Shkrime
Shenjtëritë e Kishës serbe Ortodokse
Nga Shqiprim Pula
Kisha serbe Ortodokse e do në tërësi Kosovën, ndërkaq politika serbe të paktën i do administrimet komunale përmes formacionit “Srpska Lista” së bashku me (disa) ndërkombëtarë që me ngulm e duan institucionalizimin e Serbisë në Kosovë përmes “Bashkësisë së Komunave Serbe”, e në tërësinë e tyre së bashku na del serbizimi, si çështje kombëtare e Kishës dhe e shtetit serb mbi Kosovën
Simbioza e njohur se shteti e mbështet Kishën dhe Kisha e mbron shtetin, te vendet ortodokse, njihet qysh nga Bizanti. Përgjatë historisë, Kisha ortodokse ka luajtur rol fundamental në krijimin e identiteteve kombëtare e edhe shtetërore, madje te vendet si Greqia, Serbia e Rusia, si vende ortodokse, Kisha mbetet aktor në politikë e faktor në pushtet shtetëror. Kisha serbe Ortodokse (Srpska Pravoslavna Crkva) fuqishëm vazhdon të mbetet e involvuar në jetën politike dhe publike në Serbi, si entitet i përhershëm për vazhdimësinë e identitetit kombëtar serb, kurse politikanët si kalimtarë të kohës, prandaj merr rol edhe në përcaktim të orientimeve politike. E njëjta simbiozë është edhe te federata ruse, ku Kisha ruse Ortodokse (Ruska Pravoslavna Crkva), hapur e lavdëroi vendimin dhe e mbështeti presidentin Vladimir Putin për të ashtuquajturin “operacion special ushtarak” në Ukrainë!
Kisha ruse dhe serbe ortodokse specifikisht janë edhe agjitatorë politikë në rajon. Të panumëruara janë rastet në Bosnjë-Hercegovinë. Mbase duhet sjellë për vëmendje ndodhitë nga Kisha serbe Ortodokse në Mal të Zi, duke luajtur agjitatorin, ku përmes veprimeve praktike në organizimin e mitingjeve për të minimizuar pushtetin shtetëror të kohës, arritën ta përmbysnin atë përbërje politike për t’i hapur rrugë për ardhje në pushtet opozitës së atëhershme proserbe, e edhe proruse.
Ngjarjet në qytetin Cetinjë gjatë vjeshtës së 2021-s, dhe më pas nënshkrimi i “Marrëveshjes Themelore” në gusht të 2022-s ndërmjet Kishës serbe Ortodokse, patriarkut Porfirije dhe Qeverisë së Malit të Zi, e drejtuar nga kryeministri Dritan Abazović!, e cila marrëveshje përmban imunitete, privilegje dhe të drejta, që përbën një status “sui-generis” përbrenda sistemit kushtetues e ligjor të Malit të Zi, ku Kisha serbe Ortodokse nuk i nënshtrohet mekanizmave ligjorë shtetërorë, si dhe merr autorësinë si pronarë pronash duke iu njohur e drejta të mos u nënshtrohet proceseve standarde ligjore. Më e rënduar bëhet situata kur Kisha serbe Ortodokse në Mal të Zi e minon identitetin malazez duke i pretenduar të gjitha Kishat si serbe dhe duke e konsideruar Malin e Zi si shteti i dytë serb apo si “Sparta Serbe”; natyrisht, e pashmangshëm, këtë e bën me pushtetin shtetëror të Serbisë. Kjo simbiozë, Kishë-Shtet, lidhet me ideologjinë e Shën Savës mbi bazën e së cilës nacionalizmi i kombit serb të ushtrohet ngushtë në mes Kishës dhe shtetit. Kisha serbe dhe ajo ruse Ortodokse së bashku, historikisht kanë mbështetur zbatimin e aktiviteteve të koordinuara në promovim të politikave shtetërore, si dhe organizatave në shtrirje rajonale me elemente ruse, siç është e ashtuquajtura “Ushtria Kozake” të cilëve madje më 2016, u ishte organizuar edhe liturgji në Kishën e Shën Nikollës në Kotor të Malit të Zi, për ta forcuar narrativën e vëllazërisë ruso-serbe-malazeze; dhe pikërisht për këtë shqetësim për ndikimin rus në rajon, Parlamenti Evropian në marsin e 2022-s e ka miratuar një Rezolutë, duke shprehur thellësisht shqetësimin që Kishat ruse e serbe promovojnë aktivitete të caktuara në rajon.
Kisha serbe Ortodokse nuk e do paqen me Kosovën e shqiptarëve dhe të tjerëve që jetojnë këtu, prandaj dhe sot, kur Kosovës e Serbisë, sipas narativës sovjetike, u kërkohet të krijojnë “normalizim marrëdhëniesh”, pengesë kryesore mbetet Kisha serbe Ortodokse, e cila, mes tjerash, ka edhe interes që konflikti të vazhdojë dhe që urrejtja të trashëgohet nga një brez te tjetri.
Shenjtëritë e nismave politike serbe përherë risjellin në kujtesën tonë shenjtërinë e vrasjeve masive, të dhunimeve e gjenocidit në hapësirat e rajonit tonë nga ana e Kishës, përgjatë shekullit që e lamë pas, në veçanti! Madje, thënë si parantezë, Kisha serbe Ortodokse ka specifikuar objekte e zona me status special e me mbrojtje të veçantë, 44 sosh, ku nuk ka klerikë e murgj, por që pretendohet të krijohet “Kishë-Shtet” brenda shtetit të Kosovës! Ky gllabërim, nga serbët pretendohet që të përvetësohet lashtësia shqiptare dhe të justifikohet si serbe. Alicia Kearns, ish-kryetare e Komitetit të Punëve të Jashtme në Mbretërinë e Bashkuar, në qershorin e 2023-s shpalosi informacione me rëndësi të veçantë, duke zbuluar kontrabandimin e armëve nga Serbia, duke i shfrytëzuar autoambulancat nga struktura të caktuara parashtetërore për t’i fshehur në Kisha serbe Ortodokse; e ku agresioni ushtarak më 24 shtator 2023 nga grupet parashtetërore serbe dhe armatimet masive të gjetura në Manastirin e Banjës në Zveçan treguan sërish e qartë se Serbia nuk është veç sponsorizuese, por bashkorganizatore dhe përgjegjëse, së bashku me Kishën serbe Ortodokse!
Mbase duhet konsideruar dy çështje, rishikimin e çështjes së ekstraterritorialitetit të Kishës serbe si domosdoshmëri kombëtare e shtetërore dhe themelimin e Kishës Ortodokse të Kosovës, e cila, sipas historiografisë, ka ekzistuar para se të përvetësohet nga serbët; ngase shteti civil i Kosovës seriozisht kërcënohet nga fqinji ynë verior, shteti serb ortodoks, i cili vërtet po cenon mëvetësinë tonë.
Kisha serbe Ortodokse e do në tërësi Kosovën, ndërkaq politika serbe të paktën i do administrimet komunale përmes formacionit “Srpska Lista” së bashku me (disa) ndërkombëtarë që me ngulm e duan institucionalizimin e Serbisë në Kosovë përmes “Bashkësisë së Komunave Serbe”, e në tërësinë e tyre së bashku na del serbizimi, si çështje kombëtare e Kishës dhe e shtetit serb mbi Kosovën.
(Autori është njohës i Marrëdhënieve Ndërkombëtare).