Connect with us

Shkrime

Vuçiç gjunjëzohet, përkulet dhe puth duar

Interesante, por edhe disi të pabesueshme, nëse i krahasojmë kur shfaqet brenda dhe jashtë vendit, paraqitjet e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç. Në adresimet e tij për opinionin vendor, nga Presidenca apo përmes disa mediave pro-qeveritare, Vuçiç sulmon të huajt, thotë se Serbia “nuk është një grusht tërshërë” dhe se askush sipas tij, nuk mund të vendosë për politikën që ajo ndjek. Pastaj çdo udhëtim I tij jashtë vendit dhe deklaratat që ai përcjell janë dukshëm tjetër gjë. Ai falënderon të huajt për mbështetjen, betohet për miqësi si me Perëndimin ashtu edhe me Lindjen dhe në vend që t’u japë përgjigje të forta të huajve, siç bën kur flet për opinionin serb Brenda vendit, ai merr goditje grushti mbi tryezë, si në rastin e Këshillit të Sigurimit, pasi doli lakuriq se po gënjente.

Ditët e fundit, presidenti i shtetit serb, ndoshet më shpesh në Nju Jork se sa në Beograd, ku po merr pjesë në lobimin ekipor kundër votimit të project rezolutës për Srebrenicën, teksa mediat proqeveritare po publikojnë suksese të mëdha dhe fitore diplomatike që presidenti po arrin me ekipin e tij, por realiteti fatkeqësisht nuk është aspak rozë. Asgjë nuk ka ndryshuar për asnjë pikë në raport me qëndrimet e mëparshme të partnerëve ndërkombëtarë në lidhje me rezolutën.

Së pari, kujtojmë se Vuçiç u përpoq të manipulojë  kryesuesen e seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së  për Kosovën, Vanessa Fraser, dhe të kërkonte tre minuta shtesë për debatin, të cilën ajo e refuzoi me forcë dhe i tha presidentit se gjithçka ishte dakorduar në agjendën e mëparshme.
Duke përplasur grushtin e saj në tryezë, ajo e bëri Vuçiçin të vetëdijshëm se nuk mund të flasë të pavërteta dhe të mashtrojë ekipin e njerëzve që punojnë në OKB. Vuçiçit iu desh ta pranonte këtë, gjë që me shumë mundësi nuk do të ndodhte kurrë në Serbi, ku ai është i fokusuar vetëm te audienca dhe elektorati i tij.

Shembulli më i mirë për këtë është udhëtimi i fundit i kreut të shtetit në Francë, ku u takua me presidentin Emmanuel Macron. Takimi i tyre u prezantua në media si kulmi i miqësisë  dhe bashkëpunimit mes dy vendeve. Vucic tha se foli me presidentin Emmanuel Macron për tre orë dhe se ata patën një takim shumë të përzemërt.

Vetëm ky shembull vërteton se Vuçiç ka një  retorikë krejt tjetër kur është jashtë vendit dhe tjetër kur kthehet në Beograd dhe paraqet detajet e vizitës së tij.

Nuk ka rëndësi kush është në anën përballë tij, presidenti serb përgjigjet “pa frikë” dhe nuk përkulet, edhe pse ai është para një të fuqishmi.

Për këtë lloj qëndrimi kemi dëgjuar edhe për Vuçiçin në përballje me ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kur e ka pyetur për kinezët gjatë takimeve në Shtëpinë e Bardhë.

Nëse do ta shohim pamjen më të gjerë e me vërtetësi, përtej interpretimeve të Vuçiçit, shohim se “presidenti më i respektuar në historinë e fundit të Serbisë”, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Shtëpinë e Bardhë, duket sikur kishte shkuar atje për t’u marrë në pyetje nga Presidenti i SHBA. Fotoja e dërguar nga Zyra Ovale shkaktoi edhe reagimin tallës të miqve të tij rusë, të cilët e respektojnë Serbinë më shumë se kurrë falë njeriut që është në krye të saj……………..

Po të shkojmë edhe më tej, do ta shohim kreun e shtetit serb, se si gjatë festimit të 100 vjetorit të fitores në Luftën e Parë Botërore, është shtyrë tërësisht në rreshtin e fundit.

