Connect with us

Aktualitet

Frika nga SPAK, zyrtarët hezitojnë të firmosin tenderat?!

Në vitin 2024 janë programuar të investohen 135 miliardë lekë (1,3 miliardë euro) niveli më i lartë historik që nga viti 1990, por në dy muajt e parë të këtij viti janë disbursuar vetëm 0,9 miliard lekë (8,8 milionë euro) që përbëjnë vetëm 0.6% të buxhetit vjetor. Juristët në entet publike pohuan se arrestimet e fundit të SPAK në nivelet e larta drejtuese e kanë rritur frikën te zyrtarët aktualë, të cilët nuk po firmosin aq lehtë sa më parë. Të dhëna ditore nga thesari tregojnë se pagesat kryesore janë për paga, pensione dhe pushtetin vendor, ndërsa pagesat më të mëdha janë bërë deri më tani ndaj tunelit të Llogorasë dhe investimeve të mëdha në infrastrukturën rrugore.

Por ndërkohë tenderat me vlera mesatare dhe më të vogla, të cilat duket se janë edhe më të manipulueshme, nuk po zhvillohen. Ndër vite është krijuar një grup i ngushtë kompanish që marrin tenderat në sektorë të caktuar të administratës. Mirëpo hedhja e firmës është bërë më e vështirë, duke lënë shumë sektorë publikë në vështirësi funksionimi. Në raportin vjetor për vitin 2023, SPAK evidentoi se korrupsioni në administratën publike është mjaft i përhapur në prokurime dhe koncesione PPP.

Skema e pastrimit të parave të korrupsionit, sipas raportit të SPAK, është mjaft komplekse, pasi në rastin e shkeljes së barazisë së tenderave publikë, ka si qëllim, jo vetëm të krijojë një skemë fiktive midis funksionarëve të lartë publikë për fshehjen e akteve korruptive, por, mbi të gjitha, ajo shërben edhe si një skemë pastrimi e produkteve të veprave penale.

Sipas SPAK, funksionari publik fillimisht bie dakord me personat juridikë të ndryshëm, të cilët do të përfshihen në skemë për të realizuar anën formale dhe për të përfituar fondet publike në kundërshtim me ligjin. Më pas, këto fonde kalojnë në formë pagesash te shoqëritë tregtare, të cilat kanë lidhje me funksionarin e lartë publik dhe personat e tjerë të përfshirë në këtë skemë korruptive. Këto fonde, nga llogaritë e kompanive, më pas transferohen në llogari të tjera brenda dhe jashtë vendit, duke u investuar në pasuri të tundshme, ose të patundshme.

Tendenca është që, paraqitja e skemës së pastrimit të parave të organizohet e atillë që, shumësia e veprimeve ligjore dhe transaksioneve financiare që kryejnë personat juridikë përfitues të këtyre fondeve, të duken si veprime të ligjshme. Këto veprime financiare copëzohen në dhjetëra transaksione në formë kryerjesh pagesash te kompanitë, të cilat nënkontraktohen për të kryer punime të ndryshme sipas specialitetit të tyre.

“Në fakt, në disa raste, kompanitë e nënkontraktuara janë pjesë e së njëjtës skemë dhe kontrollohen nga të njëjtët individë, që kanë organizuar këtë skemë korruptive. Kompanitë nënkontraktuese themelohen dhe drejtohen nga persona, që janë të afërm ose persona të besuar të atyre që i drejtojnë këto skema korruptive”, njoftoi SPAK.

Pasi fondet kalojnë në kompanitë nënkontraktore, ato transferohen jashtë vendit ose investohen në pasuri të tjera nën emra fiktivë, por, të cilat shfrytëzohen nga zyrtarët e korruptuar, ose të afërm të tyre. Kryesisht, si ndërmjetës është një funksionar tjetër publik, i cili ka të dhëna mbi kriteret e fondit publik të çelur. Ky i fundit ndërmjetëson me personin juridik fitues të tenderit publik. Të gjithë personat e përfshirë si ndërmjetës veprojnë së pari, për të mbuluar natyrën e vërtetë të veprimit të paligjshëm, dhe së dyti, për përftim material, por dhe përfitim në formë dhënie aksesi të paligjshëm në fonde të tjera publike.

KLSH gjen një “mal” me probleme tek investimet publike

Në vitin 2022, përfundoi investimi i godinës së Pediatrisë infektive në QSUT, në vlerën 26 milionë lekë, por Kontrolli i Lartë i Shtetit, që ka verifikuar projektin, është shprehur se nuk është arritur zgjidhja e qëndrueshmërisë së godinës me rrezik të lartë në rast tërmeti. Gjithashtu në një tender tjetër, KLSH gjeti se, zhvillimi i procedurës së prokurimit ishte bërë me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës me objekt “Mirëmbajtje e pajisjeve mjekësore për përballimin e nevojave ekstreme.

