Connect with us

Politike

Rama i kërkon kredi Bankës Botërore/ Sa është shuma dhe për çfarë i duhet?

Qeveria shqiptare kërkon të marrë një kredi prej 80 mln USD nga Banka Botërore për mbështetjen e reformave në drejtim të zgjerimit të bazës tatimore, energjisë dhe mbrojtjes së mjedisit.

Marrja e kredisë parashikohet të finalizohet në dhjetor të këtij viti, ndërsa përfshin 3 shtylla. Shtylla e parë do të mbështetë reformat që synojnë qëndrueshmërinë e sektorit qeveritar dhe familjeve. Më konkretisht, synohet mbështetja për miratimin dhe zbatimin e akteve nënligjore të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”.

Po ashtu, do të ofrohet mbështetje për ndryshimin e ligjit “Për turizmin”, i cili zgjeron përkufizimin dhe mbikëqyrjen e qeverisë, të aktiviteteve turistike, duke përfshirë qiratë afatshkurtra apo thënë ndryshe të ardhurat për qiratë nga AIRBNB dhe Booking.

Pjesë e shtyllës së parë është edhe mbështetja e miratimit të ligjit “Për sigurimin e detyrueshëm ndaj tërmeteve për pronat rezidenciale”. Së fundi, për rritjen e efektivitetit të sistemit të ndihmës sociale, kjo shtyllë synon të adresojë vakumin ligjor lidhur me mungesën e dispozitave që do të mundësonin krijimin e Fondit Social në nivel vendor.

Ndërkaq, shtylla e dytë mbështet reformat që synojnë forcimin e kornizës së tregut të energjisë, rritjen e energjisë së rinovueshme dhe eficiencës së energjisë. Përmes kësaj shtylle do të mbështetet krijimi i Operatorit të Energjisë së Rinovueshme, rregullat e tregut dhe funksionimi i tij, si dhe paketa rregullatore për konsumatorët.

Sipas Bankës Botërore kjo pritet të nxisë zhvillimin e tregut të energjisë së rinovueshme. Përveç kësaj, për të mbështetur më tej tregtimin e energjisë përmes tregut të organizuar me shumicë, do të mbështetet miratimi i një dekreti që mandaton tregtimin e energjisë nëpërmjet Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike, ALPEX.

Së fundi, për të futur eficiencën e energjisë në sektorin publik, do të mbështetet miratimi i dispozitave të prokurimit që udhëzojnë autoritetet kontraktore publike të sigurojnë zbatimin e standardeve të efikasitetit të energjisë në procedurat e prokurimit publik.

Ndërkaq, shtylla e tretë mbështet reformat që synojnë mbrojtjen e mjedisit dhe reduktimin e gjurmës së karbonit në vend. Kështu, për të parandaluar dhe reduktuar degradimin e mjedisit, do të mbështetet miratimi i ligjit “Për përgjegjësinë  e zgjeruar të prodhuesit”,  futja e një takse karboni mbi qymyrin, si dhe miratimi i paketës rregullatore për zbatimin e ligjit “Për gazet serrë të fluoruara”./ SCAN

Advertisement