“Nuk kishte të bënte as me renditjen alfabetike, nuk e di se si dhe kush e kishte rregulluar në atë mënyrë, dhe nëse do të bëja një skandal atje, ju them se nuk ishte as koha as vendi” –  u tha Vuçiç atë kohë gazetarëve, dhe shtoi se “dyshon atë që ndodhi atje, por nuk mund të flasë publikisht për këtë”.

Dyshimet e atyre që pretendojnë se Vuçiç ka dy fytyra – një për të huajt dhe tjetrën për publikun vendas, ndoshta më së miri i ka përshkruar historiani Milan Protiç

“Ai jashë Serbisë gjunjëzohet, përkulet, puth duar. Kompleksi i tij i inferioritetit është i dukshëm, pavarësisht nëse është Putin, Xi Jinping, Trump, Biden. Sipas atyre që vjellin fjalë, ai është më i vogël se fara e lulëkuqes sepse e di që nuk vlen asgjë”
Dikur, gjatë një prej paraqitjeve të tij të shumta, i ftuar në kanalin e tij të preferuar televiziv ‘Pink’, presidenti u shpjegoi njerëzve se si bisedon me ambasadorët e vendeve të fuqishme, duke thënë se shpesh zemërohet për shkak të përpjekjeve të tyre për të vendosur Serbinë. Kujtoj se në vitin 2021 në Kosovë kishte një situatë krize, kështu që presidenti duhej të takohej me përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it.

Pas takimit, Vuçiç, i cili zakonisht nuk flet për detajet e takimeve me dyer të mbyllura, tha se është përleshur me një ambasador, i cili ka kërkuar shpjegime se përse është vendosur ushtria serbe pranë vendkalimit administrativ.

“Doni të vendosni për mua dhe Serbinë, se ku do të lëvizë ushtria jonë në territorin e Serbisë qendrore? A je normal o njeri?! A je normal vëlla, a je normal?! Mund ta imagjinoni gjendjen emocionale në të cilën isha kur ia thashë këtë ambasadorit të një prej vendeve më të fuqishme në botë” – pati deklaruar plot krenari të shtirur presidenti serb Aleksandër Vuçiç.

 

 

 

Shkrime

A e ka dikush idenë se si e destabilizon paqen hapja e një ure si ajo e Ibrit

Nga Enver Bytyçi

Kur zv. drejtori i policisë së Kosovës paralajmëroi para pak ditësh se Ura e Ibrit do të hapet, u binda se jam shumë larg njohjes së realitetit atje. Sinqerisht e dija të hapur tashmë atë urë. Këtë përshtypje ma kishin krijuar vizitat e kryeministrit Kurti, presidentes Osmani, ministrit të Brendshëm, Sveçla e plot autoriteteve të tjera të Kosovës. Po ashtu prezenca e policisë së Kosovës në komunat e veriut ma kishin krijuar përshtypjen se në atë pjesë të vendit dy vitet e fundit lëvizet lirisht ose thuajse lirisht. Me çfarë të kenë shkuar vallë këta në veri? Apo janë supermenë, që fluturojnë si Bathmann?!

Që në vitin 2014 kur kancelarja Angela Merkel shkoi në veri të Kosovës, kërkoi të zhbëheshin institucionet paralele të Serbisë në veri. Ndërsa para disa muajsh mësuam se këto institucione ishin aktive. Atëherë kur qeveria e Kosovës i mbylli ato në disa komuna me shumicë serbe e madje edhe në Pejë, në Bruksel thërrisnin “Me dialog, me dialog zgjidhen këto çështje”! D.m.th Brukseli dhjetë vjet pas vizitës së Merkelit kërkonte që të ishin aktive e prezent institucionet paralele të Kosovës. Merkel asokohe pati kërkuar edhe që Ura e Ibrit të hapet e të lidhë dy pjesët e vendit. Por pas një dekade ende asgjë nuk paska lëvizur!

