Aktualitet
Hapja e negociatave/ Kikia: Autoritetet shqiptare tashmë nën monitorimin e Brukselit
Opinionisti Mentor Kikia, i ftuar në një studio televizive, theksoi se hapja e negociatave për grup-kapitullin e parë mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian do të sjellë një qeverisje më transparente dhe më të përgjegjshme për qytetarët shqiptarë. Ai shpjegoi se monitorimi i autoriteteve shqiptare nga ekspertët e Brukselit do të rezultojë në një rritje të korrektësisë në menaxhimin e çështjeve publike.
Kikia vuri në dukje se çdo sektor do të kalojë në një sitë të detajuar, dhe ky monitorim do të kontribuojë në përmirësimin e standardeve në vend.
“Çdo sektor tashmë do kalojë në sitë. Mendoj se ajo që përfitojnë më së shumti qytetarët në këtë rast është fakti që tashmë Shqipëria do të jetë nën një monitorim, ekspertët e Brukselit që përgjigjen për verifikim e plotësimit të këtyre kritereve do të monitorojnë autoritetet shqiptare në mënyrë rigoroze dhe për këtë arsye shqiptarë besoj që do të fitojnë një qeverisje më transparente, më të përgjegjshme për shkak të këtij monitorimi dhe shpresoj që kjo të çojë në përmirësimin e të gjitha standardeve”, tha Kikia.
Ai gjithashtu theksoi se ndihma financiare nga BE-ja do të fokusohet në projekte specifike, duke shpjeguar se këto fonde nuk do të ndihmojnë buxhetin e përgjithshëm të qeverisë, por do të financojnë projekte konkrete që janë të mirëprojektuara.
“Në kuadër të negociatave do të ketë edhe paketa financiare. Paratë do t’i jepen qeverisë dhe qeveria do t’i çojë ku do të ketë nevojë. Paratë që jepen nga BE jepen përmes projekteve, nuk ushqen buxhetin e qeverisë, por do të financojë projekte konkrete dhe implementimi i fondeve do të bëhet vetëm në bazë të aftësive që do të ketë qeveria për të projektuar një projekt të mirë”, theksoi ai.