Connect with us

Rajon

“Veprimet e tyre minuan sundimin e ligjit”/ DASH shpall non-grata tre zyrtarë të lartë në rajon

Departamenti Amerikan i Shtetit shpall sot emërimin publik të ish-kryeprokurores speciale të Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva; kryetari aktual i Karposhit, Maqedonia e Veriut, Stevço Jakimovski; dhe ish-kryetari i Kaçanikut të Kosovës, Xhabir Zharku. Veprimet e tyre minuan sundimin e ligjit dhe besimin e publikut në institucionet demokratike dhe proceset publike të qeverive të tyre përkatëse.

Në cilësinë e saj zyrtare si ish-kryeprokurore speciale e Maqedonisë së Veriut, Janeva ishte e përfshirë në akte korruptive, duke përfshirë përdorimin e ndikimit të saj politik dhe pushtetit zyrtar për përfitime personale. Ka informacione të besueshme që Janeva ka kërkuar dhe ka pranuar ryshfet për të ndikuar në një prokurori nën kompetencën e saj.

Në cilësinë e tij zyrtare si kryetar i komunës së Karposhit, Maqedonia e Veriut, Jakimovski ishte i përfshirë në akte korruptive, duke përfshirë përdorimin e pozitës së tij zyrtare për të ndërhyrë në zhvillimin urban dhe proceset e prokurimit për të përfituar veten dhe bashkëpunëtorët e tij.

Në cilësinë e tij zyrtare si kryetar i komunës së Kaçanikut, Kosovë, Zharku ishte i përfshirë në akte korruptive, duke përfshirë përdorimin e pozitës së tij për të ndërhyrë në proceset e prokurimit për të lejuar në mënyrë të paligjshme ndërtimin në pronën në pronësi të komunës, për të përfituar vetë dhe bashkëpunëtorët e tij.

Këto emërtime riafirmojnë përkushtimin e SHBA-së për të mbështetur sundimin e ligjit dhe forcimin e institucioneve demokratike në të gjithë Ballkanin. Departamenti do të vazhdojë të përdorë të gjitha autoritetet në dispozicion për të promovuar llogaridhënien për aktorët e korruptuar në rajon dhe globalisht.

Rajon

“Na pret edhe një luftë tjetër”/ Dodik trondit me deklaratën e tij

Milorad Dodik në një fjalim gjatë përkujtimit të Ditës së Fitores mbi Fashizmin në Banja Luka të Republikës Serbe, tha se është koha për të luftuar për “çlirimin” nga Bosnja dhe Hercegovina.

Ai vijoi me kërcënime për ndarjen e shtetin shtetit boshnjak.

“Sot kujtojmë Ditën e Fitores mbi Fashizmin – ditën kur fuqia më e errët në botë në atë kohë – Gjermania, hodhi armët. Gjermania, regjimi i së cilës është përgjegjës për vdekjen e më shumë se 30 milionë njerëzve. Serbët pësuan rëndë humbje, së bashku me rusët, hebrenjtë dhe të gjithë ata që e kundërshtuan atë ideologji, duke besuar në lirinë dhe barazinë e të gjithë njerëzve pa dallim kombësie apo feje”, tha fillimisht ai.

“Gjermania në atë kohë nuk i njihte ide të tilla, ajo u përpoq për nënshtrim, për të zgjeruar ndikimin e saj si një fuqi e vonuar koloniale. Kishte mundësinë të zgjerohej drejt Ballkanit dhe Rusisë, gjë që e bëri”, theksoi Dodik.

Ky i fundit pohoi se “fakti është se viktimat më të mëdha ishin në mesin e popullit serb dhe rus” dhe se kjo zbulon qëllimin e vërtetë të fashizmit, raporton klix.ba.

Ai sërish deklaroi se Republika Serbe do të shkëputet nga Bosnja dhe Hercegovina me fjalët “se populli serb po përballet me një luftë të re – luftën për çlirim nga Bosnja dhe Hercegovina”.

“Na pret edhe një luftë tjetër, ajo është lufta për çlirimin nga Bosnja dhe Hercegovina”, tha Dodik.

Ai tha se liria është ajo që e bashkon popullin serb në tërësi.

“Fitorja mbi fashizmin është e përhershme dhe nuk mund të zëvendësohet me asgjë tjetër. Rezistenca jonë ndaj çdo forme presioni të ushtruar këtu është jashtëzakonisht e fortë”, përfundoi Dodik.

Continue Reading

Rajon

Vasalët kinezë, media gjermane për Vuçiç dhe Orban

Mediat në gjuhën gjermane kanë raportuar gjerësisht për turneun e presidentit kinez Xi Jinping nëpër tre vende evropiane, porse qëndrimi i tij në Serbi mori vëmendje të madhe në analiza.

“Koha është simbolike”, vlerëson Zidojce Zeitung, duke kujtuar se ditën e djeshme u mbushën plot 25 vjet që kur avionët e NATO-s bombarduan ambasadën kineze në Beograd.