Tani shqiptarët dhe me bindje e them se edhe serbët në Kosovë duan të jenë të lirë. Të lëvizin lirisht në të gjithë territorin e vendit. Edhe në komunat e veriut. Por ky Rakiqi, që beson se “përfaqëson serbët e Kosovës”, thotë Jooooo! Nuk mundet të hapet ura në fjalë. Pra kërkon izolimin e një territori në zmër të Europës. Ndërkaq kjo Europa e Brukselit që brengoset për lirinë, thotë se duhet dialog, duhet dialog! Mos veproni njëanshëm!

Mos rrezikoni stabilitetin! Dhe askush nuk ua bën këtyre burokratëve pyetjen elementare, se në cilën pjesë të Evropës rrezikohet stabiliteti nga lëvizja e lirë e njerëzve dhe e mallrave?! Në cilin skaj të botës urat shërbejnë për t’i ndarë njerëzit, që edhe ju ta mbroni këtë ndarje në Kosovë?! Në cilin shtet të botës shteti fqinj kërcënon me luftë, nëse hapet një urë për lëvizje të lirë?!

O zot! Janë bërë burokratët e Brukselit më serbë sesa serbët e Beogradit në pushtet! Në vend që të evropianizojnë Ballkanin, janë ballkanizuar për veten e tyre. Nuk iu bën më përshtypje se njerëzit kanë nevoja imediate, duan të lëvizin lirshëm, duan të punojnë, të udhëtojnë e ta lehtësojnë jetën e tyre të përditshme. Por në Bruksel e kryeqytete të tjera thjesht nuk duan të mos zemërohen barbarët në qeverisjen e Beogradit!

Qeveria e Kosovës është shumë e vonuar në aksionin e saj për hapjen e Urës së Ibrit. Duhej që ky aksion të kishte marrë fund me kohë, ndoshta para se të bëheshin zgjedhjet që prodhuan kryetarë shqiptarë në komunat e veriut. Qeveria e Kosovës, institucionet e saj, përfshirë opozitën, duhet të bashkohen fort dhe me një zë të kundërshtojnë burokracinë e Brukselit, e cila prodhon destabilitet e tirani serbe në Kosovë. Duket qartë se Serbia është ende në Kosovë për shkak se këtë prezencë e kërkon dhe e ndihmon Brukseli! Ndërkaq kryeministri i Shqipërisë duhet të heqë dorë nga funksioni i kryeredaktorit të lajmeve në TV-të shqiptare, në të cilat i bëhet jehonë “rrezikut të de stabilizimit të rajonit”, nëse hapet Ura e Ibrit!  Urat gjithmonë janë bërë për të bashkuar njerëz e territore dhe jo për t’i ndarë ato!

 

Continue Reading

Shkrime

Pse vriten gratë? Për dreq, njësoj si Alma në të njëjtin vend, në Bunë, në të njëjtën datë

Nga Monika Stafa

Dje pasdreke, një tjetër grua u hodh në lumë.

Në Bunë. Në Shkodër.

‘Fluturimi’ i Almës për të cilën kisha shkruar tamam në nisje të muajit maj, nuk e kish ulur pezmin e rëndë të dhimbjes po në atë anë të Bunës.

I njëjti dëshpërim.

I njëjti trishtim.

E njëjta përbuzje. E së njëjtës gjini. Në po të njëjtin vend.

Për dreq, në të njëjtën datë.

Po pse gratë vriten më së shumti?

Cila është ajo arsye jashtë detyrave të së përditshmes, kënaqësisë që të jep bashkësia, që u jep forcën e këtij veprimi kriminal ndaj jetës së tyre?

Përse ato mohojnë jetën para urtësisë së mendimit? Paqtësisë që të jep ulësia hyjnore?

Cili është ai çast që ua shkund arsyetimin duke bërë që zgjidhje dot mos të gjejnë? Dhe në fund përse gratë, ato që kanë rolin edukator kryesues në familje, veçanërisht ato, shkojnë drejt suicidit të pakthyeshëm?

Ne nuk duhet të harrojmë se çdo familje, çdo grua ashtu si dhe çdo burrë është pjesë e shtetit. Ndërsa ata vetë janë pjesë e familjes. E derisa të gjithë bashkë gëzojnë tipare dhe veçoritë e tyre përkatëse në raport me tërësinë, atëherë është e domosdoshme harmonizimi i edukimit të fëmijëve dhe i grave me formën e rregullimit shtetëror.

