Kosova
Osmani tregon plagët në turqi/ Presidentja në Forumin e Antalias
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Forumin Diplomatik të Antalisë, është shprehur se pavarësisht se Kosova ka numrin më të madh të fëmijëve të vrarë në luftërat e Ballkanit, ka zgjedhur dialogun si zgjidhje paqësore për mosmarrëveshjet me Serbinë, dhe sipas saj, kjo ka qenë zgjidhja e vetme për të ecur përpara.
“Kemi tejkaluar pushtimin shekullor, kemi qenë viktima të gjenocidit, viktima të krimeve të luftës, kemi numrin më të madh të fëmijëve të vrarë në luftërat e Ballkanit, qindra mijëra gra të përdhunuara. Shumë, plagë të hapura. Por përkundër kësaj dhimbje ne kemi zgjedhur dialogun si mënyrën e vetme për të ecur përpara. Kemi mundur të mësojmë se sa vështirë është të zgjedhësh paqen edhe në kohë lufte” – ka deklaruar Osmani duke theksuar se “Në kohë trazirash dhe tensionesh, është shumë mirë të dish se kush qëndron prapa teje, fuqia jonë në ditë të mira dhe të këqija”.
Presidentja, duke folur në Forumin Diplomatik të Antalias ka thënë se është rritur bashkë me Kosovën si shtet dhe që nga përvoja e Kosovës dhe përvoja personale mund të mësohet se sa e vështirë është që të zgjedhësh paqen dhe diplomacinë në luftë.
Osmani ka rikujtuar që pavarësisht faktit se Kosova ishte viktimë e luftës dhe gjenocidit, kishte zgjedhur Marrëveshjen e Rambujesë, edhe pse në të s’ishte pjesa më e madhe e asaj që ishte kërkuar, megjithatë, sipas saj, ajo ishte një marrëveshje e paqes, sepse hapte rrugë për aleanca.
Presidentja ka folur gjithashtu edhe për përkrahjen ndërkombëtare, duke thënë se në rastin e Kosovës është ndryshe. Ajo ka përmendur përkushtimin e madh ndërkombëtar, dhe potencoi se vendi ka hyrë në fazën e tretë të forcimit të demokracisë.