Connect with us

Politike

Deputetët e PD protestë në Strasburg, Gjekmarkaj tregon detaje

Nga rrugët e Tiranës, protesta e opozitës do të zhvendoset në dyert e Parlamentit Europian.

Rreth 30 deputetë demokratë, mes tyre edhe ata të cilët Kuvendi i Shqipërisë u ka mbyllur derën, do të udhëtojnë drejt Strasburgut me 23 tetor me një mision të caktuar.

“Në kontaktet që kam pasur në disa parlamente europiane kam vënë re që ka terr informativ për zhvillimet politike në Shqipëri dhe zhvillimeve në opozitë. Kam propozuar për të udhëtuar drejt Strasburgut ku mblidhet Parlamenti Europian. Ne atje kemi konfirmuar disa takime me eurodeputetë dhe funksionar të lartë të PE”, tha Gjekmarkaj.

Demokratët kanë rakorduar një fushatë lobimi te parlamentarët e BE-së, ku në derë do t’i trokasin edhe David McAllister, një njohës shumë i mirë i krizave shqiptare, i cili në 2017-ën arriti të zgjidhte krizën e çadrës së PD.

Agron Gjekmarkaj, i cili mban autorësinë e idesë së hedhur në grupin parlamentar demokrat, në një intervistë për Top Channel sqaron detaje se çfarë pritet të ndodhë javën e ardhshme ne Strasburg.

“Do i rrëfejmë çfarë ndodh në Shqipëri, për presionin ndaj opozitës, konkretisht arrestimin e Berishës, Salianjit apo pasojat juridike që bie mbi liderët e tjerë të opozitës si Ilir Meta dhe Fatmir Mediu”, shtoi Gjekmarkaj.

Agjenda e demokratëve është e ndarë në dy pjesë, një grup deputetesh kanë mision ndërgjegjësimin e zyrtarëve të Parlamentit Europian, ndërsa të tjerë do protestojnë jashtë dyerve të mbështetësve nga diaspora.

Advertisement