Sepse për të ndërtuar një shtet të mirë, është e rëndësishme që edhe gratë dhe fëmijët të bëhen të mirë.

Dhe kjo padyshim është shumë e rëndësishme sepse gratë përbëjnë gjysmën e njerëzve të lirë, kurse fëmijët do jene ata, që nesër do jenë anëtarët e kësaj bashkësie shtetërore.

Ndaj dhe kjo është vetëm një prej formave më të mira të rregullimit shtetëror.

A duhet t’i kemi ato më shumë në kujdes?

Continue Reading

Shkrime

Lindi një yll i botës së lire, Aleksandër Vuçiç 

Nga Nenad Milosavljeviç 

Ndeshja u mbyll me rezultat 4:1 për kundërshtarin, por ne fituam. Çfarëdo që fituam, i thyem! Kështu mund të përmblidhej aventura në Nju Jork e presidentit serb Aleksandër Vuçiç, si dhe gjithçka që pasoi.

Ndoshta pas këtyre përfundimeve njerëzit janë pak konfuz, por matematika e avancuar nuk është e lehtë, është pak më ndryshe nga kjo e zakonshme, gjithsesi zyrtarët dhe tabloidët tashmë na e kanë shpjeguar.

Për rezolutën e Srebrenicës e miratuar në OKB, votuan 84 vende, kundër 19, abstenuan 68. Por sipas Vuçiçit, nëse shtojmë abstenimet dhe ato kundër, rezultati ndel ndryshe, prandaj mbylleni gojën. Nuk ka rëndësi që koncepti i abstenimit do të thotë që dikush nuk do të bëjë deklaratë për diçka dhe se shanset janë pesëdhjetë e pesëdhjetë pro ose kundër. Gjithsesi e sigurt është që nuk janë kundër rezolutës. Çështja është mjaft e qartë dhe e pastër si një pikë loti. Por në Serbi nuk e mendojnë kështu. Kushdo që nuk është për presidentin Vuçiç është automatikisht kundër tij dhe në përputhje me rrethanat do të marrë atë që meriton. Dhe kështu funksionon për 12 vjet. Dhe është krejtësisht normale.

Dhe pasi e shkatërruan kundërshtarin në OKB në mënyrë epike, si çdo sukses sportiv, edhe ky duhej të festohej ashtu siç duhej. Qeveria serbe e interpretoi votën në OKB në stilin e saj: nëse dikush nuk është pro, atëherë është kundër. E teksa Serbia fitoi ndërsa humbi me 84:19, qytetarët në mënyrë krejt spontane dolën në rrugë me makinat e tyre të zbukuruara me flamuj. Festës iu bashkua edhe Kulla e Beogradit mbi Ujë, e cila gjithashtu ishte e veshur me ngjyra kombëtare dhe në ekranin e saj gjigant u shfaqën emrat e vendeve që nuk votuan për rezolutën.

Duke thurrur ditirambe për Vuçiçin, pati edhe disa deklarata interesante, le të themi se pikërisht tani ka filluar formimi i një bote të re, liridashëse, flamurtarët e së cilës ndoshta jemi ne, domethën presidenti serb. Dhe kur ajo botë e re liritare të formohet realisht zyrtarisht, ai do të jetë edhe presidenti i botës. Tingëllon kaq mirë e bukur. Tani, nëse i besoni presidentit Vuçiç, dhe në fakt ska pse mos ta besoni, pasi është president për hir të Zotit, logjikisht do duhet të bëni disa pyetje.

Le të themi, nëse fituam, siç tha Vuçiç, dhe OKB-ja miratoi një rezolutë që, përsëri siç thotë presidenti, e shpall popullin serb gjenocid, si duhet të sillemi ne si popull tani? A duhet ta festojë populli gjithë këtë dhe si është më e përshtatshme të festohet një gjë e tillë?