“Në Beograd e kanë të nevojshme të prodhojnë imazhe “ikonike” për audiencën në Kinë, por edhe për të gjithë jugun global për të vënë në dukje “hipokrizinë” e NATO-s të udhëhequr nga SHBA-të” –  thotë Alicja Bahulska nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

“Serbia do të tregojë se NATO nuk ofron siguri, por punon kundër interesave të Kinës dhe Rusisë” –  tha ajo për Zidojce.

Bahulska më tej vlerësoi se ofimi I qilimit të kuq Xi,  i përshtatet stilit “oportunist” të presidentit serb Aleksander Vuçic. Sipas saj nga njëra anë, ai aspiron të anëtarësohet në BE, por nga ana tjetër, përmes “miqësisë së fortë” me rivalin strategjik të Brukselit, Vucic po përpiqet të forcojë pozicionin e tij negociues.

Një gjë e ngjashme përmendet edhe në analizën e një programi tjetër të shërbimit publik ZDF. Aty, Abigail Vaselije nga Instituti ‘Mercator’ për Studimet e Kinës thotë se koha e vizitës në Serbi është një simbol që Xi refuzon zgjerimin e NATO-s drejt lindjes.

“Berliner Zeitung” shkruan se Vuçicit “i duhen Kina dhe Rusia për të minuar planet perëndimore për të ardhmen e Kosovës”.

Për RND foli Reinhard Buttikofer, përfaqësuesi evropian i të Gjelbërve gjermanë, i cili e sheh viziten e presidentit kinez në Serbi dhe Hungari si një “provokim” për Bashkimin Europian.

Butikofer i quajti Vuçicin dhe kryeministrin hungarez Viktor Orbán si “dy vasalët më të rëndësishëm të Kinës në Evropë”. Duke shkuar në Beograd dhe Budapest, sipas Bitikofer, Xi tregoi se ambiciet gjeostrategjike të Pekinit nuk janë aspak të kufizuara vetëm në Azi.

Për shërbimin publik zviceran SRF foli eksperti i Kinës Johan Fuhrman, i cili mendon se turneu i Xi-t ka për qëllim edhe publikun vendas, për të treguar se Kina ka miq në botë.

“Kinezët po përpiqen të luajnë me kartën se ka interesa të ndryshme evropiane” – theksoi Furman

Continue Reading

Rajon

Rotacion në Maqedoninë e Veriut: Opozita fiton bindshëm zgjedhjet e dyfishta

Partia maqedonase, VMRO-DPMNE duket se ka marrë një fitore të thellë në zgjedhjet e dyfishta, presidenciale dhe parlamentare, sipas rezultateve paraprake të publikuara në faqen zyrtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Nga rreth 80% e kutive të hapura, VMRO po udhëheq me 42.75% të votave. Në vend të dytë është renditur Fronti Evropian që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) i Ali Ahmetit me 14.42% të votave ndërsa në vend të tretë ka zbritur koalicioni i udhëhequr nga Lidhja Social Demokrate, LSDM që aktualisht është në pushtet, por që ka vetëm 14.67% të votave.

Koalicioni VLEN i partive opozitare shqiptare është i katërti me 11.38% të votave. Pas daljes së këtyre rezultateve LSDM në pushtet tha se do të pranonte verdiktin e popullit.

“Zgjedhjet ishin të ndershme dhe demokratike. Qytetarët thanë qartë zgjedhjen e tyre. Falënderojmë qytetarët që votuan në mënyrë të kulturuar dhe demokratike dhe institucionet për korrektësi dhe rend. Rezultati i sovranit do të pranohet”, – deklaroi zëdhënësja e LSDM-së. Ajo shigjetoi edhe BDI-në që bojkotoi zgjedhjet presidenciale. “Secila parti duhet t’i përgjigjet vetes dhe qytetarëve për veprimet e saj në zgjedhje”, – tha zëdhënësja Bogdanka Kuzeska.

Ndërsa në selinë e VMRO-DPMNE-së janë të bindur se do të marrin mbi 61 deputetë duke e bërë të vetëm qeverinë pa pasur nevojë për koalicion me votat e shqiptarëve. Sipas një projeksioni paraprak (shih më poshtë) kjo forcë ka 59 deputetë. “Fronti Evropian” ka 19 deputetë ndërsa LSDM e ndjek me 18 deputetë dhe VLEN me 13 deputetë.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, dalja në zgjedhjet parlamentare ishte 53.41%. Qytetarët votuan për 17 parti dhe koalicione të cilat garonin për deputetë të Parlamentit të ri prej 120 ulësesh.

