Bota
Xi Jinping thirrje ushtrisë kineze: Bëhuni gati për luftë
Presidenti kinez, Xi Jinping, u ka bërë thirrje trupave ushtarake të forcojnë gatishmërinë e tyre për luftë, raportojnë mediat shtetërore kineze.
Kjo deklaratë vjen vetëm disa ditë pasi Pekini organizoi stërvitje ushtarake të mëdha rreth Tajvanit. Xi Jinping i bëri këto komente gjatë një vizite në një brigadë të Forcës Raketore të Ushtrisë Çlirimtare Popullore.
Sipas tij, ushtria duhet “të forcojë në mënyrë gjithëpërfshirëse stërvitjen dhe përgatitjen për luftë” dhe të sigurohet që trupat të kenë “aftësi të forta luftarake.” Ai theksoi se ushtarët duhet të “rrisin aftësitë parandaluese strategjike dhe luftarake.”
Kina, e cila e sheh Tajvanin si pjesë të territorit të saj, ka rritur shfaqjet e forcës rreth ishullit të vetëqeverisur gjatë viteve të fundit. Pak ditë më parë, Pekini vendosi avionë luftarakë, dronë, anije luftarake dhe anije të rojes bregdetare për të rrethuar Tajvanin. Kjo ishte stërvitja e katërt në shkallë të gjerë rreth ishullit demokratik në më pak se dy vjet. Udhëheqësit komunistë të Kinës kanë këmbëngulur se nuk do të përjashtojnë përdorimin e forcës për të vendosur Tajvanin nën kontrollin e Pekinit.
Mosmarrëveshja midis Kinës dhe Tajvanit daton që nga lufta civile kineze, kur forcat nacionaliste tajvaneze u mundën nga luftëtarët komunistë të Mao Ce Dunit dhe u tërhoqën në ishull më 1949. Që atëherë, Kina dhe Tajvani janë qeverisur ndaras.