Aktualitet
Dëm 3.5 mln euro / Afera me “Rindërtimin” në Rrogozhinë
Afera me fondet e rindërtimit të Rrogozhinë është tashmë në duart e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kështu hetimet pritet të zgjerohen duke përfshirë zyrtarë të tjerë të lartë që mendohet se mund të jenë të përfshirë në shpërdorimin e fondeve publike, duke i shkaktuar një dëm prej 3.5 milionë lekësh buxhetit të shtetit.
Pasi Prokuroria e Durrësit ka shpallur mos kompetencën mbi dosjen, çështja i ka kaluar për hetime të mëtejshme prokurorit të SPAK, Elvin Gokaj.
Në pranga kanë përfunduar Mario Meka (ish-punonjës i Bashkisë Rrogozhinë), Xhemile Uku (aktualisht masa e policisë së Rinisë dhe Sportit Bashkia Rrogozhinë), Besim Ballabani (punonjës në Bashkinë Rrogozhinë), Elton Levonja ( ish-punonjës Bashkia Rrogozhinë), Edlira Ramaj (aktualisht specialiste në shërbimet e burimeve njerëzore, Bashkia Rrogozhinë). Ata dyshohen se në 78 raste kanë dhënë dëmshpërblim për tërmetin për objekte që nuk kanë qenë për strehim. Edhe pse duhet të shënonin për të dëmshpërblyer vetëm banesat, 5 të arrestuarit kanë futur në listë edhe kasolle. Sipas njoftimit të Prokurorisë së Durrësit, pesë punonjësit e kësaj bashkie akuzohen për veprat penale “shpërdorimi i detyrës”, “falsifikimi” dhe “mashtrimi”.
“Nga hetimi rezlton se banesat për të cilat është dhënë dëmshpërblimi për shkak të dëmtimeve nga tërmeti nuk kanë qenë për strehim, por në dosjet e tyre janë shënuar objekte të tjera, përfshi dhe kasolle të derrave e lopëve,“- thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Përveç punonjësve të Bashkisë, Prokuroria ka vënë nën hetim edhe 78 personat të cilët kanë bashkëpunuar për përfitimin e fondeve të rindërtimit. Këta të fundit akuzohen për veprën penale “Mashtrim” parashikuar nga neni 143 i Kodit Penal.