✦
Thinking ...
Connect with us

Bota

SULM KIBERNETIK NDAJ PARLAMENTIT ITALIAN, SHËNJESTROHET EDHE EMAIL-I I MELONIT

Sistemet informatike të Dhomës së Deputetëve në Itali janë goditur nga një sulm kibernetik masiv, i cili kishte në shënjestër adresat elektronike të disa ligjvënësve, përfshirë llogarinë parlamentare të kryeministres Giorgia Meloni.

Burime nga parlamenti italian konfirmuan se sulmi preku sistemin e institucionit gjatë ditëve të fundit, por teknikët arritën ta mbanin situatën nën kontroll.

Ende nuk është përcaktuar nëse autorët kanë arritur të hyjnë në llogarinë e Melonit ose të sigurojnë të dhëna. Zyra e kryeministres sqaroi se adresa e shënjestruar i përket mandatit të saj si deputete dhe nuk përdoret për komunikimet qeveritare.

Dhoma e Deputetëve deklaroi se nuk bëhet fjalë për një emergjencë dhe se janë aktivizuar masat mbrojtëse në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare Italiane për Sigurinë Kibernetike.

Masat mund të përfshijnë çaktivizimin e përkohshëm të disa funksioneve të sistemit, sipas procedurave të sigurisë.

Autoritetet raportuan gjithashtu se gjatë ditëve të fundit janë intensifikuar përpjekjet për sulme kibernetike ndaj institucioneve të tjera italiane, evropiane dhe ndërkombëtare. Deri në momentin e raportimit nuk është bërë publik identiteti ose origjina e autorëve.

Advertisement