit, në atë të tytës, te kapsolla etj. Mbaj mend p.sh., problemet me fishekun.

Ndërkohë që kishim zgjidhur gati përfundimisht çështjen e konstruktit të automatikut, ishim duke dështuar me fishekun. Fillimisht operuam me fishekë austriakë. Me ta arma nuk paraqiste asnjë lloj shqetësimi. Më vonë zgjidhëm edhe prodhimin vendas të fishekut parabolë 9 mm që përdorte kjo lloj arme.

Dhe kur u zgjidh përfundimisht prodhimi i automatikut të Xhevdet Mustafës?

Aty nga fundi i vitit 1986, prodhimi u fut në linjë teknologjike. Për kohën ishte një arritje e madhe, por u kalua pa bujë. Madje, gjithçka u rezervua top sekret. Më shumë se një produkt ushtarak, automatiku “P-84” ishte menduar për t’i dhënë impakte eksportit. Qëllimi ishte për t’u futur në trafikun e fshehtë të armatimit…

A pati ndryshime automatiku “P-84” që u prodhua nga mjeshtrit shqiptarë nga ai i Xhevdet Mustafës?

Për të mbërritur deri te produkti përfundimtar, dolën mjaft skarcitete, kuptohet me një kosto goxha të lartë. Megjithatë këmbëngulja ishte e jashtëzakonshme dhe më në fund mbërritëm te suksesi, nxorëm në dritë au- tomatikun “Made in Albania”, sipas origjinalit dhe në parametrat teknikë e fizikë. Problemi i fundit ishte eliminimi i zhurmës, të cilën mundëm ta realizojmë pas disa eksperimentimeve. Filluam pastaj nga prodhimi në seri…

Sa armë të tilla u prodhuan?

Nga sa më kujtohet, deri në fundin e viteve ’80, u prodhuan rreth katër mijë automatikë “P-84”. Objektivi i qeverisë komuniste synonte të prodhoheshin mbi 2 mijë të tilla në vit. Gjithnjë me synim eksportin, i cili siç flitej nën zë në atë kohë ishte me shumë interes. Por rrethanat që erdhën e ndërprenë procesin. Unë mbaj mend që ky lloj automatiku u demostrua për herë të parë në paradën e vitit ’94. Aty, ministri i Mbrojtjes Safet Zhulali ua prezantoi dhe ushtarakëve amerikanë… (Panorama)

Advertisement