Aktualitet
“Pse s’më trembin kriminelët” – Artan Hoxha: Për fat të keq unë i njoh njerëzit e botës së krimit…
Gazetari Artan Hoxha i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTv tregon se përse flet për kriminelet, politikanët e arrestuar, për aksionet e vazhdueshme të SPAK-ut. E bëj për fëmijët e mi, thotë gazetari, që nesër mos qeverisen nga fëmijët e këtyre politikanëve maskarenj dhe kriminelëve gjakatarë. Duhet të luftojmë për vendin tonë, shprehet ai, të përballemi me të keqen, sepse në këtë vend nuk duhet të vendosë e keqja, por ne, se ne jemi zotër të Shqipërisë sonë.
“Për fat të keq unë i njoh njerëzit e botës së krimit. Nuk kam dashur t’i njoh, por jam detyruar. Edhe kur nuk kam dashur unë t’i njoh më kanë gjetur ata sepse Shqipëria është një vend i vogël. Ndonjëherë më është dashur edhe të negocioj me ta. Ua njoh taktikat, kërcënimet, jam rrezikuar jo një herë, por shumë herë. Më kanë nisur edhe vrasës me pagesë.
Duhet të gjeja atë balancën e duhur dhe të lija atë batutën e famshme që është të filmi “Kumbari” që thotë: Nuk është asgjë personale, është çështje biznesi. Pra unë jam në këtë punë që mos ngatërrohem me bizneset e tyre. Pra mos hysh në marrëveshje me ta. Sepse nëse bahesh palë me ndonjë prej tyre, je automatikisht i rrezikuar nga grupi tjetër. Deri aty je si një pozicionin e arbitrit në një ndeshke volejbolli. Je ulur në një karrige dhe shikon ndeshjen, mban shënim, mundohesh ta kuptosh se kush po fiton, duhet të gjesh ku po bëhet intriga, ku bëhet hileja, duhet të sqarosh opinionin. publik, ta ekspozosh fenomenin, të bësh apel që duhet reaguar. Unë kam pasur mundësi pafund për të ikur nga ky vend, për të pasur një jetesë më të mirë.
E kam bërë emigracionin shumë shpejt që në 1991-shin. Kam pasur mundësi shumë te mira që t’i rrisja fëmijët e mi në vendet e Bashkimit Evropian dhe të mos kisha këtë stres që kam. Të gjithë më shohin në rrugë, unë jam me duar në xhepa. Nuk kam as badigardë. Neve na ruan vetëm profesioni dhe profesionalizmi në punën që bëjmë. Unë lëviz me duar në xhepa, mund të më gjesh në autobusin e unazës, në një taksi, jam në rrugë pikërisht sepse kam ndjekur profesionin tim. Në momentin që unë jetoj në këtë vend, po rris fëmijët e mi në këtë vend, unë mendoj që duhet të luftojmë për këtë vend. Shpeshherë më pyesin njerëzit:
Shpërblimi më i madh që merr sot është kur del në rrugë, kur shkon në çdo cep të Shqipërisë, vjen një njeri që nuk e ke takuar kurrë, të respekton, të paguan edhe kafenë, bën një foto. Ky është shpërblimi më i madh në punën që ne kemi zgjedhur dhe unë besoj fort që ne mund ta bëjmë dhe do ta bëjmë Shqipërinë. Unë luftoj që ta bëj alarmante këtë situatën me kriminelët që të ndërhyjmë shpejt, për të mbrojtur këtë Shqipëri turistike. Nuk vendosin ata për vendin tonë, vendosim ne. Ne duhet të përballemi me të keqen. Mes krimit të organizuar dhe politikanëve, kriminelët më të mëdhenj për mua janë politikanët. Por mos ishte kjo klasë politike, nuk do kishim këtë kriminalitet”, thotë gazetari