Connect with us

Shkrime

POROSIA E FUNDIT/ Borrell shuan ëndrrat e Kosovës dhe Serbisë, shton kushtet për në BE

Shefi i diplomacisë së BE-së ka goditur zyrtarët e Kosovës që insistojnë në njohje nga Serbia.

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se qëllimi i procesit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë nuk është njohja, por normalizimi i marrëdhënieve, duke i dhënë një goditje të fortë interpretimit të zyrtarëve në Kosovë për Marrëveshjen Bazë të arritur më 2023.

Duke theksuar rëndësinë e implementimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit nga viti i kaluar, shefi i diplomacisë evropiane ka shtuar se procesi i dialogut nuk ka të bëjë me arritjen e njohjes midis Kosovës dhe Serbisë, por vetëm me normalizimin e marrëdhënieve, duke kërkuar që të mos ngatërrohen dëshirat me realitetin.

“Sigurisht, gjithçka mund të bëhej në një mënyrë tjetër. Por mendoj se po e bëmë në një mënyrë që të dy palët mund ta pranojne. Mendoj se të gjithë duhet të kuptojnë se ky proces nuk ka të bëjë me njohje. Ajo, nëse vjen, do të vijë në fund. Ky proces ka të bëjë me normalizimin, i cili është një proces shumë më modest. Objektiv”, ka nënvizuar Borrell I cili gjithashtu ka potencuar: –

“Nuk mund të fillosh të veprosh sikur të jesh njohur nga pala tjetër, sepse ky nuk është rasti. Nuk mund të ngatërroni dëshirat tuaja me realitetin. Mendoj se ne e kemi bërë të qartë, në çdo moment, që gjërat duhet të shkojnë hap pas hapi. Duke kuptuar drojën dhe kufijtë kushtetues të të dyja palëve”

Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, paralajmëroi Serbinë se duke mos miratuar sanksione kundër Rusisë, vendi rrezikon anëtarësimin në BE.

“Serbia duhet të ndryshojë shkallën e shtrirjes së politikës së jashtme. Herët a vonë, Serbisë do t’i duhet të përafrohet me politikën e jashtme të Unionit, përndryshe, anëtarësimi do të jetë në rrezik,” deklaroi Borrell.

Ai tha se Serbia nuk mund të mbajë lidhje me Rusinë dhe të presë qe te antaresohet ne Bashkimin Europian.

“Pajtueshmëria është treguesi më i rëndësishëm nëse kandidatët ndajnë vlerat dhe orientimin tonë politik”, tha kreu i diplomacisë evropiane.

Së bashku me Komisionerin Evropian për Zgjerim Oliver Varhelji, Borrell prezantoi paketën e zgjerimit të miratuar nga Komisioni Evropian.

Në raportin për Serbinë, konfirmohet se vendi nuk ka përparuar në procesin e harmonizimit dhe se ruajtja e marrëdhënieve me Rusinë “ngre pikëpyetje për drejtimin e saj strategjik”.

Kujtojme se Komisioni Evropian ka miratuar paketën e tij vjetore të zgjerimit për dhjetë vendet që janë pjesë e procesit të zgjerimit.

Ky eshte dokumenti më i rëndësishëm që KE publikon çdo vit, i cili paraqet një pasqyrë të detajuar të progresit në reformat kyçe që janë të nevojshme për përparimin në procesin e integrimit evropian.

Dhjetë vende janë pjesë e paketës, duke përfshirë Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Gjeorgjinë, Republikën e Moldavisë, Ukrainën dhe Turqinë.

Advertisement