Lind edhe pyetja, çfarë do të kishte ndodhur nëse presidenti nuk do të kishte fituar atje? Më mirë as të mos e mendojmë këtë gjë. Le të qëndrojmë në versionin zyrtar të kësaj historie dhe të valëvisim flamujt. Ti tundim me sa fuqi të kemi. Serbia humbi në Amerikë, por fitoi Aleksandër Vuçiç. Kjo është matematika moderne e Beogradit…

 

 

 

 

Continue Reading

Shkrime

Disa gjëra që duhet të dini për Palestinën, para se të sulmoni Izraelin “kriminel”

Nga Endri Tafani

Janë mbi 2 milionë arabe që jetojnë në shtetin e Izraelit si shtetas me pasaportë izraelite, mbi 20% e popullsisë.

Gjuha arabe ka status special, përdoret në dokumenta zyrtare, arabet kanë xhamitë e tyre, të drejtat dhe liritë e tyre si çdo qytetar Izraelit. Kanë partitë e tyre politike, kanë përfaqësues në parlamentin izraelit, kanë patur ministra në qeverinë izraelite, kanë dhe anëtar në Gjykatën Supreme të Izraelit.

Ata janë 20% e studentëve në universitetet izraelite (aq sa janë dhe si numër popullsie). Ata janë pjesë e ushtrisë dhe policisë izraelite nga ushtarë e policë të thjeshtë e deri në rang gjeneralësh.

Duhet ditur që arabet që jetonin në ish- mandatin britanik të Palestinës, njëlloj si izraelitët në një pjesë të mire të tyre janë të ardhur nga të gjitha anët e Perandorisë Otomane e sidomos nga vendet fqinje arabe si Egjipti, Jordania, Siria, Iraku, Libani, Arabia Saudite etj.

Vetë Jaser Arafati, themeluesi i OÇP (Organizata për Çlirimin e Palestinës) ka lindur në Kajro në 1929 dhe babai i tij kishte prona në Egjipt që nuk i mori dot në gjykatë.

Deri në 1967 Rripi i Gazes ishte pjesë e Egjiptit dhe Bregu Perëndimor pjesë e Jordanisë që hoqën dorë nga pretendimet mbi ato territore në vitet 70-80 kur arritën marrëveshje paqe me Izraelin.

Deri në vitet 60′ as nuk flitej fare politikisht për Palestinë dhe palestinez, por për arabë dhe izraelitë, popullsia arabe që jetonte në ato territore vetidentifikohej e tillë.

Ishte Jaser Arafati që u mundua të krijonte një identitet palestinez, në vitet 60′ e sidomos pas luftës së 1973 kur u pa që vendet fqinje arabe nuk kishin më ndërmend të sulmonin Izraelin.

Vetë ai shall i famshëm bardhezi që Arafati e përdori si simbol është një krijim i një gjenerali britanik Glubb Pasha në vitet 1950 për të bërë një dallim midis arabeve te rekrutuar në ish- mandatin britanik dhe arabëve të rekrutuar në Jordani. Origjinali është kufiah jordanez kuq i bardhë ashtu si dhe flamuri jordanez është përdorur si bazë për të bërë flamurin palestinez.

Vetëm 7% e rreth 2 milionë arabëve që jetojnë në Izrael e identifikojnë veten si palestineze. Shumica e identifikojnë veten si arabë apo arabo-izraelite.

Nga përplasjet 50 vjeçare midis vetë palestinezëve me Izraelin, deri para sulmit në tetor 2023, kishte rreth 2 mijë viktima nga ana e Izraelit dhe 12 mijë viktima nga ana e palestinezëve. Shumica dërrmuese kanë ndodhur gjatë konfliktit në Libanin e Jugut me OÇP dhe në dy Intifadat. Nëse dikush do ta marrë mesatarisht i bie rreth 40 izraelite dhe 240 palestineze të vrarë në vit. Për krahasim në Shqipëri që është sa gjysma e popullsisë se Palestinës ndodhin mesatarisht rreth 50 vrasje në vit.

Popullsia arabe që jeton në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor ka qenë rreth 900 mijë banorë në 1950 dhe sot është 5 milionë banorë, me një nga rritjet demografike me të larta në botë, më shumë se 5 fishuar.

