Connect with us

Aktualitet

Precedent i pa ndodhur më parë! Kuvendi nën akuzë për votimin pa kuorum të ligjit për Investimet Strategjike

Në seancën plenare të 7 marsit, nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj injoroi protestën me pankarta dhe bilbilë të deputetëve të opozitës dhe hodhi për votim pesë projektligje, mes të cilave edhe propozimin kontrovers për shtyrjen e afatit të ligjit për Investimet Strategjike deri më 31 dhjetor 2024.

Deputetët socialistë ngritën kartonët jeshilë dhe brenda pak minutash, ligjet u konsideruan të miratuara. Procesi i votimit vazhdoi edhe pasi deputetët e opozitës i kujtuan drejtueses së seancës, Felaj, se nuk kishte kuorumin e nevojshëm për të vazhduar me procesin e votimit.

Por videot e trasmetimit të seancës tregojnë Felajn teksa këmbëngul se ishte kuorumi i nevojshëm si në nisje të seancës, ashtu edhe gjatë procesit të votimit.

“Në kushtet që ju krijoni, unë nuk kam detyrim që t’u jap përgjigje juve, që vini këtu për të prishur seancën,” dëgjohet Felaj t’u thotë deputetëve demokratë.

 

 

Që një proces votimi të quhet i vlefshëm duhet të marrin pjesë 70+1 deputetë, ndërkohë që në seancën e 7 marsit votuan për prezencën e tyre në procesin e votimit 68 deputetë, shifër që konfirmohet dhe në procesverbalin e zbardhur dhe të publikuar në faqen e Kuvendit.

Njëzet ditë më vonë, situata në Kuvend ka ndryshuar dhe deputetët e opozitës kanë zënë vendet e tyre pas një pakti të arritur me mazhorancën për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare.

Megjithatë, legjitimiteti i votimeve të 7 marsit është rikthyer për diskutim në Kuvend, ndërsa kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi ka kërkuar anulimin e votimit dhe përsëritjen e tij procesi ka qenë në shkelje të Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit.

“Për të pesë projektligjet e votuara, numri i deputetëve që kanë marrë pjesë në votim ka qenë më i ulët se kuorumi minimal i kërkuar nga neni 78, pika 1, e Kushtetutës së Shqipërisë, dhe neni 55, pika 2, e Rregullores së Kuvendit”- argumenton Bardhi në kërkesën e tij.

Bardhi pretendon në letrën e tij drejtuar Kuvendit se “shkelja është kryer me dashje të plotë”, duke kujtuar se ata e kishin paralajmëruar nënkryetaren Felaj për mungesën e kuorumit.

Gjatë ringritjes së këtij pretendimi në seancën e fundit të së enjtes nga Bardhi, Nikolla u përgjigj se po priste qëndrimin e sekretariatit.

Një burim zyrtar në administratën e Kuvendit i tha BIRN-it se çështja po adresohej nga Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën. Sipas burimit, Sekretariati pritet të mblidhet brenda javës për të marrë një vendim nëse duhet anuluar seanca dhe të rihidhen për votim projektligjet e miratuara në seancën e 7 marsit.

Kuvendi gjendet përballë një precedenti të pandodhur më parë, ndërsa mënyra se si verifikohet pjesëmarrja në procesin e votimit është e sanksionuar në Kushtetutë, në rregulloren e Kuvendit dhe në të paktën dy vendime të Gjykatës Kushtetuese, të cilët citohen në kërkesën e dorëzuar nga Bardhi.

“Për përcaktimin e kuorumit dhe të shumicës së deputetëve, sipas parashikimit të pikës 3 të këtij neni, Kryetari i Kuvendit i referohet vetëm numrit të deputetëve që kanë votuar,” thuhet në pikën 4 të nenit 55 të Rregullores së Kuvendit.

Me anë këtij procesi të kontestuar Kuvendi miratoi 5 projektligje, ndër to dhe propozimin për zgjatjen e efekteve të ligjit “Për investimet strategjike” deri më 31 dhjetor 2024, edhe pse ligji është kritikuar nga ekspertët se ka shërbyer për favorizuar një grup oligarkësh pranë qeverisë.

Projektligjet e tjera që u votuan në seancën e 7 marsit janë projektligji “Për burimet ujore”, ndryshimet në ligjin “Për Turizmin”, projektligji për Mbrojtjen e Konkurrencës si dhe disa ndryshime në ligjin “Për arsimin dhe formimin profesional”. /Birn/

Advertisement