Aktualitet
Kur humbesh pas detajeve dhe harron pyllin
Nga Skënder Minxhozi/
Gazetarët e kanë pyetur sërish Sali Berishën këtë fillimjavë në lidhje me domethënien reale të asaj që opozita e ka konsideruar si mosbindje civile e që në fakt nuk po duket askund në territorin e Shqipërisë, përveç rasteve kur deputetët e ndonjë zyrtar lokal partie djegin goma rrugëve apo karriget e Kuvendit. Kjo e quajtur mosbindje nuk është as civile dhe as masive e popullore. Është një përplasje fizike burokratësh partiakë e protestuesish politikë me forcat e rendit.
Me të drejtë deputetja Oriola Pampuri e sheh këtë që ndodh si një teatër politik pas të cilit mbahet fshehur sipas saj një marrëveshje e heshtur PD-PS. “Pas kësaj fshihet një pakt tjetër i madh. Jemi në kohën kur duhet të ketë debate për buxhetin. Nga nesër në komisione parlamentare diskutohet buxheti. Të bësh skena të tilla kur e di si do të jetë fundi, naiv nuk janë por duhet të ketë një pakt të radhës. Ata e ëndërrojnë komisionin Xhafa. Asnjëra palë nuk e do SPAK. Po bëjnë gjithçka që ta godasin SPAK. Të dy palët kanë një hall përballë SPAK. Pritet të kenë një reagim ndaj SPAK, mund të jetë komisioni Xhafa”, shprehet Pampuri.
Vogëlsia dhe rrezja e shkurtër e veprimit opozitar në këtë moment tejet delikat për politikën, kur SPAK po godet fuqishëm dhe kur zgjedhjet janë prag, pasqyron amullinë në të cilën noton sot opozita kryesore, Partia Demokratike. Po fryhet artificialisht situata në media dhe podiumet politike sikur vendi do të kalojë në revoltë masive kundër qeverisë nga një moment në tjetrin, e në fakt asgjë e tillë nuk ndodh. Njerëzit vijojnë të paguajnë faturat e taksat, jeta rrjedh në hullinë e saj kurse PD vijon të shohë ëndrra në beze, siç e quanin shkodranët dikur kinemanë.
Leximi i drejtë i Pampurit bëhet edhe më i vërtetë teksa sheh që Berisha ra dakord brenda javës me Ramën në korrik për rregullat e zgjedhjeve, e tani muaj më pas, befas shfaqet idea fluturake e qeverisë teknike. Një kërkese që më së pari ata që e artikulojnë e dinë sesa e pamundur dhe e improvizuar është. Të kërkosh qeveri teknike me 20 deputetë që djegin xhaketat është njëlloj si të kërkosh të fitosh Kupën e Botës me një ekip të kategorisë së dytë nga Oqeania!
Mosbindja civile e pretenduar, me përmasat e saj përtej modestes, duket një turravrap i kërkuar drejt vogëlsisë dhe arfiticiales, për të fshehur kënaqësinë e Berishës që ka nën kontrol, partinë, të Gaz Bardhit që ka një post që s’e shpresonte ta kishte dhe të të tjerëve që do të mund të rizgjidhen deputetë në listë të sigurtë pranverën e ardhshme.
Dje ambasadori i BE është habitur nga një skenë që ka parë t’i shpaloset para syve. Në ceremoninë e hapjes së shkollës së integrimit Evropian në ambjentet e Parlamentit, ka rënë në sy mungesa e kreut të këshillit kombëtar të integrimit Jorida Tabaku.
Siç e ka shpjeguar vetë më vonë, zonja Tabaku ka pritur që të dilte nga salla kryetarja e parlamentit Spiropali, për të zënë vendin e saj. Teksa ambasadori Gonzato kërkonte angazhim maksimal për reformat, Tabaku ka pretenduar se Spiropali i kishte vjedhur aktivitetin. Habia e heshtur e Gonzatos për këtë sherr protagonizmi në distancë ka qenë sipari i një aktiviteti që s’e meritonte këtë devijim programi. Sepse përballë malit të madh të kapitujve e stardateve që Shqipërisë i duhet të kalojë për t’u pranuar në BE, halli se kush e organizonte nëj takim studentësh në selinë e Parlamentit është vërtet i vogël, meskin dhe qesharak.
Së fundi, ka bërë të ngrihen shumë supe në Tiranë vendimi i grupit parlamentar demokrat (atij që shkumëzon e djeg ç’ti dalë përpara), për t’i shkruar letër zyrtare donatorëve të huaj, që të mos përshijnë në grupet e hartimit të raporteve, analizave apo vlerësimeve ekonomike për Shqipërinë bashkëshorten e kryeministrit, Linda Ramën. Sipas opozitës, e cila ka rreshtuar në letër të gjithë donatorët kryesorë të vendit, prania e Linda Ramës në hartimin e këtyre dokumenteve ul paanshmërinë e vetë këtyre analizave.
Rendja pas manisë për të goditur me çdo kusht bashkëshorten e kryeministrit, një “sport” prej vitesh i preferuar i Berishës, anashkalon faktin se së pari Linda Rama ka qenë prej shumë vitesh pjesë e këtyre grupeve të ekspertizës që punojnë për llogari të institucioneve ndërkombëtare. Shumë para se të njihej me Edi Ramën e të merrte “ofiqin” e zonjës së kryeministrit.
Së dyti, ndoshta PD i ka shpëtuar fakti se paanshmëria e zonjës Rama është e provuar e zeza në të bardhë në raportet ku ajo ka qenë bashkëautore. Në korrik, fjala vjen, në një raport për llogari të UNDP, Linda Rama dhe një kolege e saj konstatonin mes të tjerash se “mungesa e analizës gjithëpërfshirëse të vlerës për para dhe rreziqet fiskale të lidhura me PPP/koncesionet tregojnë dështimin e qeverisë për të monitoruar rregullisht kontratat PPP”. Duhet integritet dhe paanshmëri të shkruash këto rreshta kur e ke burrin të parin e qeverisë që po kritikon.
E ku do të kishte më mirë për opozitën sesa të citonte si burim kritikash (e jo të kërkojë përjashtimin) vetë zonjën e kryeministrit në raportet që shkruan për donatorët e huaj?! Kjo është logjika normale, por edhe këtu pengon sërish hallakatja nëpër detaje, e cila nuk të lejon të shohësh pyllin!