Politike
Plagosja e të riut në sy/ Rama: U kujdesa personalisht të shkojë në spitalin më të mirë në Itali
Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në platformën X lidhur me protestën e dhunshme në Tiranë dhe plagosjen e 28-vjeçarit Erjon Vishkulli, i cili është nisur drejt Italisë për të marrë trajtim të specializuar mjekësor.
Në reagimin e tij, Rama dënon dhunën gjatë protestës dhe akuzon organizatorët për nxitjen e përplasjeve, duke paralajmëruar se personat përgjegjës duhet të përballen me pasojat ligjore.
Kryeministri thekson gjithashtu se është angazhuar personalisht për të siguruar trajtimin mjekësor të Vishkullit dhe transportin e tij drejt Italisë, ku 28-vjeçari pritet të marrë kujdes më të specializuar për dëmtimin e rëndë në sy.
Rama e cilëson dhunën të papranueshme dhe shprehet se përgjegjësit për ngjarjet e protestës duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre.
Reagimi i Edi Ramës:
Pjesëmarrja në protestat e dhunshme është sigurisht e rrezikshme edhe për vetë dhunuesit dhe ata që rrinë rrotull tyre, aq më tepër kur dihet tanimë edhe botërisht që në këto protesta është edhe dora e një matufi maniak me një biografi të pasur me zjarrvënie e me gjakderdhje
Më vjen shumë keq kur kushdoqoftë lëndohet fizikisht, qoftë edhe një protestues i dhunshëm, por si mund të shmanget çdo lëndim i mundshëm nëse dhuna e dikton natyrën e një proteste?!
Kjo është një pyetje retorike dhe lëndimi i djalit nga Elbasani duhet të jetë një këmbanë alarmi për të gjithë, po mbi të gjitha për nxitësit e dhunës që propagandojnë nga ekranet e korruptuara televizive dhe nga pasqyrat e tyre sociale apo më zi akoma që paguajnë për mish për top lloj-lloj individësh, nga kriminelë, te djem të paditur e deri te fëmijë të mitur
Pasi jam marrë personalisht që mbrëmë me sigurimin e kurimit të djalit në spitalin më të mirë të Italisë, si edhe të transportit me një avion charter mjekësor, u them të gjithë atyre që po e keqpërdorin si të tërbuar syrin e plagosur të tij për të nxitur më tej dhunën:
Ju jeni errësira që i mbylli atij djali dritën e syrit!
Ju jeni gishtat dhe thonjtë e dorës së malkimit që e përndjek Shqipërinë qysh në 1912-ën, duke ia mbyllur sytë sa herë ky vend sheh dritë!
Po këtë herë jeni të humbur, sepse drita e Shqipërisë është sot ku e ku më e madhe se sa errësira dhe ju jeni gjithnjë e më pak, prandaj edhe po dhunoni, digjni e shkatërroni me urrejtjen e pangushëllueshme të asaj dore, por duke ua kujtuar më mirë se kurrë shqiptarëve se kush jeni.
Dhe shqiptarët s’do t’ua falin. Prisni dhe shikoni