Në 2023, GDP per capita në Rripin e Gazes dhe Bregun Perëndimor ishte 3800 USD për banor, në nivele të ngjashme me fqinjët arabe në rajon, Siria para luftës civile 3000 USD, Libani 4100 USD, Jordania 4300 USD, Egjipti 4300 USD per banor. Për krahasim, një tjetër vend arab aty afër si Jemeni që lëshon raketa ndaj anijeve që i kalojnë pranë, ka një GDP për capita, 650 USD për banor dhe tashmë Siria pas luftës civile 420 USD për banor.

Deri në 2005 Izraeli kishte prezencë ushtarake në Rripin e Gazës të kapur nga Egjipti në luftën e 1967. Pas një marrëveshje me Autoritetin Palestinez (ish – OÇP) tërhoqi ushtrinë dhe 8000 civile izraelite që jetonin akoma aty duke ua dorëzuar territorin Autoritetit Palestinez. Në 2006 në Bregun Perëndimor dhe në Gaza u bënë zgjedhje ku në Bregun Perëndimor fitoi Autoriteti Palestinez dhe në Gaza fitoi Hamasi. Sapo fitoi zgjedhjet Hamasi filloi të ekzekutonte publikisht gjithë figurat politike të Autoritetit Palestinez. Nga 2006 e deri më sot nuk janë kryer më zgjedhje politike në Gaza.

Këto janë fakte të thjeshta që mund të lexohen e verifikohen lehtësisht në internet nga çdokush që merr mundimin të informohet e të flasë mbi temën mbi fakte të vërteta dhe jo duke u bazuar në video TikTokut, plot gënjeshtra, propagandë bajate, me slogane politike të ngjashme me para 90 dhe me fjalë të mëdha sensacionale të cilave as nuk ua dinë kuptimin.

Continue Reading

Shkrime

Opozitës i mbetet vetëm një gjë në dorë

Nga Andi Bushati

Duke hedhur ku të mundet gurë mbi veten, për aktet radikale që ndërmori gjatë vitit 2019, opozita ende drithërohet kur përmenden fjalët bojkot, tërheqje, mospjesmarrje. Vuajtja prej kësaj sindrome po shfaqet edhe tani kur i duhet të diskutojë ftesën e Edi Ramës, për të marrë pjesë në komisionin absurd, “anti korrupsion”. Ka në gjirin e saj deputetë dhe figura nga ato që politikën e dinë si artin e të qenit i pëlqyer nga ambasadat, të cilët predikojnë se është më mirë të jenë prezent, të thonë fjalën e tyre dhe ti vërsulen si demi cohës së kuqe që u tund para brirëve kryemninistri.

Por, kush e ndjen vetën kundërshtar të vërtetë të këtij regjimi, nuk ka pse i dëgjon këmbanat e këtyre idiotëve të dobishëm të pushtetit. Ka më shumë se një arsye se përse PD dhe aleatët e saj duhet ti thonë “JO” farsës së Ramës që u kujtua pas 11 vitesh, se korrupsioni u dashka luftuar.

Së pari, kundërshtarëve të qeverisë nuk i intereson legjitimimi i këtij komisioni që e fillon punën në prag të zgjedhjeve dhe i mbivendoset komisioneve të tjera parlamentare apo institucioneve të pavaruara. Duke e pranuar atë opozitarët, në fakt, i hapin dritën jeshile panimit të produkteve për të cilat kërkohet ngritja e tij. Nëse ata pretendojnë se qëllimi është prekja e reformës në drejtësi dhe kontrollimi i mëtejshëm i SPAK, ata nuk kanë pse bëhen, qoftë edhe përmes kundërshtimesh, pis me këto qëllime të mbrapshta.

Së dyti edhe nga ana formale, ky komision po ngrihet si një kostum i prerë me porosi për Edi Ramën. Ai e paralajmëroi atë me një fjalim të gjatë, denjoi vetë të shkelë në parlament për të mbështetur rezolutën dhe as nuk u konsultua apo dialogoi me opozitën. Edhe një ditë më parë ngritjes së komisionin, deputetët e saj nuk dinin as qëllimin dhe as objektin e tij, që edhe tani pas votimit me 74 vota mbetet ende flu. Pra përfaqësuesit e votuar të mbi 600 mijë kundërshtarëve të rilindjes janë të dënuar të mos e shndërrojnë ekzistencën e tyre në një fasadë të pushtetit. Ata nuk e kanë mandat për të lujatur rolin e kukullave të autokratit.