Në të gjitha procedurat e prokurimit për periudhën objekt auditimi, për mirëmbajtjen e pajisjeve mjekësore, blerjen e pajisjeve mjekësore dhe barnave, është vendosur kriteri favorizues i kualifikimit: autorizim nga prodhuesi. Kontrolli i Lartë i Shtetit njoftoi Kuvendin nëpërmjet raportit vjetor 2023 se në procesin e planifikimit buxhetor nuk respektohen afatet në përgatitjen dhe nxjerrjen e akteve nënligjore lidhur me kalendarin e menaxhimit të shpenzimeve publike.

Në vitin 2022 janë konstatuar 29 raste, ku projektet e investimit 2-3-vjeçare të miratuara për Projektbuxhetin Afatmesëm (PBA) 2021-2023, nuk reflektohen në PBA 2022-2024, ose reflektohen me vlera konsiderueshëm më të ulëta, me qëllim ruajtjen e tavaneve të miratuara dhe alokimin e fondeve për projekte të reja. Janë gjetur 16 raste, ku projektet e investimit miratohen fillimisht në PBA 2021-2023, si projekte të reja me vlerë të ulët dhe më pas rriten në PBA 2022-2024 me vlerë të konsiderueshme.

Sipas KLSH-së, buxheti është ndryshuar me akte normative para muajit korrik, në mungesë të dokumentacionit bazë dhe atij shoqërues, i cili kërkohet nga Ligji organik i buxhetit, si në rastin e projektbuxhetit vjetor, si dhe pa respektuar afatet përkatëse. Gjithashtu, KLSH vëren se gjatë raportimit dhe monitorimit të buxhetit: janë konstatuar problematika në kryerjen e shpenzimeve korrente, sipas kodeve të produkteve buxhetore, ndryshime midis objektivave të produkteve të buxhetit.

Janë konstatuar problematika që në detajimin e projekteve të investimeve publike me akt normativ. “Konstatohen projekte investimi me përshkrimin ‘Fond i ngrirë’, detajim i fondeve pa projekt specifik në çeljen fillestare” shprehet KLSH. Gjithashtu, vitet e fundit, ka prirje të ulët vlera e investimeve kapitale të kryera me burim të huaj financimi, duke nxjerrë në pah mungesën e një roli aktiv të Ministrisë së Financave dhe të institucioneve publike përfituese të këtyre financimeve, si dhe mungesën e një analize më të thellë për zbatimin e projekteve, për të përcaktuar se ku dhe nëse mund të bëhen përmirësime, veçanërisht në lidhje me zbatimin e monitorimin e tyre.

Rritet përqendrimi i pagesave të investimeve në dhjetor, tregues keqmenaxhimi

Financat publike të vendit kanë vuajtur nga përqendrimi i pagesave të investimeve në fund të vitit, por kjo prirje vitet e fundit është përforcuar më tej pas vitit 2014 (shiko grafikun: totali i planit vjetor për investimet kapitale, fondi vjetor dhe realizimet gatë muajit dhjetor). P.sh. në vitin 2001, zëri i investimeve publike në total ishte 43 miliardë lekë, ku rreth 20% e tyre i paguan në muajin dhjetor. Gjatë viteve 2005-2008 pati një përqendrim të lartë të investimeve publike në dhjetor, të cilat arritën nga 40-50% e totalit të fondeve të investimeve.

Kjo prirje u qetësua pas përfundimit të punimeve në Rrugën e Kombit nga 2008-2012, por nisi prirjen rritëse pas vitit 2014 e sidomos pas pandemisë, më 2020. Qeveria shqiptare po lëvron një kredi të Bankës Botërore prej rreth 87 milionë eurosh për “Zhvillimin e Financave Publike”, e cila kishte për qëllim të rriste efektivitetin e menaxhimit të buxhetit edhe në lëmin e buxhetit, por çështja e investimeve mbetet një pikë e nxehtë që duket se është përkeqësuar më tej.

Të dhënat zyrtare referojnë se në vitin 2014, rreth 28% e fondit të investimeve publike u alokua në dhjetor, nga 12% që ishte ky tregues në vitin 2013. Gati një e katërta e investimeve publike u çlirua gjatë muajit dhjetor, ndërmjet 2015-2020, por më 2022 rreth 43% e fondit të investimeve u alokua në dhjetor dhe më 2023, gati 38% e fondeve u përqendruan në dhjetor. Kjo prirje duket të jetë e njëjtë edhe këtë vit, pasi në dy muajt e parë të vitit 2024, fondet e investimeve kapitale nga fondet e brendshme ishin thuajse zero.

Kontrolli i Lartë i Shtetit informoi këto ditë Kuvendin e Shqipërisë se investimet me burim të brendshëm financimi, e kanë realizimin e përqendruar kryesisht në muajt nëntor dhe dhjetor, duke ndikuar edhe në performancën e tyre.

“Janë konstatuar problematika në detajimin e projekteve të investimeve publike me akt normativ, pa kaluar në PBA 2022-2024, si dhe shkurtimin e fondeve të investimit në momentin e lidhjes së kontratës dhe rialokimin e këtyre fondeve drejt projekteve të tjera të investimit publik me detyrime të prapambetura, apo në proces nga vitet e kaluara”, vë në dukje Kontrolli i Lartë i Shtetit./ Monitor

Advertisement