VMRO DPMNE është duke fituar bindshëm edhe zgjedhjet për presidentin e ri. Sipas rezultateve të 84.18% të kutive të numëruara, kandidatja e opozitës maqedonase Gordana Siljanovska Davkova ka 64.84% të votave ndërsa presidenti aktual Stevo Pendarovski i LSDM-së nuk ka shkuar më shumë se 29.29% të votave.

Pas shpalljes së këtyre rezultateve Perndarovski pranoi humbjen dhe përgëzoi Siljanovskën, por edhe VMRO-DPMNE-në për fitoren dhe u uroi punë të suksesshme.

Dalja në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale ishte 46.31%, që nënkupton se është arritur pragu i nevojshëm prej 40% që votimet të konsiderohen të suksesshme. Ra në sy që në zonat me popullsi shqiptare u bojkotua votimi për presidentin e vendit. VMRO DPMNE-ja tha pas daljes së rezultateve se “dështoi skenari i Bashkimit Demokratik për Integrim [BDI] për dështimin e zgjedhjeve presidenciale”.

Timço Musunski nga VMRO-ja tha “fituese e zgjedhjeve është VMRO DPMNE-ja ndërsa BDI-ja do të shkojë në opozitë”. Zëdhënësi i shtabit zgjedhor të Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, tha se procesi zgjedhor ka qenë demokratik dhe se fitues i zgjedhjes është Fronti Evropian që udhëhiqej nga BDI-ja.

Procesi zgjedhor u zhvillua në 3480 vendvotime, ndërsa mbarëvajtja e tyre u monitorua nga 1300 vëzhgues vendorë dhe 860 të huaj. Këto ishin zgjedhjet e para të dyfishta që u mbajtën në Maqedoninë e Veriut që nga vendosja e demokracisë në vitet ‘90.

Continue Reading

Rajon

Vizita e Ramës në Greqi/ Mitsotakis: Nuk vjen si i ftuar i Qeverisë, por s’e pengojmë dot

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, ka komentuar ditën e sotme vizitën që pritet të mbajë kryeministri Rama në Greqi më 12 Maj. Në një deklaratë për mediat  greke Mitsotakis ka thënë se Rama nuk është i ftuar i qeverisë së tij, por nuk e pengojmë dot.

“Edi Rama vjen të bisedojë me bashkëkombasit e tij. Zgjedhja e Ramës për këtë vizitë më duket e panevojshme. Nuk e pengojmë S’e pengojmë tubimin e Ramës, as e ndihmojmë”, ka sqaruar ai.

Vizita e Ramës zhvillohet në një kohë kur Kyriakos Mitsotakis e ka përfshirë kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri në listën e 42 kandidatëve në garën për një mandat në Parlamentin Europian. Ndërkohë kujtojmë se Beleri është dënuar nga GJKKO me 2 vite burg për blerje votash vitin e kaluar.

Continue Reading

Rajon

Maqedoni e Veriut, sot votimet për parlamentin e presidentin, mbi 1.8 mln qytetarë me të drejtë vote

Në Maqedoninë e Veriut sot mbahen zgjedhjet parlamentare dhe raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale.

Kutitë e votimit në 3840 vendvotime u hapën në ora 07:00 e do mbyllen në 19:00, ndërsa të drejtën e votës e kanë mbi 1.8 milion votues, të cilët do votojnë për 17 parti politike dhe koalicione.

Po sot do votohet edhe për raundin e dytë për zgjedhjet presidenciale, ku në garë janë Stevo Pendarovski nga koalicioni i LSDM-së dhe Gordana Siljanovska-Davkova nga koalicioni i VMRO-DPMNE-së.

Që zgjedhjet presidenciale të jenë të suksesshme, përveç se njëri nga dy kandidatët duhet t’i fitojë shumicën e votave të qytetarëve, kërkohet edhe që dalja në zgjedhje të jetë së paku 40 për qind e qytetarëve të regjistruar në Listën Zgjedhore, ose rreth 725.000 votues.

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) njoftoi se sot qytetarët do të mund të hyjnë në vendvotim vetëm një herë dhe do t’u ofrohet mundësia të votojnë për president dhe deputetë ose vetëm për njërën nga dy zgjedhjet e mundshme.

“Votuesi merr dy fletë votimi nëse vendos të votojë për të dyja llojet e zgjedhjeve ose vetëm një fletë votimi për zgjedhjet për të cilat vendos të votojë”, theksuan nga KSHZ.

Zgjedhjet do vëzhgohen nga 2000 vëzhgues, nga të cilët 1078 janë vendas dhe 770 vëzhgues të huaj. Zgjedhjet do të ndiqen nga 66 gazetarë të huaj.

Misioni i OSBE/ODIHR ka akredituar 410 vëzhgues dhe 14 ekspertë. Zgjedhjet do të monitorohen nga 138 vëzhgues nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së, komisioni ad hoc i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës me 33 vëzhgues, si dhe 68 vëzhgues nga Ambasada Amerikane në Shkup.

 

Continue Reading
Advertisement

TRENDING