Së treti dhe nga pikpamja politike opozitës nuk i leverdis të bëhet në prag të zgjedhjeve pjesë e bashkëfajësisë. Nëse qëllimi i shpallur i komisionit “anti korrupsion” është të riparojë efektet e një sistemi grabitës 10 vjeçar, opozita nuk ka pse merr përgjegjësi për të. Detyra e saj është të denoncojë abuzimet e kundështarit dhe jo ta ndihmojë atë të korrigjohet. Ftesa: “ne vjedhim e ju hajde na pastroni”, është absurde edhe të shqiptohet e jo më të pranohet.

Por, përpos tre arsyeve të mësipërme ka edhe një tjetër shumë më themelore dhe më të rëndësishme. Ajo ka mbi të gjitha lidhje me numrat. Ata që predikojnë pjesmarrjen e opozitës në këtë komision parlamentar e argumentojnë qëndrimin e tyre me faktin se Edi Rama do të prekë reformën në drejtësi, do të heqë nene të kodit penal që frikësojnë zyratrët e tij, do të rrisë trysninë ndaj SPAK. Prandaj- thonë ata- ne duhet të jemi prezentë për të rrezistuar dhe denoncuar. Por, ata harrojnë një gjë.

Forca për të penguar kryeministrin në këto qëllime hipotetike djallëzore, nuk varet nga prezenca në komision, por nga aftësia për të shtrënguar radhët për të mos i lejuar atij të votojë në parlament ligje apo ndryshime kushtetuese që kërkojnë shumica të cilësuara. Pra çfarëdo që të vendosë komision parlamentar ku rilindja ka shumicën dhe prodhon propozimet që do, nëse opozita ruan më tepër 1/3 apo 2/5 e deputetëve (sipas llojit të ndryshimit që propozohet) ajo e kthen në nul çdo nismë të shumicës. Në të kundërtën, nëse ajo nuk arrin të garantojë kompaktësinë e deputetëve të saj, pjesmarrja në komision është e kotë pasi Rama do votojë, në fund, çfarë të dojë.

Pra, prezenca në komisionin e “anti korrupsionit” është një sifilatë e panevojshme. Opozita është e dënuar ta bojkotojë atë. Madje pa pasur pikë kompleksi nga kjo fjalë. Pa dëgjuar për më tepër ata që i bien fyellit të ambasadorëve, se PD është dëmtuar më shumë se gjithçka nga bojkoti.

Të gjithë atyre që mbrojnë këtë tezë u duhet bërë një pyetje. Po mirë, po nga rruga konsensuale dhe nga marrëveshjet me Ramën, a ka fituar gjë PD-ja? A doli ajo me kokën lart, kur braktisi çadrën për të dëgjuar këshillat e emisarit amerikan Brian Hoyt Yee? A mori garanci kur u fut në qeveri me Ramën pas marëveshjes së majit 2017, gjoja për të garantuar zgjedhjet që ishin mbyllur që pa nisur?

Po katë vjet më pas ç’e mirë i ndodhi, kur vendosi të lërë bojkotin për të hyrë në “tryezën politike”. Nga se e mbrojti marrveshja me garant SHBA dhe BE e 5 qershorit. A nuk i përmbysi Rama të gjitha, pa pyetur për arbitrat dhe duke bërë prapë atë që deshi?

Pra, jo vetëm rruga radikale, por as ajo e të moderuarve që predikojnë kompromis, nuk japin garanci përballë rregjimeve anti demokratike që kanë në dorë dhe gurin dhe arrën. Në të tilla kushte të vështira opozitës i mbetet vetëm një gjë në dorë: të ruajaë parimin dhe të respektojë mandatin që i ka deleguar ajo pjesë e shqiptarëve që janë kundërshtarë të Edi Ramës. Ata janë kundër lojrave të të shërbyerit si fasadë, apo pjesmarrjes në farsat që organizon ai. Për çdo opozitar, frika se mund të tradhëtojë këtë thirrje duhet të jetë shumë më e madhe sesa kompleksi nga bojkoti.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING