Connect with us

Politike

Ilir Meta kërkon divorc: Monika Kryemadhi është ish-bashkëshortja ime

Ilir Meta ka njoftuar zyrtarisht divorcin nga Monika Kryemadhi, bashkëshorten e tij si dhe partneren politike prej rreth 30 vitesh dhe prindër të tre fëmijëve. Meta deklaroi se ai dhe ish-bashkëshortja e tij kanë ndjekur rrugën ligjore për këtë çështje dhe ka njoftuar edhe djalin e tij Besarin, i cili i ka thënë meqë keni kaq shumë tensione dhe probleme me njëri-tjetrin pse nuk gjeni një zgjidhje më të qetë dhe divorci sipas tij është zgjidhja. Shkak për ndarjen sipas ish-presidentit të vendit është bërë këndvështrimi për SPAK-un.

Kur ju nuk mund të bindni ish-kryetaren e LSI-së dhe bashkëshorten tuaj që SPAK është i kapur nga Edi Rama, si mund të bindni publikun dhe anëtarësinë tuaj?

Meta: Keni shumë të drejtë. Pas kësaj deklarate, zonja Kryemadhi është ish-bashkëshortja ime. Dhe sot kam ndjekur edhe rrugën juridike për këtë çështje dhe kam njoftuar edhe djalin tim Besar Ilir Meta, i cili më ka thënë pak kohë më parë që kur kemi kaq shumë tensione dhe probleme me njërin tjetrin mund të gjeni ndonjë zgjidhje me të qetë dhe unë besoj se e kam gjetur një zgjidhje.

Meta është përpjekur të japë edhe shpjegime për arsyet që e çuan në një vendim të tillë. Meta thotë se shkak për krisjen u bënë përplasjet politike.

“E para, unë e mendoj se ajo është e pafajshme. E dyta, Batoni (Haxhiu) më ka thënë në një darkë tek Kodra e Diellit se “kam menduar se do ta ndaje që kur lanë mandatet”. E përmenda çështjen e mandateve se ajo ka qenë një krisje shumë e madhe mes nesh. Nuk ka qenë lojë dhe nuk është lojë. Çështja e mandateve është një krim për popullin shqiptar. Unë kam pritur nga ajo një reflektim nga ajo dhe e deputetëve dhe askush nuk mori në telefon për të pyetur se, nëse ti ke dalë kundër çfarë mendon. Nuk e bëra unë kryetare të partisë, ashtu siç e thatë ju. Ajo ka pasur kontributet e veta shumë të mëdha.

Pas zgjedhjes time të sforcuar si President, kryetar u bë Petrit Vasili, për shkak të përvojës, qartësisë politike dhe ajo u bë nënkryetare si një mbështetëse dhe për të mbajtur linjën. Dhe më pas erdhën zgjedhjet, rezultati i dobët në Fier dhe presionet e Ramës ndaj deputetëve sepse u duk e qartë që po shkonim drejt opozitës. Më pas u mendua si zgjidhje për të mbajtur më të bashkuar partinë, dhe për shkak energjive që ajo kishte. Ka kontributet e veta që askush nuk ja ka mohuar dhe nuk ja mohon. Por tani kjo është një marrëdhënie e cila është bërë e pamundur dhe kjo është një zgjidhje më e qetë për të gjithë” – tha Ilir Meta.

Lajmi për divorcin u bë i ditur në median e Berishës, Syri tv, dhe kjo lëvizje e ish-presidentit vjen në një moment kur SPAK po heton pasurinë e familjes Meta, ndërsa mund të jetë edhe një ndarje fiktive.

Advertisement