Connect with us

Politike

Berisha fton demokratët t’i bashkohen protestave: Përfaqësojnë sakrificën e vërtetë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje për vijimin e mbështetjes ndaj protestave qytetare që zhvillohen në Tiranë.

Në një deklaratë për mediat, Berisha i cilësoi protestat si një lëvizje qytetare me pjesëmarrje të gjerë dhe u kërkoi mbështetësve të Partisë Demokratike, si edhe qytetarëve të tjerë, të vazhdojnë të jenë pjesë e tyre.

Sipas kreut të PD-së, protestuesit përfaqësojnë, sipas tij, kërkesën për liri, dinjitet dhe ndryshim. Ai tha se tubimet janë një shprehje e angazhimit qytetar dhe i ftoi shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit, t’i mbështesin ato.

“Gjithashtu, duke përshëndetur protestën qytetare popullore për suksesin e saj të jashtëzakonshëm si lëvizja qytetare më e fuqishme dhe jetëgjatë e kontinentit, si lëvizja qytetare në të cilën çdo i ri dhe çdo qytetar dëshmon sakrificën e tij të madhe që e bën për vendin e tij dhe qytetarët shqiptarë.

Protesta që zgjat çdo orë është një thirrje në ndërgjegjen e çdo shqiptari që e do Shqipërinë, është një thirrje në ndërgjegjen e çdo të riu, e çdo të moshuari, e çdo vajze, nëne, motre, e çdo burri, djali të mbështesim këtë protestë që bën krenarë shqiptarët në mbarë botën.

Ata të rinj, ata qytetarë që protestojnë çdo natë me orë të tëra, në të vërtetë janë zëri i ndërgjegjes të një shoqërie të tërë të dhunuar, të shtypur.

Janë zëri i ndërgjegjes së interesit kombëtar.

Përfaqësojnë sakrificën e vërtetë qytetare dhe rinore për liri dhe dinjitet njerëzor dhe kombëtar.

Ndaj dhe ftoj çdo demokrate e demokrat, çdo mbështetëse dhe mbështetës të PD, por edhe çdo qytetar shqiptar në Shqipëri dhe në botë, kudo që ndodhen, të mbështesin me të gjithë mundësitë e tyre këtë protestë që bën krenar çdo njeri që i thotë lirisë, liri, dhe dinjitetit njerëzor, dinjitet njerëzor”, u shpreh Berisha.

Advertisement