Connect with us

Kosova

Kosova e pabindur/ Vuçiç për ‘Politiko’: Brukseli sheh kush e bllokon dialogun, nuk e thotë publikisht

Presidenti serb tha se nuk ka “marrëdhënie” me liderët e Kosovës, sepse negociatat nën udhëheqjen e BE-së nuk po japin rezultat.

Tensioni i gjatë – dhe nganjëherë i dhunshëm – ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për statusin e enklavave me shumicë serbe në veri të Kosovës po nxehet sërish, pasi udhëheqësit e të dy vendeve e shtuan retorikën e tyre me fyerje dhe akuza reciproke edhe këtë javë.

Pasi kryeministri i Kosovës Albin Kurti e akuzoi Aleksander Vuçiqin për “irracionalitet”, “dëshpërim” dhe udhëheqje të një “fushate agresive për konflikte të reja”, presidenti serb u përgjigj në një deklaratë për ‘Politiko’, ku tha se “Nëse irracionaliteti dhe agresioni është rruga për zgjedhje demokratike… OK, faleminderit shumë”.

Hakmarrja e ndërsjellë vjen pasi udhëheqësi serb këtë javë bëri thirrje për zgjedhje të reja komunale në veri të Kosovës për të reduktuar, sic u shpreh ai, tensionet që u përshkallëzuan në vitin 2023, kur komuniteti serb kryesisht bojkotoi votimin.

Pavarësisht përpjekjeve të përsëritura për të reduktuar konfliktin, Bashkimi Evropian ka dështuar. Këtë javë, negociatorët e BE u përpoqën përsëri të bashkonin palët në Bruksel për një të ashtuquajtur takim trepalësh me të dërguarin e posaçëm të bllokut për zgjidhjen e konfliktit, Miroslav Lajçak, por u refuzua.

Të enjten, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ftoi liderët ballkanikë në një drekë pune në Bruksel për të diskutuar axhendën e rritjes së BE-së dhe integrimin e rajonit në tregun e përbashkët evropian. Edhe pse Kurti dhe Vuçiq morën pjesë, ata nuk u takuan e as nuk folen.

Kritikët akuzojnë liderin serb se po luan një lojë të dyfishtë, duke nxitur serbët vendas në Kosovë të rezistojnë, e më pas duke vepruar si viktimë kur Prishtina reagon.

Vuçiq ka këmbëngulur se ai nuk është i interesuar të nxisë tensionet, pavarësisht se qeveria e tij nuk e njeh as pavarësinë e Kosovës, të cilën ajo ende e konsideron një krahinë renegate.

Serbia vazhdon të mbështesë financiarisht serbët që jetojnë në Kosovë, veçanërisht në fushën e shëndetësisë dhe arsimit.

Lëvizjet e fundit të Prishtinës kanë ngjallur protesta dhe pretendime se qeveria e Kosovës është e vendosur të “spastrojë etnikisht” serbët nga zona ku ata janë shumicë.

Kurti nga ana e tij vazhdimisht ka theksuar se po zbaton vetëm Kushtetutën e Kosovës, e cila i jep autoritet në të gjithë territorin e vendit.

Advertisement