Aktualitet
Kuvendi rihapjen e çështjes së mandatit të Xhaçkës/ Shpërthen Bardhi: Qesharake
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi e ka konsideruar të paligjshme dhe qesharake kërkesën e mazhorancës në Kuvend drejtuar Gjykatës Kushtetuese në lidhje me një kërkesë për opinion nga Komisioni i Venecias lidhur me mandatin e deputetes Olta Xhaçka.
Me anë të një reagimi në X, Bardhi thotë se Gjykata Kushtetuese ka përfunduar shqyrtimin e çështjes dhe sa më parë duhet të rivendosë autoritetin për mbrojtjen e Kushtetutës dhe shtetit ligjor.
“Mazhoranca socialiste i kërkon Gjykatës Kushtetuese të marrë një opinion këshillimor nga Komisioni i Venecias se si duhet gjyqtarët kushtetues ta lexojnë vendimin e tyre nr. 1/2023 për mandatin e deputetes strategjike Olta Xhaçka. Kërkesa përveçse e paligjshme, është qesharake deri në absdurditet!
Gjykata Kushtetuese ka përfunduar shqyrtimin e çështjes dhe sa më parë duhet të rivendosë autoritetin për mbrojtjen e Kushtetutës dhe shtetit ligjor. Asnjë vonesë e mëtejshme nuk mund të tolerohet dhe do të ishte fundi i kushtetutshmërisë në vend”, thuhet ne reagim.
Në shkresën e Kuvendit thuhet se duhet të kërkohet një mendim këshillimor nga ana e Komisionit të Venecias, dhe në lidhje me zbatueshmërinë e këtyre parashikimeve kushtetuese dhe ligjore që lidhen me të drejtën e një të pestës së deputetëve të Kuvendit për të vendosur në lëvizje Gjykatën Kushtetuese.
“Ndodhur në kushtet kur krijohet një pasiguri juridike, se përse grupi prej jo më pak se 1/5 e deputetëve nuk mundet që të vendosë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese në kundërshtim me rendin kushtetues në fuqi, Kuvendi është i mendimit që duhet të kërkohet një mendim këshillimor nga ana e Komisionit të Venecias, dhe në lidhje me zbatueshmërinë e këtyre poarashikimeve kushtetuese dhe ligjore që lidhen me të drejtën e 1/5 së deputetëve të Kuvendit për të vendosur në lëvizje Kushtetuesen”, thuhet ndër të tjera në kërkesë.