Bota
Sulmi me 133 të vdekur në një sallë koncertesh në Moskë, Rusia shpall një ditë zie
Rusia po mban një ditë zie pasi të paktën 133 persona u vranë të premten në mbrëmje në një sulm në një sallë koncertesh në Moskë. Flamujt janë valëvitur në gjysmështizë dhe shumë evente janë anuluar.
Më shumë se 140 njerëz mbetën të plagosur gjithashtu kur persona të armatosur hynë në sallën e koncerteve, duke qëlluar pa dallim përpara se t’i vinin flakën.
Grupi i Shtetit Islamik (ISIS) ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por Rusia nuk ka komentuar lidhur me këtë. Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se të katër personat e armatosur që kryen sulmin janë arrestuar. Në një fjalim televiziv të shtunën, Putin dënoi masakrën – më vdekjeprurëse në Rusi për gati 20 vjet – si një “akt barbar terrorist” dhe përsëriti sugjerimet e mëparshme nga shërbimet ruse të sigurisë se sulmuesit ishin përpjekur të arratiseshin në Ukrainë. Kievi hodhi poshtë pretendimin se ishte në një farë mënyre i përfshirë në sulm duke e cilësuar si “absurd”.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi Putinin se kërkon të “fajësojë” Ukrainën për sulmin. “Ky Putin i pavlerë, në vend që të merrej me qytetarët e tij të Rusisë, duke iu drejtuar atyre, heshti për një ditë – duke menduar se si të përfshinte Ukrainën”, tha ai në fjalimin e tij të natës. Këshilli i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së tha se e paralajmëroi Rusinë për një sulm të mundshëm ndaj “mbledhjeve të mëdha”, përfshirë koncerte, në Moskë në fillim të këtij muaji. Kremlini në atë kohë e hodhi poshtë atë si “propagandë” dhe një përpjekje të Uashingtonit për të ndërhyrë në zgjedhjet e fundit ruse. Të shtunën, Shtëpia e Bardhë tha se dënoi sulmin “të urryer” dhe e përshkroi IS si “një armik të përbashkët terrorist që duhet mposhtur kudo”.